OpEd

Si të niste nga e para

Mirë do të ishte që edhe zgjedhjet të kalonin sa më shpejt, e të krijohet qeveria e re. Kemi aq shumë telashe në të cilat na ka futur vargu i qeverive të këqija me prijës të padijshëm dhe të padobishëm, që këtij vendi i vyen një qeveri stabile, që do ta çojë mandatin deri në fund dhe që do të marrë përgjegjësi për të kthyer ligjshmëri e rend në këtë vend

Disi fort po ia përtoj veç kur po e mendoj se në thuajse dy muajt e ardhshëm do të na i shurdhojnë veshët me fraza e premtime, ani që zgjedhjet ende nuk u shpallën. Mjaftoi sinjali nga paralelja e ndarë fizike e Kushtetueses së Moldavisë, se Qeveria e zgjedhur në qershor nuk ishte zgjedhur në fakt, që fushata të niste menjëherë.

Nëse ende po i mbaj mend mirë, këto do të jenë zgjedhjet e 14-a në 19 vjet (të përgjithshmet: 2001, 2004, 2007, 2010, 2013, 2017, 2019 dhe 2021; komunalet 2000, 2002, 2007, 2009, 2013, 2017). Pra, zgjedhjet e teta parlamentare çdo dy vjet e gjysmë pothuajse, që tregojnë për një qeverisje shumë jostabile në një shtet që po qëndron mbi këmbët e qelqta. Për më keq, qëkur Kosova u shpall e pavarur para thuajse 13 vjetësh, këto janë zgjedhjet e pesta parlamentare.

Atë që e kanë dëshmuar disa palë zgjedhjet e shkuara është një fragmentim i madh i skenës politike kosovare. E kanë dëshmuar edhe një këmbëngulje të përfaqësuesve të këtyre të fragmentuarve që të mos e reformojnë sistemin zgjedhor, i cili me vite u dëshmua i keq dhe i dëmshëm.

Rezultateve të këtilla elektorale u kontribuoi pa masë edhe Gjykata Kushtetuese me interpretimet e pabesueshme që ua bëri dispozitave, në mungesë qartësie, si dhe punëve përgatitore nga koha kur është shkruar ajo. Aq shumë e ka ndryshuar Kushtetutën me aktgjykimet e veta jo rrallë absurde, sa nuk do të duhet shumë kohë që të kërkohet miratimi i një Kushtetute të re. Porse për ta arritur këtë pikë, duhet pasur konsensus të gjerë - një nocion që nuk ekziston që nga negociatat e Vjenës.

* * *

Deri në shpalljen e aktgjykimit të Kushtetueses, ende nuk do të dihet se kush kualifikohet e kush jo për të garuar në këto zgjedhje, e as nuk do të dihet dita se kur do të shpallen ato. Nga përvoja e keqe që kemi me sistemin e numërimit të votave, zgjedhja e Qeverisë së re do të mund të marrë shumë kohë, dhe shumë seriozisht mund ta rrezikojë buxhetin e Kosovës, edhe në rastin kur deputetët do të merreshin vesh për ta miratuar një buxhet kalimtar që vijon deri në fund të marsit të 2021-s. Për shkak se me të as nuk mund të ekzekutoheshin ndihmat eventuale, e që është më me rëndësi, as të blihen vaksinat kundër COVID-it, po qe se ky shtet e ka ndërmend t'i blejë ndonjëherë.

Nuk e di se çfarë do të vendosin deputetët në seancën e së hënës, porse problem do të jetë sido që të veprojnë: do ta miratojnë një buxhet të keq ose do ta miratojnë një buxhet kalimtar, ku mund të shpenzohet një e dymbëdhjeta e buxhetit deri më 31 mars 2021. Porse nëse deri atëherë nuk zgjidhet Qeveria, mbesim edhe pa para.

Fundja, çfarëdo që të vendosin, do të jetë njësoj për ne. Mospuna e tyre kronike dhe hiret e inatet politike e kanë bërë këtë Kuvend pa kuorum - sepse shumë më të shpeshta kanë qenë shtyrjet e seancave për mungesë kuorumi, sesa që janë mbledhur për të vendosur ndonjë gjë - pos kur u bë fjalë për formimin e qeverive dhe rrëzimin e njërës prej tyre.

* * *

Tashmë kanë nisur edhe sondazhet, për të cilat nuk e dimë se sa mund të jenë reale, porse reagimi i menjëhershëm i PDK-së, LDK-së e AAK-së, duke treguar se "besojnë se mund t'i fitojnë zgjedhjet", dëshmon se mund t'ua kenë frikën parashikimeve se VV-ja do të mund të fitonte edhe më shumë sesa herën e shkuar.

Tash e gjithë vëmendja është kthyer nga Vjosa Osmani dhe vendimet e saj në lidhje me garën politike që do ta bëjë në të ardhmen. Po flitet se është duke punuar në krijimin e një liste të veten, e po flitet se në një formë do t'i bashkohet VV-së.

Format e bashkimit mund të jenë dy: ose bëhet anëtare e VV-së, që nuk e besoj se do të ndodhë, ose që me Listën e saj qytetare të bëjë koalicion me VV-në.

Duke qenë fakt i pamohueshëm se ajo është më "e papërvojë" në organizimin e një subjekti të vetin, do ta ketë vështirë madje edhe ta konsolidojë listën dhe për të gjetur përkrahje financiare nëse vendos të garojë vetë. Përparësia e garës vetëm, me idenë se mund të hyjë në Kuvend me së paku 6 deputetë, e bën kandidate të përkryer për një koalicion paszgjedhor, po qe se realizohet parashikimi se VV-ja mund të fitojë përqindje të lartë votash.

Ndërkohë, sipas një interpretimi paraprak të Kushtetueses, nuk ka ndalesë ligjore që ta mbajë postin e u.d. së kryetares e njëkohësisht të bëjë fushatë, që nuk duket fort etike, pavarësisht se është ligjore, ngase është në kundërshtim me atë se çfarë duhet të paraqesë kryetari i shtetit: simbolin e unitetit.

Sido që të jetë, ajo do t'i shpallë zgjedhjet që duhen të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita kur të vendosë. Pra, afati edhe mund të shkurtohet, ashtu siç do të jetë i shkurtër afati për fushatën zyrtare zgjedhore (ajo jozyrtare tashmë ka nisur nga e hëna).

* * *

Natyrshëm, krejt vëmendja do të jetë e kthyer nga zgjedhjet. Nuk e besoj se kemi oferta të reja për të dëgjuar përtej asaj që e kemi dëgjuar vitin e shkuar. Mund të ketë ndryshim diskursi tek ata që vjet gënjyen, e tash duhet disi ta mbulojnë marrën, dhe gjithsesi do të ketë paraqitje prej viktimës nga PDK-ja, e cila do të garojë pa kryetarin e vet, përvojë të cilën tashmë njëherë e kishte përjetuar AAK-ja. Dhe natyrisht do të ketë ngjitje të partive të vogla atyre të mëdha, ngase kalimi i pragut kësaj radhe do të jetë, me gjasë, edhe më i rëndë seç ishte herën e shkuar.

Dhe njësoj natyrshëm, si përherë, problemet madhore do të hidhen pas shpine dhe askush nuk do të lodhet për to. Tash do ta kenë edhe arsyetimin se "Kushtetuesja nuk i la të punonin pasi kishin bërë punë të mrekullueshme në menaxhimin e pandemisë", teksa e kuptojmë se mbi 80 mijë vaksina kundër gripit sezonal, me vlerë 800 mijë euro, që kishin ardhur me dy muaj vonesë, kanë mbetur në depo. Ose kur e kuptojmë se Serbia ka nisur që nga pardje të bëjë vaksinimin kundër COVID-it dhe se ka lidhur marrëveshje me katër prodhues të vaksinës që do t'i furnizojnë me nja 20 mijë doza vaksine në javë, ashtu që t'ia nisin ta bëjnë vaksinimin masiv të qytetarëve në pranverë.

Në vend të veprimeve dhe arritjes së vaksinave edhe te ne, ne mjaftohemi me deklaratën e pabesueshme të Avdullah Hotit se "brenda tre a katër muajsh, do t'i vijë fundi pandemisë". Vetëm nuk e kam të qartë për tre-katër muajt e cilit vit e ka fjalën.

Menaxhimi i pandemisë, krahas broçkullave të tjera, ka qenë njëra prej arsyeve që i kishte paraqitur LDK-ja kur e rrëzoi Qeverinë në të cilën bënte pjesë. Menaxhimi i ka dalë jashtë kontrollit - si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe të organizimit shoqëror e ekonomik. Hoti lavdërohet me shifra, porse ka ditë që shifrat e të testuarve janë në zvogëlim e sipër, pra edhe numri i rasteve me siguri është më i lartë seç tregohet.

* * *

Gjendja ekonomike është shumë e rëndë dhe thuajse nuk ka asnjë përkrahje nga shteti për sektorin privat. Paratë e Trustit që nisën "të dilnin" në ditën kur u kuptua se ky vend nuk ka qeveri të ligjshme, do ta mbajnë qarkullimin gjallë edhe ndonjë ditë. E ato ditë qarkullimi do t'i zgjasë diaspora që u nis për të ardhur për fundvit në Kosovë, me gjithë rreziqet që paraqet ky veprim për shëndetin e tyre dhe tonin. Porse dihet mirëfilli që injeksionin që do ta sjellin ata në këtë fundvit do të na e bëjë më të lehtë ta kalojmë muajin "më të gjatë të vitit", janarin.

Mirë do të ishte që edhe zgjedhjet të kalonin sa më shpejtë, e të krijohet qeveria e re. Kemi aq shumë telashe në të cilat na ka futur vargu i qeverive të këqija me prijës të padijshëm dhe të padobishëm, që këtij vendi i vyen një qeveri stabile, që do ta çojë mandatin deri në fund dhe që do të marrë përgjegjësi për të kthyer ligjshmëri e rend në këtë vend.

Se sa do të jetë i realizueshëm krijimi i një qeverie të këtillë, pa frikën se nesër sërish do të bjerë për interesa meskine, kjo është pyetje 2.1 milionëshe.

Porse do të ishte mirë që një gjë e tillë të ndodhte. Sepse një qeveri stabile eventuale me numrat e sigurt do të ballafaqohet me një Kosovë të dërrmuar, që i afrohet asaj çfarë ishte kur përfundoi lufta. Për qeverinë e ardhshme dhe me ndryshimin politik në SHBA, do të jetë sikur gjithçka të niste nga e para.

flaka@koha.net