Vështrime

Kosova mbas Washingtonit e Brukselit: Koha për një qasje të re strategjike

Me shumë rëndësi për Kosovën do të ishte po ta kthenin faqen edhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e njohin atë - Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia e Qiproja

Kritikët e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë mes Kosovës e Serbisë më së shumti qortojnë mungesën në tekst të zotimit serb për njohjen zyrtare të Kosovës. Njohja diplomatike e ndërsjellë mes Prishtinës e Beogradit do të ishte gjëja reale, e cila do të mundësonte në vijim normalizimin politik, ekonomik e shoqëror. Siç kemi vënë në dukje, presidenti serb mund ta hidhte këtë hap vetëm me çmimin e copëtimit të Kosovës, gjë që javën e shkuar në Washington fatmirësisht u varros një herë e mirë. Vuçiqi gjithashtu është pozicionuar se nuk e pranon anëtarësimin në BE me kushtin e njohjes së Kosovës së pavarur. Duke qenë se anëtarësimi do të marrë vite shumë të gjata, edhe në rastin me jo shumë gjasë që një udhëheqës serb nesër të ketë atë plotfuqi si Vuçiqi sot dhe të ndërrojë mendje e zemër për Kosovën, prapë njohja do të presë pikërisht vite shumë të gjata. Amerika nuk ka për të nisur një luftë tjetër për të detyruar njohjen e Kosovës: vizionin dhe cakun e angazhimit të saj i bëri të njohura në Shtëpinë e Bardhë. Ndryshimi i mundshëm i administratës pas presidencialeve të këtij nëntori nuk ka pse të ndryshojë rrënjësisht këtë politikë. Nga takimi i parë i dialogut të rinisur këtë javë mes kryeministrit kosovar e presidentit serb në Bruksel temat e bisedës ishin çështje të diskutuara edhe më herët në këtë dialog që ka filluar në vitin 2011. Në rastin fatlum do të bihet dakord sërish e do të zbatohen realisht çështje të ndryshme të imponuara nga historia e fqinjësia. Por njohja nuk duket në horizont. Përjashto këtu ndonjë mrekulli hyjnore apo forcë madhore, të cilat nuk kam aftësi t'i parashikoj.

Politikanët vendimmarrës lenë gjurmë jo kur insistojnë në pretendime moralizuese të cilat mbeten të papërmbushura, por kur njohin realitetin dhe veprojnë me ambicie për të arritur kulmin e të mundshmes.