Vështrime

Babadimri Sui Grenellis

Si gjithnjë për fundvit do t’i shprehim dëshirat tona për Vitin e Ri. Sivjet, siç jemi në dijeni për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe mbylljes së rishtë nga ana e shteteve skandinave dhe atyre evropiane, Babadimri do të jetë në pamundësi që t’i sjellë dhuratat personalisht nga Laplandi i largët. Mirëpo, unë atij do t’i drejtohem personalisht dhe dhuratat do të distribuohen me anë të kaprojve të Ali Expressit, kështu që duhet të jeni mirënjohës për dhuratën, e cila do të mund t’ju arrijë nga Babadimri i sivjetshëm Sui Grenellis

Lexues të nderuar të ditarit tim. E përcollëm edhe një vit së bashku, vit ky të cilin të gjithë ne do ta mbajmë në kujtesë për një vit aq të mbrapshtë. Vit në të cilin çdokush nga ne humbi qoftë ndonjë të afërm, qoftë ndonjë mik nga kjo pandemi e mallkuar. Ndamë së bashku edhe shumë kabllograme të ndryshme diplomatike nga vendi dhe nga bota.