Kërkimfalja

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 09 February 2020 08:04

Dy kërkesa, që kushtëzojnë dhe përjashtojnë njëra-tjetrën, i janë shtruar Albin Kurtit, në javën e parë të marrjes nën menaxhim të Qeverisë.

Ndërkombëtarët po i kërkojnë Albin Kurtit që Kosova t’i rikthehet dialogut me Serbinë, e liderët e partive, tash opozitare, që ta mbajë në fuqi taksën 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Të parët, nga këndvështrimi i tyre, kanë arsye objektive. Duan që të hiqen barrierat dhe t’i hapet rrugë procesit të ngelur, për dikë në gjysmë e për dikë në fillim, dhe ta shtyjnë përpara atë që quhet paqe e qëndrueshme dhe integrim i Ballkanit Perëndimor. SHBA-ja dhe BE-ja kanë në qendër të strategjisë së tyre agjendave globale dhe një vatër krize më pak sidomos në Evropë, është lehtësim për to.

Ndryshe nga partnerët ndërkombëtarë, liderët e Kosovës, kanë agjenda lokale, disa edhe personale.

Kurti e ka të lehtë t’u përgjigjet të dyja palëve.

Ndërkombëtarëve t’ua vërë para një listë kërkesash parimore që duhet përmbush Serbia para se të nisin bisedimet, përfshirë ato që ai ka përmendur në ekspozenë e shkurtër të programit qeverisës.

Partive të opozitës t’ua shtrojë një kusht - që para se të japin këshilla e t’i shkruajnë letra të hapura për “taksën”, t’u kërkojnë falje publike qytetarëve për çfarë u kanë bërë atyre dhe vendit, sidomos në dy vjet e gjysmë qeverisje të PAN-it.

Që në fillim të çdo seance të Kuvendit, ashtu sikur jepet betimi, në kor, deputetët e partive që përbënin PAN-in të deklarohen se janë fajtorë për krizën politike, për krizën ekonomike, për dëshpërimin qytetar, për vjedhje dhe zhvatje të të mirave publike, për nepotizëm, për krim të organizuar e për kapje të institucioneve. Të pranojnë se kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë, se kanë shkatërruar sistemin e arsimit e të shëndetësisë. Se janë fajtorë që qindra mijëra qytetarë janë të papunë e të varfër, e që qindra mijëra kanë braktisur vendin që mezi mbërrin në 1.5 milionë banorë.

Ta pranojnë se kanë ulur në nivelin më të ulët përfaqësimin diplomatik duke rekrutuar njerëz joprofesionistë e pa integritet, ashtu si kanë bërë në institucionet qendrore e lokale të pushtetit, ashtu si kanë bërë me PTK-në, KEK-un dhe me ndërmarrjet e tjera publike, ashtu si kanë bërë edhe me agjencitë e pavarura.

Liderët e opozitës duhet ta pranojnë çdo herë para se të japin “këshilla” për Qeverinë e re se viteve të fundit e kanë humbur betejën politike me Serbinë, ndaj asaj që janë mburrur se e kanë fituar luftën. Se ajo për këtë kohë ka ecur me kilometra drejt Evropës, se ka rritur besimin tek investitorët e huaj, se ka fituar respektin edhe të vendeve që i kemi konsideruar aleatë tanë. Dhe se Kosova, po me kilometra, ka lëvizur në drejtimin e kundërt, se ka dështuar të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare, që ka humbur mbi 10 njohje e s’e ka siguruar asnjë. T’u kërkojnë falje nxënësve, studentëve dhe ekspertëve që Kosova është përjashtuar nga dy institucione evropiane për arsimin e lartë dhe që për pasojë qasja e tyre në studime ndërkombëtare bëhet më e vështirë.

Se kanë dështuar të zhvillojmë ekonominë – deficiti tregtar tash arrin gati në 3 miliardë, që qytetarët në vitin 2019 për të njëjtin mall të importuar kanë paguar gati 100 milionë euro më shumë. Që në vend të qasjes së prodhimeve tona në tregjet ndërkombëtare Kosova është rritur si “tezgë” ku të tjerët shkarkojnë “mbetjet” e tyre. Pra, që “taksa” është përdorur vetëm si jorgan për të mbuluar dështimet.

Qeveria Kurti, jo vetem në vitin e parë të mandatit, do të duhej ta ketë prioritet këtë kauzë – ta demaskojë edhe më tej këtë strukturë politike, ta sfidojë paditurinë dhe pangopësinë e tyre dhe ta shtyjë drejt një korrigjimi – nëse është i mundur, të përafërt me reflektimin që LDK-ja duket se ka bërë gjatë dy vjetëve opozitë.

Pra Qeveria Kurti duhet ta kthejë pushtetin real që edhe duke qenë në opozitë e kontrollojnë partitë e PAN-it. Pa e fituar këtë betejë është i vështirë realizimi i programit ekonomik. Të vështira janë edhe reformat në drejtësi, në arsim e shëndetësi.

Në shoqërinë ku korrupsioni nuk është individual, por i strukturuar, ku asetet publike janë nën kontroll të grupeve të fuqishme të interesit, ku ndërhyrja politike dhe ekzekutivit ka kufizime kushtetuese, është fare e arsyeshme që të vihet në dyshim realizimi i disa prej premtimeve që janë dhënë para e pas zgjedhjeve, janë dhënë edhe në ditën e votimit të kabinetit të ri qeveritar.

Qeveria Kurti, para se të kujdeset për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duhet të rikthejë besimin e humbur në institucione. Ta kuptojë se shumë prej tyre nuk kanë pritje të mëdha – ata tashmë janë mësuar të ecin vetë, të projektojnë e ndërtojnë të ardhmen ndaras nga ato që mund të quhen zhvillime shoqërore. Kultivimi i vetiniciativës nuk është zgjedhje e dëshiruar, është përjashtim i dhunshëm nga sistemi.

Në Kosovë ende ka shumë qytetarë, mbase me përqindje që kalon 50- përqindëshin që nuk e ka ndier mjaftueshëm praninë e shtetit, as me mbështetje e as me shërbime – pra se suksesi i tyre nuk është produkt institucional.

Kryeministri i ri dhe bashkëpunëtorët e tij duhet ta dinë se qytetari i Kosovës, jo ai që shkon zvarrë, që jargavet pas liderëve historikë e parahistorikë, që shitet e blihet..., por ai me integritet, nuk fal. Është ai që i ka dhënë shansin ndryshimit, për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. U ka dhënë shansin dy subjekteve që të tregojnë përgjegjësi e profesionalizëm në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, në menaxhimin e burimeve ekonomike dhe në organizimin e institucioneve publike.

Ndërsa shteti i Kosovës po i vuan pasojat e keqqeverisjes së deritashme dhe skandalet e opozitës së tashme janë ende kryelajm, Qeverisë Kurti duhet t’ia kujtojmë se nuk jeni krejtësisht produkt i premtimeve të VV-së e LDK-së. Se jeni më shumë rezultat i keqqeverisjes së Qeverisë Haradinaj dhe i dëshpërimit të madh të qytetarëve. Ju e keni pasur të sigurt fitoren edhe pa fushatë, edhe pa program. Dhe, meqë ishit alternativa e vetme për ndryshim, kjo ju bën përgjegjës më shumë se të gjithë të tjerët para jush.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi