OpEd

Diktatura e diktatit

Ne shqiptarët karakterizohemi nga një ngjashmëri aq e madhe, saqë do të duhej të ishte frikësuese sot. Ne kemi shumë më shumë gjëra të përbashkëta sesa dallime, edhe pse në sy të parë duket e kundërta. Ngjashmëria jonë arrin kulmin veçmas kur jemi kundërshtarë.

Atëherë luftojmë me të njëjtat strategji, me të njëjtën logjikë, me të njëjtat fjalë. Përdorim saktësisht të njëjtat mjete. Ky lloj uniformizmi ynë që shpërfaqet masivisht në rrjetet sociale sa herë na duket sikur ndodh diçka e madhe, kjo duhej të na shtynte të mendonim.

Kur u mbyllën shkollat, më bëri përshtypje një status i një kolegu të ri në moshë, i cili u kërkonte studentëve një lloj faljeje që tani do t’i duhej të përdorte power point në ligjërata, do t’i duhej të zbriste me dhimbje nga katedra e tij klasike. E lexova edhe një herë statusin. E kisha kuptuar mirë. Në mendjen time u shfaq profesori i ri që fliste për dy orë në tabelë. Studentët teksa e shihnin të mrekulluar. Pas këtij imazhi m’u rreshtuan edhe plot profesorë të tjerë që u diktojnë me pasion studentëve koncepte të rëndësishme. Pastaj m’u kujtua dora ime e mpirë nga banka e fundit, shënimet me të cilat kaloja pastaj një ditë tjetër për t’i deshifruar. Shënimet e reja që u zinin vendin të vjetrave dhe një kaos që e shikoja të kishte lindur mu nga dora ime. Çfarë dreqi kisha shkruar?

Te kthehemi te koha jonë. Profesorët klasikë vazhdojnë të refuzojnë me dinjitet të zbresin nga katedrat që i kanë ndërtuar me shumë mund e djersë, me net pa gjumë mbi libra të trashë. Më takoi të punoja me njërin prej tyre. E hapa me nostalgjinë e studentit që kishte kaluar net pa rrymë mbi atë libër klasik. Të gjitha shënimet e mia kishin mbetur të freskëta. U emocionova. Fillova të përgatisja planprogramin. Rendita lakimet, zgjedhimet, kohët, mënyrat, parafjalët, lidhëzat, fjalitë, buzët, sytë, veshët. Ah, jo, këto të fundit nuk ishin njësi gramatikore, ishin imazhet e studentëve të mi ndërsa ishin të detyruar të më dëgjonin teksa u shpjegoja një gjuhë të vdekur. E pashë veten të thinjur para tyre, të plakur, të rrjedhur. Kisha mbetur në kohën time. Ata jetonin në një kohë tjetër. E lashë mënjanë librin. Nuk mund ta përdorja.

Pse duhen mësuar gjuhët klasike? Në një takim me studentët Umberto Econ kujton: “Unë kisha një profesor të latinishtes që i adhuronte aq shumë veprat e klasikëve, saqë na lexonte çdo herë pjesë të tyre sikur të provonte mjaltë dhe ne, përveçse të shikonim spektaklin e orgazmës së tij, nuk kuptonim asgjë tjetër”. Shkolla është organizuar në mënyrë të tillë për të urryer klasikët, dhe kjo nuk varet nga aftësia e profesorëve, thoshte Eco, ndërsa unë do të thosha se shkolla, ashtu si është sot, është organizuar për të urryer gjithë dijen, dhe kjo varet mbi të gjitha nga profesorët.

Hidhuni një sy shkollave sot. A nuk janë po ato ndërtesa të mbyllura? Pa ballkone? A nuk janë po ato banka druri të rreshtuara njëra pas tjetrës përpara një tabele të madhe? Në këtë kohë ku çdo gjë ka evoluuar, shkolla ka mbetur e njëjta, e palëvizshme. A është e mundur që institucioni që prodhon dijen për kohën e sotme e të së ardhmes të operojë stoikisht me mjetet e vjetra? Që këtu ka shumëçka që nuk shkon, ka kohë që e kemi kuptuar, por nuk kemi bërë asgjë ta lëviznim nga vendi.

Ra pandemia e u shkundëm. Plot profesorë e prindër kaluan në panik. E tani çka? Si ta përdor atë mjetin e tmerrshëm që ma shkurton dy orë diktim të këndshëm në një faqe e gjysmë word? Edhe më keq, në dy paragrafë power point? Si do ta mbajmë mësimin? Ku do ta gjejmë materialin? Ne të tjerët iu futëm internetit me ç’të na ofronte. U gjetëm në tokën e askujt.

Jo rastësisht Shqipëria ishte e para që kërkoi ndihmë teknike për mësimdhënie në distancë. Kosova ashtu si dhe Bosnja shfrytëzuan televizionin publik, një tabelë të zezë, një mësuese me një shkop në dorë dhe gjithë audienca e heshtur. Jemi në luftë dhe lufta nuk njeh salltanet.

Ne jemi vende të varfra dhe shumë gjëra mund të arsyetohen. Në një situatë të tillë paniku u gjendën edhe plot prindër italianë, të cilët i kishin besuar verbërisht arsimit publik. Nëse te një pjesë e tyre faktorët ekonomikë nuk ishin justifikim, arsye ishin prioritetet. Njerëzit kanë prioritete të ndryshme, por shtetet kanë detyrë të orientojnë institucionet dhe nuk ka, dhe as mund të ketë prioritet më të madh sesa arsimi. Këtë edhe Enver Hoxha në injorancën e vet e kishte kuptuar, ndaj, së pari, në emër të luftës kundër analfabetizmit krijoi një shkollë që të ndërtonte me sukses njeriun që iu desh. Në faqen e parë të çdo libri fliste Nëna Parti. Pasojat po shihen.

Kosova nuk qëndron më mirë, madje ka marrë shuplaka të mëdha në këtë drejtim, por asnjëra duket se nuk ia ka lënë shenjë. Te ne gjërat e mëdha nuk ndodhin, ato duken sikur ndodhin në mijëra statuse motra facebooku a twitteri, të cilat për pak orë harrohen, gjëra të tjera të mëdha do t’ua zënë vendin të vjetrave. Mijëra statuse të tjera do të prodhohen brenda pak sekondash, të cilat do të na fusin në kornizat e tyre uniforme, duke na dhënë përshtypjen se po jetojmë në të njëjtën shtëpi, me të njëjtat mobilie, me të njëjtën renditje, ku hamë të njëjtin ushqim, pa e vërejtur se koha jashtë kalon.

Por koha nuk kalon për të gjithë. Profesori i nderuar vazhdon të diktojë edhe sot nga telefoni e studentët shkruajnë derisa të mpihen. Ky diktat i mësimdhënies, që e kufizon studentin vetëm në fjalën hyjnore të profesorit, është forma më perfide e diktaturës me të cilën indoktrinohen brezat që nuk do dallojnë nga njëri-tjetri. Breza që do të përsëriten si faqet e fletoreve të vjetra. Ata që do t’i thyejnë rregullat duke kërkuar më shumë do t’i drejtohen rrjetit, duke mbetur lypsa dijesh në tokën e askujt.