OpEd

UÇK + LDK e arritën çlirimin, PDK + LDK pavarësinë, LVV + LDK njohjen ndërkombëtare?

Si ndihmoi futja e forcave politike e ushtarake “në sistem” që të arrihen liria, pavarësia dhe (ndoshta!) njohja ndërkombëtare?

PA U BASHKUAR Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pati mundësi të arrihej kompromisi për Marrëveshjen e Rambouilletsë, e cila i hapi rrugë lirisë së Kosovës.

Pa u bërë bashkë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të mund të bëhej kompromisi për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Pa u bërë bashkë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të arrihet kompromisi për rrumbullakimin e pavarësisë dhe njohjen nga Serbia.

Në një narracion të përthjeshtësuar, ky do të ishte rrëfimi për rrugën e Kosovës për liri e sovranitet.

Në të tria rastet, flitet për konsensus brenda spektrit politik shqiptar për t’i shtyrë proceset përpara.

Të mos harrohet, për të fituar lirinë u bë kompromis me betimin e UÇK-së për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe u mjaftua me të drejtën e referendumit për shprehje të vullnetit të popullit, siç e parashihte dokumenti i Rambouilletsë.

Shpallja e pavarësisë u mundësua me kompromisin e pranuar nga pala shqiptare të provizioneve të Pakos së Ahtisaarit për diskriminim pozitiv ndaj pakicave, shumicë të dyfishtë parlamentare, decentralizim në baza etnike, simbole shtetërore neutrale, mbikëqyrje ndërkombëtare etj.

Edhe tash po insistohet në unitet të klasës politike shqiptare në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

LAJM I MIRË me udhëheqjen e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti është se tashmë është bërë “institucionalizimi” i tërësishëm i spektrit politik kosovar. Opozita më e fuqishme e qasjes ndaj dialogut me Serbinë dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar tashmë udhëheq me Kosovën, në tandem me partinë më të vjetër dhe me më së shumti përvojë, LDK-në.

Me edhe një paralele me hapat e mëdhenj të së kaluarës së rishtme, u nevojit që UÇK-ja të futej në sistem për Rambouillet, u nevojit që PDK-ja të futej në sistem për Ahtisaarin dhe u nevojit që LVV-ja të futet në sistem për “çlirimin e Serbisë nga Kosova” (sic!).

Vëzhguesit e vëmendshëm e kujtojnë kohën kur Thaçi dhe PDK-ja me ashpërsi e kishin kundërshtuar Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut, kurse pastaj u pajtuan me një Kushtetutë të dalë nga Pakoja e Ahtisaarit; Thaçi, i cili deklaronte se nuk e jep flamurin për shtet dhe njerëzit e tij e digjnin flamurin dardan të Ibrahim Rugovës, e “dizajnoi” një flamur kompromisi, bashkë me simbolet e tjera, dhe me mburrje ua prezantoi qytetarëve.

Para zgjedhjeve të 2007-s, Thaçi, i zbutur, herë privatisht e herë edhe publikisht, deklaronte se ai bën “amin për gjithçka që do t’i thotë SHBA-ja”. Dhe nuk u tregua i gabuar. Zyrat e atëhershme ndërkombëtare në Prishtinë e kishin kuptuar se ndryshimet e mëdha në Kosovë nuk do të ishin të mundura me një PDK “ekstremiste” në opozitë, kurse edhe Thaçi e kishte kuptuar se rruga drejt pushtetit do të ishte “puthja e dorës”.

Rezultati: për të shmangur komplikimet PDK-ja dhe LDK-ja duhej të ishin bashkë në pushtet. Në fund, të gjithë dolën fitues – humbës nuk pati.

Përveç Kurtit dhe Vetëvendosjes që po protestonte në rrugë.

SOT JANË NDËRRUAR pozitat. Vetëvendosja “ekstremiste” është në pushtet dhe PDK-ja liberale në opozitë. Veçse edhe kësaj radhe i ka skaduar afati nocionit “ekstremiste”.

Kryeministri Kurti po lëviz me shpejtësi mbase të paparashikueshme drejt bindjes së secilit skeptik se do të jetë burrështetas i pjekur, i arsyeshëm dhe me vizion. Nuk iu deshën më shumë se 10 ditë në udhëheqje të Qeverisë për të treguar qartë se prioriteti i tij është mirëqenia e qytetarëve të Kosovës dhe rrumbullakimi i procesit të pavarësisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, dhe se nuk e ka ndërmend të merret me simbolikat e ngjyrave të flamurit ose nderimit të varrit të presidentit Rugova. Ai i mbylli kapakët e këtyre kutive brenda pak ditësh, për të treguar se punë më të mëdha e presin përpara.

Me një qetësi admiruese kryeministri i ri ia zgjati menjëherë dorën e pajtimit presidentit Thaçi, Veselit, Haradinajt dhe Limajt, me qëllim të ndërtimit të konsensusit në politikën e jashtme të Kosovës, sidomos në raport me marrëveshjen me Serbinë.

Tash nuk ka mbetur asnjë forcë serioze politike jashtë sistemit, e cila do të mund të minonte konsensusin shqiptar për temat e mëdha. Dhe, natyrshëm, secila parti politike mund të vazhdojë t’i ketë nuancat e veta në proces, por nuk ekziston më askush i cili nuk beson se procesi i rrumbullakimit të pavarësisë duhet të kalojë kah Washingtoni, e pastaj edhe Berlini, Londra e Parisi.

ME NJË ZHVILLIM të këtillë të ngjarjeve në Kosovë, tapohet edhe një vrimë që lëshonte ujë në procesin drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Edhe në anën tjetër, në Serbi, pritet ta rifitojë legjitimitetin politik Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit, në zgjedhjet e pranverës. Në këtë mënyrë, edhe në Prishtinë, edhe në Beograd, krijohet hapësira për të lëvizur me hapa të vendosur drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

Me angazhimin personal të presidentit Trump, nëpërmjet të të dërguarit të tij, ambasadorit Grenell, tashmë janë bërë hapat e parë që sinjalizojnë se synohet një ujdi e shpejtë, me njohje reciproke.

A do të arrihet ose jo, ose edhe më saktë, a do të shfrytëzohet kjo mundësi ose jo, gjithsesi do të dihet para së martës së parë të nëntorit, kur qytetarët amerikanë do t’u drejtohen kutive të votimeve për të treguar se a e dëshirojnë Donald Trumpin ende në Shtëpinë e Bardhë.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk