Njohjet dhe çnjohjet

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 27 November 2019 08:17

Shumica e shteteve që kanë njohur Kosovën e kanë bërë këtë në koordinim dhe në bindje nga shtetet kryesore sponsoruese të Pavarësisë; SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, e deri diku edhe Franca. Tash kur këto shtete nuk e kanë më entuziazmin që kishin para dhjetë vjetësh, ndodhin çnjohjet nga disa shtete. Ata politikanë të Kosovës që donin të merrnin meritat për njohjet, edhe kur ato ndodhnin falë angazhimit të miqve, kanë bërë dëm më shumë sesa dobi, sepse e paraqisnin njohjen sikur diçka personale që mund ta vendoste një person me kërkesë të një personi tjetër.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, edhe nga forma edhe nga përmbajtja, ishte koordinuar tërësisht me shtetet kryesore të Grupit të Kontaktit, që kishin vendosur që më parë për këtë. Ishte përgatitur deri në detaje skenari sesi dhe kur të shpallej Pavarësia, dhe kur cili shtet do ta njihte Kosovën. Ishte caktuar që dita e shpalljes së Pavarësisë duhej të ishte e diel, dhe kjo duhej të ndodhte pasdite, në mënyrë që të nesërmen BE-ja të mund të dilte me një qëndrim të përbashkët para se në New York të mund të takohej Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ishte edhe një marrëveshje joformale që shtetet të cilat kufizohen me Serbinë e të cilat ishin shprehur se do ta njohin Kosovën duke mbështetur Propozimin e Ahtisaarit, do ta bënin këtë në të njëjtën kohë në mënyrë që, nëse Serbia do të hakmerrej siç kishte kërcënuar, duhej ta bënte këtë ndaj të gjithëve. Kështu ishte përgatitur skenari, sipas të cilit pak a shumë në të njëjtën kohë Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia dhe Hungaria duhej ta njihnin Kosovën. Kjo nuk ndodhi, pasi Mali i Zi donte të priste, ndërsa Maqedonia zemërohej se nuk po ftohej të bëhej anëtare e NATO-s dhe donte që të tregonte dhe nuk nxitonte për shkak të presionit të jashtëm, përderisa nuk u përball me presionin e brendshëm të faktorit shqiptar në këtë shtet.

Mjafton një shikim sipërfaqësor i hartës së botës dhe i emrave të shteteve që e njohën Kosovën në javët dhe muajt e parë pas shpalljes së Pavarësisë për të parë se shumica e tyre ishin shtete perëndimore, partnerë perëndimorë ose ish-koloni të Britanisë së Madhe apo të Francës. Ato ku kishte ndikim Spanja nuk e njohën Kosovën e nuk e njohin as sot.

Kosovën e njohën edhe disa shtete të vogla, për të cilat pakkush kishte dëgjuar në Kosovë, si Nauru, Samoa, Palau, Vanuatu, Kiribati, Tuvalu, Tonga, Sao Tome dhe të tjera emrat e të cilave mund t’i kishim parë vetëm gjatë ceremonive të hapjes së Lojërave Olimpike kur defilonin të gjitha kombet pjesëmarrëse. Kështu, Kosovën e njohën disa shtete të cilat ende nuk e kishin njohur Kroacinë, ani pse Kroacia e kishte shpallur pavarësinë 17 vjet para Kosovës. E disa as sot e kësaj dite nuk e kanë njohur Kroacinë. S’ka dyshim se këto shtete kishin vepruar nën ndikimin e shteteve të fuqishme që mbështesnin Pavarësinë e Kosovës.

Tash kemi raste të tërheqjes apo pezullimit të njohjeve, fenomen që sipas diplomatëve perëndimorë vërtet po ndodh, ani pse Ministria e Jashtme e Kosovës i merr me rezerva notat verbale që i publikon Seria për tërheqjen e këtyre njohjeve. Në fillim numrat ishin me rëndësi për Kosovën, sepse ishte krijuar bindja se kur të mbërrihej numri magjik prej 100 njohjesh, shtetet që hezitonin do të ndërronin mendjen dhe do të pajtoheshin me realitetin. Por kjo nuk ndodhi. Sepse kundërshtarët e njohjes që kundërshtonin për shkak të situatës së brendshme politike, si Spanja, Qipro, Algjeria, Maroku, ose ato që e shihnin si projekt perëndimor dhe ishin kundër, si Irani, Autoritetet palestineze, Siria, Kuba, Venezuela e të tjera, nuk e kishin ndërmend të bënin njohjen pa marrë parasysh se a kishte apo jo argumente të duhura.

