Vështrime

Edi Rama nuk e mbron dot Kosovën me cicërima banale në Twitter

Kosova nuk mbrohet në Twitter nga Gjykata Speciale. Por Kosova mund të keqpërdoret në Twitter për hesape elektorale të kasabasë së Tiranës. Këtë po e bën qe disa ditë kryeministri i Shqipërisë. Kjo praktikë duhet të marrë fund.

Çfarë po bën Edi Rama qe disa ditë me shënime në Twitter kundër Lulzim Bashës është lojë për hesape elektorale të kasabasë së Tiranës. 10 vjet pas publikimit të Raportit të Këshillit të Europës, Edi Rama po e bën “zbulimin e madh”: Basha paskësh përkthyer për hetuesit ndërkombëtarë, andaj qenkësh tradhtar. Në fushatën e tij stigmatizuese Rama po e portreton Lulzim Bashën si ndërtues të së ashtuquajturës "Shtëpia e verdhë". Duke kryer një punë teknike të përkthyesit për OKB-në, Basha paskësh bërë akt të lart tradhtie, pretendon Rama. Thua se OKB nuk do të gjente një përkthyes tjetër për të kryer punën. Është e diskutueshme nëse Basha ka qenë përkthyes gjatë misionit në Shqipëri për të cilin po flet Rama, i cili në vend të fakteve parashtron pyetje sugjestive, e këto janë një mjet i manipulimit gjuhësor. Një hetues latinoamerikan, për shembull, ka thënë se nuk i kujtohet të ketë qenë Basha me të gjatë misionit në Shqipëri. Natyrisht, është e mundur që latinoamerikani të gënjejë. Por që t'ia zbulojmë gënjeshtrën latinoamerikanit, Rama si ngritës akuzash duhet të prezantojë fakte kundër Bashës. Barra e provës bie mbi Ramën si ngritës akuzash. Por edhe nëse Basha ka qenë përkthyes në çështjen për të cilën po flet Rama, atëherë në pushtet ka qenë Partia Socialiste dhe lejen për të ardhur hetuesit e OKB-së në Shqipëri e kanë dhënë socialistët. Në këtë histori politikanët e Tiranës nuk mund të krenohen fare për sjelljet e tyre. Dhe këtu nuk ka dallim mes socialistëve dhe demokratëve.

Që nga fundi i viteve 90-të shumë shtetas të Shqipërisë punojnë për OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë. Po ashtu një pjesë e përkthyesve të gjuhës shqipe në gjykatat ndërkombëtare janë shtetas të Shqipërisë. A po i kërcënon Edi Rama edhe këta njerëz në përpjekje për t’u dukur patriot elektoral? Gjuha e Edi Ramës është, fatkeqësisht, gjuhë kërcënuese edhe ndaj dëshmitarëve: kush bashkëpunon me drejtësinë apo punon për drejtësinë, ai etiketohet si tradhtar. Ky është, në thelb, mesazhi. Me këtë qasje bizare kryeministri i Shqipërisë po e keqpërdorë Kosovën për beteja politiko-elektorale në Tiranë. Më 1996/97 këtë e bënte Sali Berisha (gjatë krizës së piramidave), tash gjurmëve të tij është nisur Edi Rama. Në vend të racionalizmit po dominon agresiviteti, manipulimi dhe devijimi i krejt historisë së Raportit të Këshillit të Europës me metodën: hajde t’i gjejmë tradhtarët në mesin tonë. E vërteta është: kjo nuk është histori me tradhtarë shqiptarë. Mjafton të lexohen raportet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për shembull të OSBE-së, ku Edi Rama aktualisht është edhe kryesues (pothuaj i padukshëm), për të kuptuar pak se çfarë ka ndodhur në Kosovë në fazën e konfliktit dhe postkonfliktit. Edhe vetë Hashim Thaçi si kryetar i Kosovës ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se nuk e përjashton mundësitë që ndonjë luftëtar të ketë keqpërorur pozitën e tij.