OpEd

Pamundësia post-pandemi

Vaksina anti-COVID

Po thuhet se kemi hyrë në valën e dytë të pandemisë COVID-19. Ndonëse statistikisht e pasaktë (ka vende që tashmë kanë regjistruar valën e katërt, apo të gjashtë…), kjo valë e re e infektimeve po ndodhë në kohën kur disa kompani tashmë kanë lajmëruar zbulimin e vaksinës kundër COVID-19, e cila si duket, në masë të madhe, është efikase. Unë nuk jam epidemiolog, e as virolog që të jem në gjendje të përcaktojë shkallën e efikasitetit, efektet anësore eventuale, e te tjera. Por, ajo që mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme, është përgatitja për situatën post-pandemi.

Është esenciale të fillohet të mendohet me shumë seriozitet, të gjindet kurajo të pranohet fakti që edhe nëse këto vaksina janë 100% efikase, rikthimi në normalietin para-pandemik është i pamundur. Në instancë të fundit, fillimi i shpërndarjes së vaksinës inaguron edhe fillimin e një forme të re të jetës. Kjo nuk është vetëm në nivel të spekulimit, apo hamendjes teorike. Një artikull i botuar së fundmi në The New England Journal of Medicine, i jep disa fakte interesante, sidomos sa i përket pamundësisë për të kuptuar pafuqinë tonë ndaj virusit.

Virusi, që është grimcë më e vogël se bakteria, gjithnjë ka qenë enigmë e mikrobiologjisë. Mos të harrojmë që virusi për herë të parë filloi të imagjinohet si i tillë qe më pak se një shekull, pra dikund në fund të viteve 1930, pak kohë pas zbulimit të mikroskopit të elektroneve. Historia e viruseve e bakterieve është jashtëzakonisht interesante, por koronavirusi është virus i pazakonë, për shumë arsye.

Por, më interesantja qëndron në faktin se gjenoma e koronavirusit, e cila është një spirale e përdredhur, përbrenda një kapsule proteinike, është molekula lineare më e madhja në natyrë. Kjo përndryshe quhet RNA (acidi ribouneklik). Ndër problemet me SARS 2 / COVID 19 është fakti që struktura protenike e saj, deri më tani, vazhdon të jetë e papenetrueshme. Por, sikurse influenza A, kjo ka dy forma kryesore të evolucionit. Akumulimi i mutacioneve të vogla, në mënyrë të pashmangshme inicon apo shkakton nën-tipe dhe sforcime të virusit. Ky proces njihet si ndryshim antigjenik.

Por, në atrikullin që e përmenda më sipër, D.Morens, P. Daszak dhe J. Taubenberger japin një fakt interesant: “gjenomit të species njerëzore i janë dashur rreth 8 milion vjet që të evoluoj 1%. Shumë RNA viruse të kafshëve mund të evoluojnë më shumë se 1% përbrenda disa ditëve.” Kjo mund ta shpjegoj edhe “pafuqinë” tonë në raport me COVID-19, apo habinë se si nuk po arrjmë të bëjmë asgjë, siç vazhdon tregimi që shfaqë dorëzimin, edhe pse zhvillimi teknologjik ka arritur nivel të jashtëzakonshwm. Në anën tjetër, teoritë e konpiracionit janë vetëm refuzimi për të pranuar atë që tashmë e dijmë.

Hapësira publike gjithnjë është e konfiguaruar si antagonizëm ndërmjet mënyrës se si realiteti shpërfaqet, dhe thashethmeve për te. Thashethëmet, gojëdhanat, konspiracionet etj., janë e kundërta e dinjitetit publik. Por, virusi, duke prodhuar kaq shumë versione të transformative të gjenomeve të tyre, ato kanë një avantazh të madh në rezistencën ndaj sistemit imunitar të njeriut, sepse në mënyrë të pashmangshme do të dalin kopje (të paktën) pjesërisht rezistente ndaj antitrupave të prodhuar në infeksionet e kaluara ose të gjeneruara nga vaksinimi. Kjo është realisht brenga ime kryesore në raport me vaksinën kundër COVID-19.

Ekonomia post-Covid

Formacioni kapitalist i prodhimit shoqëror i cili mburrjen kryesore e bazon në efikasitetin e tij. Pra, jo në drejtësinë, barazinë, ndërshmërinë, etj – por, në efikasitetin e tij. Duke qenë se premisa e organizimit shqëror kapitalist është efikasiteti, atëherë kapitalizmi e përcepton vetveten me përbuzje e nënçmim. Për shembull, ka më shumë se një dekadë që pothuajse secila gazetë serioze ndërkombëtare është përplot me përmbjtje anti-kapitaliste. Poashtu, edhe kapitalistët më dinamik të kohës së sotme, pra ata nga Sillcon Valley, janë përplot mllef ndaj kapitalizmit. Janë aq kritik, sa që edhe Bill Gates, së fundi në një intervistë, propozoi kalimin në socializëm si mundësinë e vetme të njerëzimit për të shpëtuar nga katastrofat ekologjike.

Ndonëse shumë problematike si propozim e ide, ajo çka Gates harroi është fakti se socializmi i shekullit të kaluar ishte ndoshta edhe më i dëmshëm se kapitalizmi për sa i përket ekologjisë. E në instancë të fundit, propozimi i Gates nuk është as naiv, e as radikal sa mund të duket. Socializmi është e vetmja mundësi për të shpëtuar kapitalizmin, siç u dëshmua gjatë krizës financiare të vitit 2009 (shpëtimi i bankave, etj; rasti i Kinës, e kështu me radhë).

anën tjetër, kushdo që e ka studiuar strukturën ekonomike të eksperimentit socialist të shekullit të kaluar, nuk ka se si mos ta ketë vërejtur se në sistemin socialist, prona, nuk u zhduk, ajo vetëm pësoi transformim në karakterine pronësisë: ajo ishte pronë shoqërore, apo shtetërore. Fusha shoqërore në të cilën prona si e tillë ekziston, nuk u zhduk apo transformua. Andaj, secila tendencë për të paraqitur socializmin si alternativë, apo negacion radikal ndaj kapitalizmit nuk mund të shkaktojë reaksion tjetër përveç se buzëqeshjes cinike, si formë elegante e përgjiigjes ndaj injorancës konstitutive të mendimit.

Por kjo komplikohet tutje. Paradoksi nuk qëndron vetëm në fundamendin moral të kritikës – që si i tillë, nuk duhet as të konsiderohet seriozisht – por në një instancë tjetër që prezentohet si antagonizëm: jemi kundër kapitalizmit jo-etik, por jemi në favor të tregut të lirë. Kjo nuk do të thotë se kapitalizmi mbijeton vetëm në tregun e lirë; shtetet të cilat kanë dinamikën më të lartë të zhvillimit ekonomik janë shtetet që kanë ekonomi kapitaliste, por pa treg të lirë (Kina, Vietnami, etj). Në fakt, kjo është njëra ndër tendencat aktuale të kapitalizmit: centralizimi dhe monopolizimi. Ndërsa, tendenca aktuale e shteteve me diamika eksplozive të zhvillimit kapitalist, është fakti që demokracia shfaqet si pengesë. Kjo është tashmë aktualitet, dhe tendencat për të shpëtuar demokracinë liberale përbrenda koordinatave të kapitalizmit është vetëm se gjest i zbrazët. Historikisht, kapitalizmi dhe demokracia nuk kanë qenë kompatibile. Martesa e tyre disa dekadëshe më shumë i përngjanë aksidentit historik, sesa komplementaritetit konceptual.

Por, të kthehemi te efikasiteti si parim bazë e kryesor i kapitalizmit. Pandemia COVID-19 e prishi, apo trazoi funksionimin (jo edhe aq të qetë) të ekonomisë globale kapitaliste. Është diçka thelbësisht dhe qenësisht e gabuar kur një formë e organizimit të prodhimit efektohet kaq skajshmërisht nga një “pauzë” disa mujore. Si është e mundur që një sistem ekonomik-politik, që pretendon të jetë jo vetëm në harmoni me, por edhe produkt i natyrës njerëzore, pëson kësi tronditje ekzistenciale, madje me recesion global (hiç Kinën, Vietnamin, Kamboxhian…), në disa vende deri në 25%?

Kapitalizmi është i suksesshëm (dhe, kapitalizmi është i suksesshëm vetëm kur është në ekspanzion) në shtetet ku kapitalizmi është i kombinuar me autoritarizëm politik.

Ky është dimenzioni i lapërdhishëm i kapitalizmit. Domosdoshmëria për të krijuar një ekonomi, apo më saktë, një formacion tjetër të prodhimit shoqëror, i cili 1) nuk bazohet as në bazën shtetërore, e as atë të tregut, dhe 2) një organizim ekonomik që nuk fundamentohet dhe nuk ka synim përfundimtar profitin.

Sot shoqëria botërore gjendet para një sfide ekzistenciale: ekonomia apo shëndeti publik. Por, çka nëse kjo zgjidhje është falso? Së pari, një ekonomi dhe formë të organizimit shoqëror, që shtron këso dilemash, është thelbësisht e korruptuar. Parmendojeni se në çfarë niveli i barbarisë jetojmë, kur nga ne kërkohet të sakrifikohet njëra, që të shpëtohet tjetra! Pandemia dhe reperkusionet e saja në ekonomi, ekologji dhe në shëndetin mendor, në një periudhë jo të largët, do të na detyrojnë ta rimendojmë formën e organizimit të prodhimit shoqëror. Por, lajmi i keq është që – duke u ndërlidhur me tezën e mësipërme se socializmi do jetë shpërimtar i kapitalizmit – ne jemi në një situatë historike në të cilën kapitalizmi po pregatitet për të ardhmen e tij, pra për një kapitalizëm post-kapitalist. Mirëpo, lajmi ende më i keq është që, në situatën në të cilën jemi, ku e majta është jo vetëm e dezintegruar në nivel të ideve, programit dhe organizimit, por ajo është praktikisht jo-ekzistente, e ardhmja do jetë socialiste. Ekonomia e së ardhmes, por e cila është duke u përgatitur tashmë, pra ekonomia post-pandemike, do jetë jashtëzakonisht më brutale, me eksploatuese, dhe më ç’njerëzore se sa forma më e egër e kapitalizmit aktual.

Secili vizion serioz për situatën post-pandemike, duhet të fokusohet në shërbimet bazike si: sigurimi shëndetësor, prodhimi dhe distribuimi i ushqimit, ekologjia, shërbimet e internetit, rrymës elektrike; të gjitha të tjerat janë mondanitete sekondare. Mos të harrojmë se shumë vende të botës sot përballen me mundësinë reale të urisë. Të vjelat janë në krizë të madhe, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore (klasës punëtore “udhëtuese” nga njëri vend në tjetrin). Ne duhet të fillojmë të mësohemi, së pari me idenë, e pastaj edhe me realitetin e një jete shumë më modeste, por që ndoshta, pa e ekzotizuar, do jetë më e sigurtë se sa jeta përbrenda dinamikës së çmendur të kapitalizmit postmodern.

Çka tani?

Është interesante të vihet një paralele me dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Ishte fundi i luftës së parë botërore, dhe fillimi i pandemisë së gripit Spanjoll. Supozohet se ishin të infektuar mbi 500 milion njerëz (që aso kohe përbënte rreth një të tretën e popullatës botërore), ndërsa statikat e vdekjeve sillen nga 17, deri në 100 milion. Është shumë interesante të përmendet se pandemia e gripit Spanjoll u shfaq në valë të ndryshme, madje ka hipoteza serioze shkencore se ajo vazhdoi, me valë e intenzitet të ndryshëm, madje duke u shfaqur edhe në vitet 1957, dhe 1968. Në një instancë, kjo edhe mund të jetë perspektiva jonë në raport me pandeminë COVID-19.

Pse është interesante të hidhet paralelja me pandeminë e shekullit të kaluar, edhe pse ngjashmëritë nuk janë aq të mëdha (por për përmbysjen e ngjashmërive) do flas pak më poshtë. Më e përafërt me pandeminë COVID-19, në nivel strukturor, është paralelja me pandeminë e Vdekjes së Zezë (ndryshe e njohur edhe si murtaja), e viteve 1346-1353. Supozohet se gjatë këtyre 7 viteve, në Euro-Azi dhe Afrikën Veriore, vdiqën ndërmjet 75 deri në 200 milion njerëz, si pasojë e infektimeve. Supozohet se mbi gjysma e popuullatës së Europës ka vdekur si pasojë e saj. Ngjashmëria me COVID-19 nuk konsiston në numrin e vdekjeve, por në në aspektin strukturor të ndryshimeve që ndodhën (dhe, që do ndodhin) pas pandemisë. Vdekja e Zezë, me kollapsin e paprecedent demografik, inaguroi edhe një epokë te re sociale e politike. Përveç se përmbysi hierarkitë shoqërore të mesjetës, ajo inaguroi një epokë të re të krizës së raporteve të punës. Si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore (sepse, në mesjetë nuk kishte klasë punëtore), pandemia shkaktoi zhvendosje të raporteve të forcës, në avantazh të klasave të shtypura. Në fund të shekullit 14, si pasojë, refuzimi për të paguar qiranë dhe taksat u shndërrua në fenomen normal. Ka hipoteza të cilat thonë se Vdekja e Zezë i krijoi rrethanat ekonomiko-shoqërore për lindjen e kapitalizmit. Ndërsa, COVID-19 do jetë inagurimi i vdekjes së kapitalizmit ashtu siç e njohim tani.

Të kthehem te pandemia e shekullit të kaluar, e cila filloi në periudhën e përfundimit të luftës së parë botërore. Ironikisht, mund të hudhet hipoteza se ka diçka problematike në mënyrë të natyrshme (posaqërisht) me vitet e 20ta të hershme, pra me moshën e adoleshencës, si në aspektin biologjik, poashtu edhe në atë kalendarik. Natyrisht, kjo është vetëm një koincidencë, por paralelja është interesante, pikërisht për shkak të faktit se mund të ndërtohet një krahasueshmëri ndërmjet pandemisë dhe “papjekurisë“ së një epoke. Lufta e parë botërore, sipas të gjitha analizave, del të jetë njëra ndër ndërrmarrjet më absurde të historisë, në të cilën dhjetëra miliona njerëz u vranë, pa ndonjë arsye “sublime.” Periudha para kësaj lufte karakterizohej nga një zhvillim i përgjithshëm ekonomik, betejat dhe suksesi i tyre në disa vende për te drejtat e grave për të votuar, njëfarë rritje e mirëqenies, e kështu me rradhë. A nuk jemi në një situatë të ngjashme sot? Kapitalizmi ka arritur në një stad të zhvillimit, ku një numër i madh i njerëzve gëzojnë standard më të lartë të jetesës, betejat feministe kanë shënuar një fazë të paparë të zhvillimit, sidomos me fushatën #meToo (pavarësisht të gjitha problemeve me te), lufta anti-raciste, me të gjitha mangesitë, është në një nivel tërësisht tjetër, raporti ynë ndaj problemeve ekologjike është në rritje, e kështu me rradhë. Por, kondenzimi i antagonizmave dhe kontradikatave të kapitalizmit nuk do zgjidhet në mënyrë paqësore e demokratike. Strukturalisht, jemi në periudhën historike identike me atë të para luuftës së parë botërore. Duke rrezikuar të jem empirikisht brutal, mendoj se viti i ardhshëm, apo vitet menjëherë pas tij, me shumë mundësi do jenë vitet e luftërave. Pas çdo rritje ekonomike e përmirësim të standardit e kualitetit të jetës, si dhe betejave të fituara, në nivel global, lufta është struktuuralisht e domosdoshme.

Nuk ka as edhe një arsye të besohet në një të ardhme më të mirë. Përveç nëse, natyrisht, si kolektivitet, nuk fillojmë ta marrim atë seriozisht, dhe ta transformojmë të ardhmen tashmë të parapërcaktuar.

(Autori është PhD në filozofi dhe profesor i filozofisë)