OpEd

Fajin nuk e ka pandemia

Duke parë ç’po ndodh me shkollat tona, nuk është për t’u habitur që shumëkush ndien sikur fëmijët na i kanë shndërruar në minj laboratori, që mbahen të izoluar në pritje të fatit të panjohur, të cilin nuk e di as shkencëtari i çmendur, që në rastin tonë është Ministria e Arsimit

Ka diçka shumë të kalbur në sistemin tonë qeverisës që tani pandemia e nxjerr në dritë në gjithë shëmtinë e saj. Është fjala për sistemin e arsimit, apo thënë më saktë, për dështimin në menaxhimin e tij.

Nuk është befasi – ka kohë që e dimë se sistemi i arsimit në Kosovë ka probleme të mëdha dhe të shumta. Ka vite që shifrat na flasin për numër të madh të analfabetëve funksionalë që dalin nga shkollat dhe universitetet tona. Dhe që më pas popullojnë administratën e shtetit, institucionet publike dhe dikasteret qeveritare deri në nivel ministror.

Andaj dhe kjo që po ndodh tani, në kohë pandemie, nuk është as e papritur.

* * *

Me javë e muaj, gjatë muajve të pranverës e verës, derisa numëronim për çdo ditë shtimin e rasteve të infektimit dhe numrit të viktimave, nuk dëgjuam se çfarë po ndërmarrin Qeveria, përmes Ministrisë së Arsimit, dhe pushtetet komunale, bashkë me sindikalistët e arsimit, për të adresuar situatën në të cilën pritej të niste viti shkollor 2020/2021.

Nuk dëgjuam se u monitorua mësimi online i mbajtur gjatë pandemisë e as se u diskutua ndonjë mësim i nxjerrë nga tre muajt kur mësimi u zhvillua pa praninë fizike në shkolla. Nuk dëgjuam as që pati ndonjë trajnim apo udhëzues përmbajtjesor që adreson problemet e mëdha në mësimdhënien dhe mësimnxënien online. Deri në javën e fundit të gushtit nuk dëgjuam saktë se në çfarë mënyrash ka për të vazhduar mësimi në shtator, edhe pse në botë shtetet e shumta tashmë kanë diskutuar dhe elaboruar sisteme dhe metoda të ndryshme të mësimdhënies në kushte pandemie. Po, kishte disa takime, diskutime të grupeve, ku edhe mund të jetë përmendur ndonjë ide, por një dokument i detajuar, i përcjellë me skenarët e mundshëm për nisjen e mësimit, dhe me masat që duhej ndërmarrë, jo vetëm për të krijuar siguri nga virusi, por edhe për të ofruar kualitet në mësim, qoftë në shkolla apo edhe online – nuk iu prezantua publikut, ani pse është ai publik që duhej informuar, e mbase edhe përfshirë në diskutim, kur bëhet fjalë për mënyrën si do të shkojnë fëmijët në shkollë prej shtatorit. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për faktin se bëhet fjalë për fëmijët e tyre, dhe është e pritshme që njerëzit, prindërit së paku, të jenë të informuar se çfarë planifikon shteti për fëmijët e tyre.

Kështu, me mungesë të informimit, deri në javën e fundit të gushtit, nuk është për t’u habitur që shumëkush ndien sikur fëmijët na i kanë shndërruar në minj laboratori, që mbahen të izoluar në pritje të fatit të panjohur, të cilin nuk e di as shkencëtari i çmendur, që në rastin tonë është Ministria e Arsimit.

Sepse, siç na kujtohet mirë, një javë para 1 shtatorit Qeveria u mblodh me pompozitet për të diskutuar temën e nisjes së vitit shkollorë. Pas takimit, me po aq pompozitet, ministri kumtoi se kanë një plan, se plani ka tri faza, dhe se mësimi do të nisë më 1 shtator për një pjesë të nxënësve, dhe për një tjetër më 7 shtator, dhe për grupin e tretë më 10 shtator.

Mbeti e paqartë se çfarë arrihet me këtë nisje në faza, nëse brenda dy javësh të gjithë fëmijët do të jenë në shkolla, sikur që mbeti e paqartë se si do të sigurohet distanca fizike në klasë, dhe masat e tjera të mbrojtjes për fëmijët dhe mësimdhënësit. Por ministri tha se Qeveria ka plan, dhe kaq.

Por, pompoziteti qeveritar u mund nga arroganca sindikale.

Vetëm dy ditë më vonë, pesë ditë para nisjes së vitit shkollor, nën presionin e Sindikatës, Qeveria ndërroi mendje: morën vendim për të shtyrë nisjen e mësimit për dy javë.

Nuk janë kushtet - thanë.

Nuk shpjeguan se si do të përmbushen kushtet brenda dy jave, as si do të sigurohet distanca fizike e nevojshme nëpër klasa, që edhe para pandemisë ishin të stërngarkuara. (Kjo, sigurisht, vlen për shkollat në Prishtinë dhe në qytete të tjera të mëdha, se një numër jo i vogël shkollash nëpër fshatra, shpeshherë ndërtime të reja, nuk kanë problem me distancë, por kanë problem se nuk kanë nxënës – por ta lëmë këtë rrëfim për njëherë tjetër).

Tani, dëgjojmë zërat e sindikalistëve që sërish thonë se mësimi mund të shtyhet prapë. Dhe mund të shtyhet, sigurisht, sepse është e njëjta sindikatë që për paga të veta me grevë sakrifikoi gati gjysmë viti shkollor të fëmijëve, dhe pse të mos sakrifikojë edhe një gjysmë viti tjetër tani, nën pretekstin e mungesës së kushteve për mësim të sigurt.

Në mes janë drejtoritë komunale, që menaxhojnë shkollat nëpër komuna, të cilat më shumë reagojnë sipas diktatit politik partiak sesa që mendojnë për kualitetin e mësimdhënies apo për sigurinë dhe shëndetin e nxënësve apo të mësimdhënësve.

Ndërsa në këtë anën tjetër janë minj të laboratorit arsimor kosovar bashkë me prindërit e tyre.

* * *

E qartë është edhe se problemet në arsim nuk janë të prodhuara vetëm nga kjo qeveri, por janë pasojë e keqqeverisjes sistematike njëzetvjeçare – pjesë e së cilës kanë qenë vazhdimisht po këto parti që janë në pushtet, e edhe ato që janë në opozitë.

Po aq e qartë është se kjo qeveri dhe këta ministra, duke qenë vazhdues besnikë të mentalitetit të njëjtë qeverisës që ka prodhuar dështimet e njëpasnjëshme (kujto testet PISA apo edhe njohjen e drejtshkrimit nga një numër ministrash në të kaluarën) nuk është një që do të ndryshojë diç për të mirë. Më së shumti që mund të bëjë është të vazhdojë eksperimentimet me fëmijët tanë dhe ne, duke mbjellë edhe më shumë fara të dështimeve të së ardhmes.

Në anën tjetër, nuk mund ta dimë nëse situata do të ishte më mirë me atë Qeverinë e kaluar. Ndoshta po, ndoshta jo. Përgjigjen në këtë pyetje mbase mund ta japë ministrja aktuale e Financave, e cila në kabinetin e kaluar ishte ministre e Arsimit.

Por ajo që mbetet e qartë, e pamohueshme dhe e sigurt sot është se, fajin nuk e ka pandemia.

agronb@kohaditore.com