OpEd

Albini është i papërsosur, por edhe i hershëm për ne

Të jesh atdhedashës kam mësuar nga të diturit, nuk është e nevojshme të jesh partiak. Përkundrazi dhe mjerisht, lidhja me parti politike në Kosove krijon konotacione të kundërta, dhe bëhet për të dëshmuar patriotizëm të një lloji ose tjetër, shpesh të rrejshëm. Për këtë arsye, më primare se të jesh partiak, për qytetarët (e deputetë) është të posedosh ndërgjegje e përgjegjësi personale e qytetare, pastaj edhe ideologjike e partiake. Pa të parat, të dytat vihen në shërbim të vetes e të çdokujt. Të hënën e kaluar, deputetët e Kosovës treguan së pari se kush janë si individë. Në Kuvend, të hënën që shkoi, u pa qartë se cilët deputetë ishin në shërbim të popullit, e cilët në shërbim të politikave partiake. Të hënën e kaluar, deputetët e Kosovës dëshmuan se këto të dyja qëndrojnë në kundërshtim me njëra-tjetrën

Mendimin personal për Albinin, tash që çdonjëri e posedon një, po aq sa të parëndësishëm, e kam jopartiak. Por si çdo mendim tjetër e mbaj të rëndësishëm vetëm për aq sa lidhet me të përgjithshmen. Së paku dy merita mban Albini në kontributin e së përgjithshmes kosovare, që nuk është lehtë të mohohen as nga ata që vendosmërisht merren me mohime meritash të Albinit, por as nuk duhet keqpërdorur nga ata që tentojnë ta shndërrojnë Albinin në profet. E para, është merita e kthimit te besimi në ekzistencën e liderit të pakorruptuar. E dyta, dhe më e rëndësishmja është kthimi i besimit në vetëdijesimin e popullit që kërkon ndryshime.

Kosova një herë e lodhur nga lufta, e tashmë e lodhur edhe nga paslufta, pati liderë të shumtë, nga parti të ndryshme. Asnjë i përsosur, disa larg nga përsosmëria. Populli iu dha besimin, pastaj u besoi përsëri. Më pastaj u zhgënjye dhe qëndroi siç ishte mësuar, duke pritur e shpresuar në udhëheqje më të denjë në shpëtim nga të huajt. Gjithë kjo, derisa vidhej nga brenda nga të vetët, e shtrydhej nga jashtë nga të huajt. Korrupsioni i liderëve politikë u bë me kohë, për popullin e Kosovës një natyralitet i të qenit ne pushtet dhe si i tillë nuk luftohej dot.

Në tetor të vitit të kaluar, të stërlodhur e të dëshpëruar nga klanet e korrupsioni, populli e votoi ndryshimin. Votat i kishim të ndara, si dhe vetë mendjen që po mundohej mos me u ble me premtime të rrejshme. Dhe, pak më shumë se gjithkujt, në tetor, i besuam Albinit. Ia besuam qeverisjen një lideri tjetër. Albini ishte tjetër. Ia pëlqyem thellësinë e mendimit, oratorinë e fjalës, pasurinë e njohurive dhe fakteve, transparencën e planeve, çiltërsisë e principeve, determinimin dhe përkushtimin e sprovuar ndaj njerëzve të Republikës.

Qe nga opozita dhe pastaj në pozitë, Albini na e tronditi arsyetimin tashmë të natyrshëm të korrupsionit ndaj atyre që po i “shërbenin” Kosovës. Na tregoi që lideri mund të jetë edhe i pakorruptuar. Më e rëndësishmja, por edhe më e trishta na tregoi se në Kosovë një lider i pakorruptuar mund të zgjasë plot 50 ditë!!!! Kush priti më shumë, u zhgënjye keq. Shumë u dëshpëruan në ata që e hoqën Albinin, të tjerët në vetë Albinin. Ata që e hoqën, kishin arsyet e veta. Po të mos hiqej Albini, do të ndiqeshin të korruptuarit. Do t’iu hiqeshin maskat. Nuk ndryshohej një pushtet plot maska nga Albini. Por ditët në Qeverinë Kurti, që nga fillimi, po paralajmëronin dhe dëshmonin ndryshime. Dhe maskat, për të mbetur me çdo kusht në pushtet, i shtuan edhe maskat mbrojtëse të COVID-19, dhe shfaqën mosbesim në Albinin. Si mund t’i besohet atij që po bënte ndryshime? Ndryshim i madh i yti nga ne, i thanë, është antiamerikanizmi. Dhe kështu ia vari në qafë Isa Albinit antiamerikanizmin e shpifur. Antiamerikanizmi i Albinit, edhe pse i shpifur, u bë shumë më i rrezikshëm se virusi global i verifikuar. Si i tillë duhej eliminuar para virusit. Populli e do Amerikën. E Amerika e egos së Trumpit nuk duron dot mospajtime. Nuk duron as veprime logjike. Do vendime të shpejta, të pashqyrtuara, zgjidhje magjike të situatave, nuk është me rëndësi a bëhet kjo për të mirë apo për të keq. Dhe në qëllimet e mjetet e atyre që flasin në emër të Amerikës mike, e edhe asaj të Trumpit, nuk duhet dyshuar asnjëherë, tha Isa. Të tilla qëndrime e veprime kërkonte Isa edhe nga Albini. Albini pritej të kompromitonte. Të kompromitonte vazhdimisht. Në çdo hap. Me çdo veprim. Sa e hapte gojën Albini, e kërkonte kompromisin Isa.

