Gazetari nga Praga, Egon Erwin Kisch, afër lumenjve të Malit të Zi një vit para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. “Vejusha gazmore” e “Principatës së Madhe të Pontevedros”. Dhe Petar II. Petroviq Njegoshi i inspiruar nga një poet serb. Mali i Zi, fqinji i vogël i Kosovës, shpesh ka lozur drama dhe opereta në skenën e politikës botërore
1.
Gazetari nga Praga, Egon Erwin Kisch (1885-1948), ishte një legjendë e jetës publike në rajonin gjermanishtfolës. Si “reporter fluturues”, ai zbuloi skandale, udhëtoi gjithandej nëpër botë, por s’i mbeti borxh as ambientit lokal të Pragës, ku hulumtoi e gjurmoi sidomos në nëntokën e krimit dhe parapolitikës.
Egon Erwin Kisch e shndërroi reportazhin në art. Nga viti 1977 njëri nga çmimet më të larta të gazetarisë gjermane për reportazh mban emrin e Egon Erwin Kisch-it. Ai u lind në një familje hebraike të Pragës. Karrierën gazetareske e nisi te gazeta e Pragës “Bohemia”, e cila botohej në gjermanisht. Më 1913 Kisch zbuloi aferën e kolonelit austro-hungarez Alfred Redl, i cili si spiun i shiti plane sekrete Rusisë. Pasi u dekonspirua, Redl bëri vetëvrasje.
Në verën e vitit 1913 Egon Erwin Kisch vizitoi Malin e Zi. Nga Cetinja, kryeqyteti i atëhershëm malazez, Kisch eci në këmbë deri në Rijekë të Kroacisë së sotme. Sapo u nis nga Cetinja, Kisch dëgjoi të shtëna armësh nga luginat përreth. Pyeti veten nëse tashmë kishte shpërthyer një luftë e re ballkanike, por shoqëruesi i tij i tha të mos bëhej merak. Janë të rinjtë malazezë që me pushkë ruse po gjuajnë peshq në lumenjtë e rrëmbyeshëm të maleve.
2.
Vendet e vogla shpesh kanë inspiruar artistët dhe shkrimtarët për tregime të mëdha. “Vejusha gazmore”, një operetë me tri akte e Franz Lehàrit (sipas libretit të Leo Stein dhe Henri Meilhacs), i kushtohet “Principatës së Madhe të Pontevedros”. Kur u vu në skenë më 1905 në Vjenë, shumica e të interesuarve e dinin se “Principata e Madhe e Pontevedros” ishte në fakt Montenegro, pra Mali i Zi. Në versionin në gjermanisht të libretit thuhet qartë se këngëtarët duhet të bartin “veshje tradicionale malazeze”. “Vejusha gazmore” luhet edhe sot në shumë skena, mes të tjerash edhe në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.
Për të shkruar operetën, Franz Lehàr u inspirua nga zhvillimet në shtëpinë mbretërore malazeze. Mbreti Nikolla kishte 9 vajza dhe 3 djem. Nikolla u quajt “vjehrri i Evropës” për shkak se u kujdes që vajzat e tij të martohen në shtëpi mbretërore me rëndësi strategjike për Malin e Zi, një vend me territor të vogël dhe me pak popullsi. Në fillim të shekullit 20, Mali i Zi kishte rreth 250 mijë banorë. Dhëndër i Nikollës ishte mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq. Një vajzë tjetër e Nikollës, Elena, u martua me Victor Emmanuelin e III-të të Italisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Elena mori titullin “Mbretëreshë e Shqipërisë”. Në oborrin e Kishës Ortodokse Ruse në San Remo janë të vendosura bustet e Elenës së Malit të Zi dhe mbretit Victor Emmanuelit të III-të. Dy vajza të tjera të Nikollës u martuan me arkidukë rusë në Shën Petërburg. Ato lozën një rol të rëndësishëm në jetën publike ruse. Me të gjitha këto martesa shtëpia mbretërore malazeze ishte vatër e shumë fjalëve, thashethemeve, intrigave dhe përgojimeve.
Sa i përket operetës “Vejusha gazmore”: një vejushë gazmore dhe e pasur shkon nga Mali i Zi në Paris. Atje takon ish të dashurin e saj, një kont zhelan, i cili nuk u lejua ta martonte, sepse ajo dikur ishte vajzë e thjeshtë. Në vend të kontit ajo u martua me një milioner, i cili – çfarë fati! – vdiq natën e martesës. Tani nga konti kërkohej që ta martonte vejushën gazmore për ta shpëtuar vendin nga falimentimi – kuptohet me milionat e vejushës. Por konti refuzoi, ai nuk dëshironte të dukej si lakmitar.
3.
Njëri nga themeluesit e ideologjisë nacionaliste serbe është metropoliti Petar II. Petroviq Njegoshi. Më 1847 ai botoi “Kurorën e maleve”, e cila shpejt u bë epos nacional serb. Vepra karakterizohet me lartësimin mitik të heronjve serbë që luftuan kundër osmanëve më 1389 në Fushë-Kosovë. “Kurora e maleve” vlon nga gjuha urrejtëse jo vetëm kundër osmanëve dhe fesë islame, por edhe kundër “poturice”, pra të krishterëve që me ardhjen e osmanëve përqafuan fenë islame, kaluan në këtë fe për shkak të privilegjeve apo me dhunë. “Çfarë vllahu qenke, o derr i turqizuar”, i thotë një malazez i krishterë një malazezi mysliman te “Kurora e maleve”.
Nga kush u edukua Petar II. Petroviq Njegoshi? Kryesisht nga poeti serb, Sima Millutinoviq (Sarajlija), i lindur më 1791 në Sarajevë, vdekur më 1847 në Beograd. Më 1799, familja e Sima Millutinoviqit u shpërngul në Zemun (Semlin), afër Beogradit. Zemuni në atë kohë i përkiste Perandorisë Austro-Hungareze. Këtu Sima Millutinoviq ra në kontakt me botën gjermanishtfolëse. Ai ishte pjesëmarrës në Kryengritjen e Parë Serbe kundër osmanëve, pastaj mërgoi në Besarabi, një trevë historike në Evropën Juglindore me dalje në Detin e Zi. Në Besarabi ai u bë anëtar i një lozhe të masonëve dhe qëndroi në Gjermani, më saktë në Leipzig ku mbikëqyri botimin e eposit të tij “Serbijanka” (Serbja).
Gjatë qëndrimit në Gjermani, Sima Millutinoviq u njoftua me shkrimtarët Johann Wolfgang von Goethe, Jacob Grimm, Johann Gottfried Herder dhe Ludwig Uhland. Përmes këtyre kontakteve, Sima Millutinoviq i bëri të njohura këngët popullore serbe jashtë territorit të banuar nga serbët. Kështu letërsia serbe depërtoi edhe në qarqet kulturore në Gjermani. Nga ngjarjet e historisë serbe që Millutinoviqi i përshkroi në eposin “Serbijanka” u inspirua edhe Petar II. Petroviq Njegoshi.