E vërteta dhe ne

Agron Bajrami Agron Bajrami 01 January 2020 13:37

Jetojmë në një kohë kur gati gjithçka është shndërruar në çështje interpretimi, opinioni ia ka zënë vendin faktit, ndërsa e vërteta po bëhet jorelevante, e injorueshme…

Gazetaria dikur definohej si kërkim i së vërtetës dhe raportim i saj. Që njerëzit të informohen saktë dhe me kohë se çfarë ndodh, ashtu që të jenë në gjendje të marrin vendime të duhura me kohë. Kjo rëndom kishte kuptimin që në kohë zgjedhjesh të dinë të dallojnë politikanët që nuk i realizojnë premtimet, të përfshihen aktivisht në jetën publike ashtu që të ndryshojnë gjërat që nuk janë mirë, dhe të mbrojnë ato që janë. Të protestojnë aty ku duhet, të ndihmojnë aty ku munden, të angazhohen për gjërat që janë me rëndësi.

Kjo ishte dikur, por nuk është më. Së paku, jo në masën më të madhe.

Tani jetojmë në një kohë kur gati gjithçka është shndërruar në çështje interpretimi, opinioni ia ka zënë vendin faktit, ndërsa e vërteta po bëhet jorelevante, e injorueshme. Jetojmë në epokën e dominimit të portaleve dhe rrjeteve sociale, kur një individ me njohuri bazike teknologjike, një kompjuter në shtëpi a një telefon të mençur në dorë, dhe vetëbesimin e madh - mund ta ketë fuqinë e një magnati medial.

Jetojmë, pra, në kohën të cilën shumë vite më parë e pati paralajmëruar Umberto Eco, kur tha se mediat sociale do t’u japin të drejtën për të folur “legjioneve të idiotëve, të cilët kohë më parë flisnin vetëm nëpër bare, pas një gote vere, pa e dëmtuar komunitetin… por tani ata e kanë të njëjtën të drejtë për të folur sikur një fitues i Çmimit Nobel”.

Do të jetë një invazion idiotësh!, paralajmëroi Eco.

Dhe, kishte të drejtë…

* * *

Jemi në një kohë kur përpjekja për të arritur deri tek e vërteta e fshehur qeveritare, për të demaskuar një keqpërdorim të parasë publike a një manipulim politik, po bëhet e kushtueshme, ndërsa tregtimi me lajme triviale, del të jetë ndërmarrje shumë më profitabile.

Por është, po ashtu, kohë kur në Kosovë e vërteta e provuar me fakte nuk është më aq lehtë e kuptueshme për një pjesë të madhe të publikut, mbase një shumicë. Disa duan të besojnë se gjërat janë ashtu si u pëlqejnë të jenë, dhe disa të tjerë i shohin gjërat ashtu si u thotë dikush se duhet t’i shohin.

Ndryshe, si t’ia shpjegojmë vetes se vazhdojmë të besojmë në institucionet tona të drejtësisë, gjykatat dhe prokuroritë, edhe pse e vërteta e qartë, e dukshme dhe e pakontestueshme është se ato janë më shumë çerdhe të korrupsionit dhe keqpërdorimeve sesa themelata ku ndahet drejtësia?

Apo si ta shpjegojmë se ende besojmë në sistemin e arsimit, ani pse e vërteta e dukshme është se kemi të bëjmë me një sistem të politizuar, të paaftë për të luftuar fenomenet e përhapura të plagjiaturës dhe falsifikimit të diplomave, që për rezultat ka shkatërrimin e gjeneratave të nxënësve – siç na e dëshmojnë rezultatet e testeve PISA.

Apo, tek e fundit, si ta shpjegojmë se në zgjedhje vazhdojmë t’i votojmë njerëzit e njëjtë që çdoherë na kanë gënjyer dhe dëshpëruar dhe mashtruar, dhe që vazhdimisht zbulohet se janë pjesë e keqpërdorimeve, manipulimeve dhe aferave korruptive?

Ka shumë prova që dëshmojnë se nuk është problemi se s’ka kush e kërkon të vërtetën, por është problemi se rritet numri i atyre që nuk u intereson e vërteta. Sepse është e pakëndshme dhe e prish rehatinë.

Dhe nuk shkon për festa e pritje.

* * *

Por e vërteta nuk është trend, as modë, as pasion kalimtar i momentit. Është fenomen i përhershëm, e pakalueshme. Është e domosdoshme madje, së paku për disa idealistë që luftojnë për të, qofshin ata gazetarë apo thjesht njerëz që besojnë në të mirën.

Sepse, është në natyrën e njeriut ta kërkojë dhe ta zbulojë të vërtetën, sepse ajo u hedh dritë rrugëve tona, ashtu si dielli që ndriçon Tokën.

Dhe, e dini si thonë – dielli nuk mund të mbulohet me shoshë!

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami