OpEd

Amullia dhe letargjia shqiptare

Tani përsëri heshtat e brendshme politike thyhen mbi historinë e dhimbshme të Kosovës të para 21 vjetëve. Edvin Rama akuzon Lulëzim Bashën për fshehjen e kasetave të xhiruara të masakrës së Krushës. Nuk dëshiroj që ta luaj avokatin e Lulëzim Bashës, sepse nuk gëzoj asnjë simpati as për të, mirëpo të akuzohesh nga njeriu, i cili çdo ditë e më shumë rehabiliton mikun e vet Sandrin, siç e quan ai Aleksandër Vuçiqin, e politikan ky i cili ishte zëdhënës i kohës i po të njëjtit shtet, që e shkaktoi masakrën e Krushës, është hipokrizi më së buti thënë, e thënë troç, është pafytyrësi dhe idiotësi e skajshme

Sot është e enjte, 19 nëntor i vitit 2020. Këtu e kuptoj se sa shpejt kaloi edhe një javë dhe erdhi dita për të shkruar Ditarin tim. Java ime ishte më e rëndë emocionalisht sesa javët e tjera. Jemi dëshmitarë se në Kosovë vdesin me dhjetëra persona nga COVID-19 në ditë, në Angli me qindra, dhe në botë me mijëra. Të gjithë këta numra të vdekjeve ditore të shkaktuara nga COVID-19 po janë një statistikë, përderisa dikush nga jeta jote personale nuk po goditet nga COVID-19 dhe edhe ai person po bëhet pjesë e asaj statistike. Atëherë më nuk po përjetohet si një statistikë, por si një dhimbje dhe humbje e madhe. Vikendin që e lamë pas shoku im i ngushtë që nga fëmijëria Fatosi, e humbi nënën e tij nga ky virus i mallkuar. Tezja Sadete ishte një grua e dashur për të gjithë. E tillë ishte edhe për mua dhe si të tillë do ta kujtoj gjithnjë. Shpirti i saj pastë dritë.

Kur këto vdekje trokasin me humbjen e njerëzve tanë të dashur, asokohe e kuptojmë seriozitetin e kësaj pandemie dhe seriozitetin e situatës të cilën ajo e ka shkaktuar.

Tashmë edhe përflitet për dy vaksina të prodhuara nga kompani të ndryshme amerikane dhe të cilat priten që të aprovohen nga FDA-ja. Efikasiteti i tyre në testimet e fazave eksperimentale del të jetë diku rreth 95%. Mirëpo, sigurisht se do të arrijmë diku kah gjysma e vitit tjetër para se t’i shohim këto vaksina të jenë në dispozicionin e shteteve për të bërë vaksinimin e popullatave të tyre.

Dje në kabllogramet diplomatike nga vendi lexova se mbi 80 minatorë janë ngujuar në horizontin e 10-të të minierës “Trepça” në Stantërg. Të gjithë ne, të cilët jemi të lindur para viteve ‘80 të shekullit të kaluar, e kuptojmë simbolikën e një proteste të tillë. Asokohe protesta e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 ishte fillimi i ortekut të shembjes së themeleve të një krijese të quajtur Jugosllavi. Kjo e fundvitit 2020 mund të jetë fillimi i një orteku të ndalimit i të mbrapshtave, të cilat politikanët kosovarë të drejtuar vetëm nga egoja e tyre vetjake dhe interesat e tyre të ngushta personale dhe partiake e kanë sjellë Kosovën dhe organizimin e shoqërisë kosovare buzë një gremine.

Si ilustrim i kësaj analogjie ishte ndeshja e mbrëmshme futbollistike midis Kosovës dhe Moldavisë, e cila po luhej në Prishtinë dhe ashtu sipas udhëzimeve të OBSH-së dhe vendimeve të FIFA-s dhe UEFA-s pa prezencë të publikut. Edhe pse Prishtina nga ora 19:00 ka orën policore për shkak të pandemisë, aty në tribunat e stadiumit "Fadil Vokrri" u pa kryeministri Hoti me ish-presidenten, Jahjaga, dhe ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Vlora Dumoshi. Mesazhin të cilin ma përçuan mua personalisht ishte se ne jemi edhe mbi popullin, e edhe mbi ligjin. Mirëpo, siç e ceka në lajmin e kabllogramit diplomatik, minatorët janë futur në grevë në horizontin e 10-të në Stantërg të “Trepçës”. Djersa e punës së minatorit duhet vrarë ndërgjegjen e secilit njeri me mendje dhe logjikë të shëndoshë. Është bukë e fituar rëndë dhe me shumë mund e sakrificë, prandaj pakënaqësia e tyre gjithmonë e ka zgjuar edhe ndërgjegjen tonë kombëtare. Personalisht do të dëshiroja që ndërgjegjja jonë e fjetur të zgjohej nga amullia në të cilën ka vite në të cilën ka rënë. Nëpërkëmbja, e cila i bëhet popullit nga ana e politikanëve, qeveritarëve, partive politike dhe sejmenëve të tyre, bëhet as duke mos iu dridhur qerpiku, sepse janë mësuar tashmë se ky popull duron dhe bart gjithçka dhe çfarëdo skandali i shkaktuar zhytet në harresën e skandalit që do të pasojë.

Vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri, gjithashtu, janë duke vegjetuar dhe jetuar në letargjinë e rënë gjithëpopullore të udhëhequr nga fytyrat e njëjta 20-30-vjeçare politike të përditshmërisë shqiptare. Tani përsëri heshtat e brendshme politike thyhen mbi historinë e dhimbshme të Kosovës të para 21 vjetëve. Edvin Rama akuzon Lulëzim Bashën për fshehjen e kasetave të xhiruara të masakrës së Krushës. Nuk dëshiroj që ta luaj avokatin e Lulëzim Bashës, sepse nuk gëzoj asnjë simpati as për të, mirëpo të akuzohesh nga njeriu, i cili çdo ditë e më shumë rehabiliton mikun e vet Sandrin, siç e quan ai Aleksandër Vuçiqin, e politikan ky i cili ishte zëdhënës i kohës i po të njëjtit shtet, që e shkaktoi masakrën e Krushës, është hipokrizi më së buti thënë, e thënë troç, është pafytyrësi dhe idiotësi e skajshme. Thënë të vërtetën një trajtim dhe ngritje e temës së masakrës së Krushës pas 21 vjetësh, nga ana e kryeministrit Edi Rama për poenë politikë ditorë, është një masakër e radhës ndaj atyre shpirtrave martirë përderisa ky në politikat ditore ndërton mini-shengene me njërin nga protagonistët e asaj masakre në radhën e shumë të tjerave. Kur ke një “vëlla” të tillë se çfarë i duhen dot armiqtë njeriut?

Mirëpo, këtyre kastave politike të 20-vjeçarit të fundit qoftë në Kosovë, e qoftë në Shqipëri, me këto fytyra të ricikluara nga llumi politiko-historik i shoqërive tona, fajtor jemi ne populli. Fajtorë jemi ne, të cilët kemi rënë në amulli aq të thellë, kemi rënë në letargjinë kombëtare. Kurrizi kombëtar ende bart peshën e secilit skandal pas skandali të politikanëve tanë, skandale të cilat brenda pak ditësh apo orësh harrohen nga skandalet e reja të cilat pasojnë. Nuk janë shtetet e këqija ato të cilat iniciojnë revolucionet, janë qeveritë e këqija.

Ishte i dhimbshëm lajmi se në një lokacion në Serbi po bëhej zhvarrimi i eshtrave të shqiptarëve të vrarë e të masakruar në Kosovë, dhe trupat e të cilëve janë varrosur nëpër lokacione të fshehta nëpër Serbi me qëllimin për t’i humbur gjurmët e krimeve, të cilat i ka bërë shteti dhe aparati shtetëror serb. Jo shumë ditë më parë, atëherë ende ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ndërsa tash kryetar i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, iu kërcënua popullit të vet apo të gjithë atyre të cilët përmendin varret dhe lokacionet e varreve masive të shqiptarëve të masakruar të Kosovës e trupat e të cilëve janë dërguar dhe zhdukur nëpër lokacione të ndryshme nëpër Serbi.

E politikanët dhe qeveritë e Kosovës mendojnë dhe mundohen të na e shpjegojnë se në tryezën e bisedimeve me Serbinë ulen si të barabartë. Ndërsa, çdo vit na dalin lajme mbi zbulimin e një lokacioni të ri brenda territorit të Serbisë me mbetjet mortore të të masakruarve shqiptarë nga lufta e fundit në Kosovë.

Unë nuk mundem të kuptoj se si është e mundur të ulet në tryezë bisedimesh pa kurrfarë kushtëzimesh pala kosovare. Nuk më intereson ta di as për trysninë ndërkombëtare. Ku mbeti trysnia jonë? Për 20 vjet, Kosova ka shënuar regres dhe sidomos që nga shpallja e pavarësisë së saj dhe verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të drejtën e Kosovës mbi shpalljen e pavarësisë së saj. Gjatë këtyre viteve, qeveri pas qeverie arriti që Serbinë ta rehabilitojë nga agresori në viktimë, niveli i rehabilitimit shkoi deri në nivelin e dërgimit të Serbisë edhe në dyert e Shtëpisë së Bardhë, ku ata deri më tani nuk kanë pasur qasje. Këtë ua mundësuan politikanët shqiptarë-kosovarë për ca fotografi çasti me presidentin Trump dhe fotografi çasti nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Në miopinë e politikanëve kosovarë nuk u pa nevoja e Donald Trumpit për storie suksesi në politikën e tij të jashtme, në injorancën e të cilit Kosova është diku një shtet mysliman në Lindjen e Mesme, ku pas 400 vjetësh luftimesh ai arriti që brenda 10 minutash ta bënte një marrëveshje ku palët edhe u përqafuan dhe u puthën ndërmjet vete në zyrën e tij ovale.

Sa herë që mendoj se sikur shoqëri e kemi arritur fundin, gjithmonë del një ngjarje tjetër e re, e cila më demanton dhe më bind se ne ende mund që të biem edhe më poshtë.

"Kojtja të koritë" ishin fjalë, të cilat daja im i ndjerë i përsëriste aq shpesh. Isha i vogël kur i dëgjova për herë të parë dhe sigurisht se nuk i kuptoja. Tashmë ato janë bërë aq kuptimplote, sepse e shohim se ku kemi arritur si shoqëri dhe se cilat ishin arsyet të cilat na sollën aty. Ishte, pra, lakmia.

Lakmia për pozita, për tituj pa meritë, për para të shpejta, lakmia për status shoqëror (false në të shumtën e rasteve), lakmia për pasuri, lakmia për përfaqësimin e vlerave që në fakt janë antivlera dhe vlera të përmbysura.

Popull i dashur ju dëshiroj një gjumë të ëmbël dhe të qetë!