OpEd

Në vend të forcimit Kosova po e dobëson shtetësinë e saj

Pse është normale që shteti i Serbisë të organizojë zgjedhje në territorin e Kosovës, duke e konsideruar territor të vetin? Pse është normale që Kosova të heqë tarifat, të heqë reciprocitetin dhe të premtojë se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e Serbia asgjë? Asgjë nga këto nuk është normale. Por as Kosova nuk është ende shtet normal. Edhe po të mos ishte rrëzuar Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje, as ajo nuk do të kishte pasur mundësi t’i ndalonte zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Por Qeveria së paku është dashur të thoshte se nuk pajtohet me zhvillimin e atyre zgjedhjeve, dhe “miqtë ndërkombëtarë” ta dinë se Kosova me vullnetin e vet nuk e vë në dyshim shtetësinë e saj. Më mirë të pranosh se je i pafuqishëm sesa të pajtohesh me mohimin e shtetësisë

Kanë kaluar shumë vjet prej kur Kosova kishte pranuar që emri i saj të shkruhej me asteriks dhe fusnotë. Në atë kohë kisha një debat me një diplomat evropian i cili i njeh jashtëzakonisht mirë Kosovën dhe rajonin, si dhe politikën e BE-së ndaj rajonit. Në fund, pasi në asnjë mënyrë nuk e pranoja se Kosova duhet të pajtohet me një gjë të tillë, e pyeta: “A do të kishte pranuar ti që emri i shtetit tënd të përmendet në mënyrë të tillë?”. Dhe ai u përgjigj: “JO. Unë sikur të isha në pozitën e një përfaqësuesi të Kosovës me siguri nuk do ta kisha pranuar me vullnet një gjë të tillë. Por unë tash jam në një pozitë nga e cila duhet të kërkoj nga Kosova që të pranojë një gjë të tillë”. Kjo është tipike për diplomatë të BE-së. Është tipike për secilin diplomat. Që të kërkojnë atë që është detyra e tyre e jo atë që ata mendojnë se është e drejtë apo jo, e mirë apo jo.

Në të njëjtën mënyrë tash Miroslav Lajçak, e besa edhe shefi i tij Josep Borrell thonë se “nuk është me rëndësi çfarë qëndrimesh kanë shtetet e tyre, sepse ata duhet të respektojnë politikat e BE-së”.

Sjellja e Kosovës nga shpallja e pavarësisë e deri tek Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se kjo shpallje nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare ishte drejt forcimit të shtetësisë. Prej atëherë, në vend që përpjekjet në atë drejtim të merrni hov, ndodhi e kundërta. Kosova hyri në dialog me Serbinë dhe këtu nisi degradimi i asaj shtetësie, e cila nuk ishte përmbyllur ende. Serbia arriti ta paraqesë dialogun si dëshmi se statusi i Kosovës nuk është çështje e zgjidhur. Madje përfaqësuesit e Serbisë thoshin se, po të ishte e mundur të zgjidhej “çështja” e Kosovës pa pajtimin e Serbisë, “shqiptarët nuk do të vinin në dialog”. Me BE-në pa qëndrim rreth statusit, apo me qëndrim “ neutral”, që në praktikë është qëndrim negativ, Serbia nuk e kishte të vështirë ta shfrytëzonte këtë dialog edhe për të penguar njohjet e reja të Kosovës, e madje edhe për t’i bindur disa shtete që ta tërheqin njohjen e saj. Shumë shtete që tërhoqën njohjen e bënë këtë duke thënë se “duan t’i japin shans dialogut në Bruksel”.

Edhe përfaqësuesi i tashëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ishte në mesin e atyre që mendonte, apo së paku thoshte se mendonte, se Kosova nuk duhej të kërkonte anëtarësim në organizatat ndërkombëtare pa pasur pajtimin e Serbisë për një gjë të tillë.

Prej kur ka nisur dialogu Serbia ka përfituar më shumë. Ka pasur më shumë mirëkuptim sesa Kosova. Dhe duke qenë palë e cila ka bërë më shumë lëshime, Kosova është bërë edhe palë ndaj së cilës janë bërë edhe më shumë trysni. Sa herë që Kosova ka pranuar diçka e Serbia jo, është kërkuar që të gjendet diçka e pranueshme për Serbinë, pra që Kosova të lëshojë pe edhe më shumë.

Kështu sot Kosova me fusnotë ka më pak njohje, nuk është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, dhe para disa ditësh është bërë edhe zyrtare se Kosova ka pranuar se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Pasi as presidenti Thaçi e as kryeministri Avdullah Hoti e as shefi i tij, Isa Mustafa, nuk e kanë demantuar, duhet pranuar si e vërtetë atë që ka thënë ambasadori Richard Grenell se Kosova ka pranuar që të mos kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka pranuar se “nuk do të bëjë fushatë kundër njohjes së Kosovës dhe tërheqjen e njohjeve”.

Nuk ka dyshim se edhe BE-së, sidomos të dërguarit të posaçëm për dialog, t’i pëlqejë pezullimi i aktiviteteve për t’i dhënë më shumë shans dialogut.

Por Kosova ka bërë gabim të madh duke e vënë në të njëjtin nivel anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare me fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve. Sidomos kur Serbia e ka pasur dialogun si argument kryesor në fushatën e saj. Kur Beogradi tha se “nuk ka dialog pa u hequr taksat”, kjo menjëherë u kuptua si kusht i qartë nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe nuk pati as një tentim të vetëm ndaj Beogradit që të kthehet në dialog. E tërë trysnia u bë ndaj Kosovës. Dhe kur Kosova hoqi tarifat nisi trysnia për heqjen e reciprocitetit. E pastaj edhe u kërkua që të mos aplikojë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. E tash Kosova përsëri po lejon zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, të mbikëqyrura nga një organizatë në të cilën Kosova nuk është anëtare, nga OSBE-ja.

Të gjithë tash mundohen ta paraqesin këtë situatë si normale. Thonë se “serbët në Kosovë kanë dyshtetësi dhe mund të mblidhen votat e tyre”. Por serbë me dyshtetësi ka edhe në shtetet e tjera, madje edhe më shumë sesa në Kosovë, dhe në to nuk zhvillohen zgjedhjet e Serbisë. Kroacia do të ketë zgjedhje pa dy javësh. E në to do të votojë edhe diaspora kroate. Edhe ata që kanë dyshtetësi. Por votat e tyre do të mblidhen nëpër ambasada dhe në përfaqësi konsullore të Kroacisë e jo në ndonjë pjesë ku Kroacia e konsideron si pjesë të territorit të saj, nëse ato nuk janë, por janë në ndonjë shtet tjetër.

Normale do të ishte sikur Serbia t’i organizonte votimet e serbëve në Kosovë në ambasadë apo në konsullatë, apo së paku në Zyrën Ndërlidhëse të cilën e ka në Prishtinë. Por këtë nuk e bën. Sepse Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj. Dhe zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë e sheh si dëshmi për këtë. Prandaj Kosova nuk është dashur të pajtohej me zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

Pse është normale që shteti i Serbisë të organizojë zgjedhje në territorin e Kosovës, duke e konsideruar territor të vetin? Pse është normale që Kosova të heqë tarifat, të heqë reciprocitetin dhe të premtojë se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e Serbia asgjë? Asgjë nga kjo nuk është normale. Por as Kosova nuk është ende shtet normal. Edhe po të mos ishte rrëzuar Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje, as ajo nuk do të kishte pasur mundësi t’i ndalonte zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Por Qeveria së paku është dashur të thoshte se nuk pajtohet me zhvillimin e atyre zgjedhjeve dhe “miqtë ndërkombëtarë” ta dinë se Kosova me vullnetin e vet nuk e vë në dyshim shtetësinë e saj. Më mirë të pranosh se je i pafuqishëm sesa të pajtohesh me mohimin e shtetësisë.

Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë një ditë do të bëhet normale që Kosova të jetë “edhe e pavarur”, por edhe “pjesë e Serbisë”. Edhe të jetë e edhe të mos jetë shtet. Ndoshta mund të kuptojmë se BE-ja mund të ketë “qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”, por Kosova kurrsesi nuk duhet të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të vetvetes. Kryeministri i Kosovës do të mund ta arsyetonte një qëndrim të tillë duke thënë se është në përputhje me “praktikat e deritashme”.