Asnjë vendim nuk mund ta kishte të vetin kryeministri. Posaçërisht mburrjen dhe kokëfortësinë. Po atë mburrje, të cilën e la prapa kur iu lut LDK-së për koalicion, jo pse e kishte të zgjedhur, por faktikisht të detyruar këtë koalicion. Kompromis ishte ky. E bëri Albini. E priti gjatë Isën edhe për pajtim. Kompromitoi prapë. E shmangu kokëfortësinë edhe kur e ndërroi vendimin e ngutshëm për kryeparlamentar. E vuri Vjosën ku duhej, edhe pse pozita e ministres së Punëve të Jashtme që dukej do t’ia dhuronte, do t’i shkonte po ashtu. Kompromis bëri Albini edhe kur iu nënshtrua presionit të Isës ndaj tij për t’u marrë me Serbinë e tarifat në vend të marrjes me Kosovën. Tarifat i turbullojnë punët, marrja me Kosovën kërkonte rrëzim maskash e shpalim korrupsionesh. Sa më turbullt, aq më mirë. E mposhti edhe kryeneçësinë e shpifur antiamerikane Albini, kur doli e tha se nuk ishte antiamerikan nëse mençurisht nuk ngutej të bënte pazare me grenellat e Trumpit. Ata që u zhgënjyen në Albinin mbetën edhe më të humbur. Për çka po zhgënjeheshin? Ngaqë Albini nuk i kompromitoi principet? Ngaqë nuk diti me ju ik grackave? Ngaqë nuk diti me e lujtë lojën e hienave të politikanëve kosovarë? Ngaqë fliste haptas e pa pardon kur kishte të drejtë? Për çka do të mund të fajësohej? Duhej të fajësohej për diçka, patjetër. Mbase pse donte të qeveriste ndryshe nga ata që kishin dështuar vetë, dhe e mësonin si të qeveriste ai tash.

Ata që veprojnë ndryshe nga të tjerët janë ose të marrë, ose guximtarë. Ndonjëherë, janë që të dyja. Albini është thjesht i parakohshëm me guximin për të qeverisur ndryshe. Kjo mund të interpretohet edhe si marrëzi e tij. I tillë është Albini në politikën kosovare, të cilën analistë të huaj e përshkruan si politikë freskuese, premtuese për Kosovë e për Ballkan. Por, të qenit i parakohshëm nuk është faji i Albinit. Është faji ynë, i qytetarëve, që si viktimat e bashkëshortësive keqtrajtuese, më parë e pranojmë të keqën që e njohim se një ndryshim që mund të na lirojë nga kjo e keqe. Me Albinin populli e votoi ndryshimin. Me rrëzimin e Qeverisë së tij, deputetët që duhej dëgjuar popullin e lodhur e të lidhur pas grillave të ballkoneve me lugë e tenxhere, e ngrenë dorën kundër ndryshimit. E ngrenë dorën kundër popullit dhe dëshirës se tij.

Në tetor të vitit të kaluar, populli e zgjodhi Albinin. Në mars të këtij viti plot viruse, deputetët e Kosovës ia vodhën popullit të drejtën për t’u qeverisur nga ai që e kishin zgjedhur për ta sprovuar. Deputetët e popullit na thanë, populli nuk di. Ne partiaket dimë më mirë. Më e vështira pasoi: Besimin që zgjedhja e Albinit na e solli në vetëdijesimin e popullit, deputetët e thyen. Na e lëkundën besimin në vetë popullin.

Tash, me qeveri e moral të rënë, populli mendohet, shpreson të bëhet mirë prapë, disi. Dikush do të duhej të na e zgjidhte çështjen. Ja Isa, ja Hashimi. Ja Trumpi. Kah të drejtohet i vuajturi popull i Kosovës tash, kur korona e rrezikon planetin, e politika klanore, jopopullore, e rrezikon Kosovën? Atyre që ua kishim besuar votën e shtetin, e rrëzuan shtetin. Ata që duhej luftuar angazhimin e Serbisë në mosnjohjen e shtetit tonë, u angazhuan në rrëzimin e vetë shtetit.

Planeti do ta mbijetojë virusin. Amerika do ta mbijetojë Trumpin. Por Kosova mund të mbijetojë vetëm me një ngritje të shpejtë, urgjente të vetëdijes së popullit. Një ngritje urgjente e vetëdijes së popullit që e vë politikën në shërbim të vetin, jo të politikanëve, është e domosdoshme. Situata e krijuar në Qeverinë e Kosovës po aq sa e komplikuar, e ka mundësinë ta ndihmojë po këtë domosdoshmëri. Ky mund të jetë rezultat i paparaparë i atyre që i nënvlerësojnë fuqinë e dëshirën popullit dhe në kohërat më të vështira përfitojnë nga dobësia e tij. Kthimi i situatës në duart e popullit është e vetmja zgjidhje e mundshme për Kosovën. Çdo veprim për ta penguar këtë kthim do të jetë një tjetër manipulim politik i atyre që vazhdojnë t’i shërbejnë vetes e partive në emër të popullit, por jo popullit e dëshirës për ndryshime. Vetëm në popull e në ndryshime nuk duhet humbur besimin asnjëherë. Nëse ideja e ndryshimit është lakmuese dhe aspiratë e vetëm disave, atëherë si popull nuk jemi të gatshëm për ndryshim kolektiv. Nuk jemi të gatshëm as për Albinin. Ky nuk është faji i tij. Përgjegjësinë e mbajmë gjithnjë vetë. Kosova mbetet në dorën tonë. Ajo nuk mund të ndryshojë as të mbijetoje pa dëshirën e popullit. Herën tjetër mbase mësohemi të gjykojmë mbarë, kur thirremi ta ngremë dorën kundër saj e kundër ndryshimit.