Vështrime

Me guxim dhe kureshtje drejt ardhmërisë

Orientimi funksionon vetëm kur një shoqëri, një popull e ka të qartë se në çfarë drejtimi dëshiron të shkojë. Dy dekada pas luftës, sivjet, në vitin 2020, në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, do të nisin të ndryshojnë rrënjësisht koordinatat e deritanishme politike. Një sistem që e rroku ndryshku ka filluar të shembet, role të reja do të ndahen, vlera të tjera do të jenë më të rëndësishme dhe vlera të harruara mund të ringjallen. Nëse ekziston vullnet i madh.

Çfarë i duhet sot Kosovës dhe botës shqiptare për të mirën e përgjithshme? I duhen e papritura pozitive, idetë vizionare, shikimi i qartë dhe besimi në të ardhmen - në një të ardhme ku gëzimi shihet në sytë e fëmijëve dhe mirënjohja në fytyrat e të moshuarave. I duhet botës shqiptare një moment i ri, një moment riçlirimi, ku prioritet janë ndërtimi i shtetit, funksionalizimi i administratës, modernizimi i bazave ligjore, zhvillimi i ekonomisë, shfrytëzimi i kujdesshëm i resurseve natyrore, përparimi në fushën e dijes. Për këtë duhen arkitektë politikë, jo shkatërrues.