Pa marrë parasysh se nuk duhet nënçmuar asnjë shtet, megjithatë shtetet që bënë njohjen dhe tash bëjnë çnjohjen e pavarësisë nuk janë shtete serioze. Shtetet që kanë ndërtuar një qëndrim të qartë nuk e ndërrojnë atë qëndrim. Shtetet serioze nuk e bëjnë njohjen me kërkesë të një personi dhe çnjohjen me kërkesë të një personi tjetër.

Por duhet parë mungesën e njohjeve si një problem serioz dhe pengesat janë disa në të cilat Kosova nuk kishte llogaritur, apo kishte bërë llogari të gabuara.

Kosovës më së shumti dëm i bëri ndarja në BE dhe dialogu i Brukselit. Në vend që të sillte njohje të reja, dialogu u shfrytëzua nga Serbia për ta paraqitur statusin e Kosovës si një gjë që ende nuk ishte caktuar. Edhe shtetet që tërheqin njohjen e bëjnë këtë duke përdorur dialogun si justifikim dhe duke mbështetur “zgjidhjen për të cilën do të pajtohen të dyja palët”. Shumë shtete që nuk e dinin si të vepronin, e të cilat e pyesnin BE-në për këshilla, e merrnin sqarime se “BE-ja është neutrale ndaj statusit” vendosën të mos e njohin Kosovën si shtet. Kështu, mosnjohja nga 5 shtetet anëtare është edhe më e dëmshme për faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës si shtet sesa që duket. Disa nga këto shtete, si Spanja, kanë qenë dhe janë shumë aktive edhe në lobim të fshehtë kundër njohjeve të Kosovës, sidomos në vendet e Amerikës Latine dhe të Afrikës së Veriut.

Serbia e ka përdorur mirë këtë mungesë të qartësisë në qëndrimet e BE-së. Bashkimi Evropian asnjëherë nuk doli në ndihmë për të porositur se dialogu nuk është rreth statusit, se nuk duhet përdorur dialogun si arsyetim për të mos e njohur pavarësinë apo edhe më pak, për të tërhequr njohjen. Në fakt, BE-ja në këtë mënyrë i doli në ndihmë Serbisë e jo Kosovës. Shtetet jashtë Evropës mund të mendojnë se, nëse BE-ja nuk ka qëndrim rreth statusit të Kosovës, që është në Evropë, pse atëherë duhet ata të vendosin dhe më mirë të mos “nxitojnë”. Tash disa shtete që e kishin njohur Kosovën dhe e kanë tërhequr njohjen përmendin si arsyetim se “ishin nxituar”.

Shumica e shteteve që e kanë njohur Kosovën e kanë bërë këtë në koordinim dhe në bindje nga shtetet kryesore sponsoruese të Pavarësisë; SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, e deri diku edhe Franca. Tash kur këto shtete nuk e kanë më entuziazmin që kishin para dhjetë vjetësh, ndodhin çnjohjet nga disa shtete. Ata politikanë të Kosovës që donin të merrnin meritat për njohjet, edhe kur ato ndodhnin falë angazhimit të miqve, kanë bërë dëm më shumë sesa dobi, sepse e paraqisnin njohjen sikur diçka personale që mund ta vendoste një person me kërkesë të një personi tjetër.

Kosova, sikur për shumë gjëra të tjera, nuk kishte një strategji të koordinuar mirë si shtet as për njohje dhe nuk ka as sot. Më shumë politikanët kosovarë presin që dikush tjetër t’i kryejë punët e ata për vete t’i marrin meritat. Pos që është e pandershme ndaj miqve, është edhe e dëmshme, sepse dekurajon ata që vërtet do të mund të kenë ndikim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Afrim27/11/2019 09:12

Nje thenje e gjermaneve: Kur e di qe nje politikan genjen? Kur levize buzet.

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj