Frikë e mosbesim

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 24 November 2019 08:00

Bashkëpunimi rajonal mund të ketë sukses vetëm atëherë kur Serbia ta pranojë se është ajo që mban peng shtetin e Bosnjës, që pengon funksionalizimin e shtetit të Kosovës, që kërcënon stabilitetin në Mal të Zi dhe që indirekt ndërhyn edhe në politikat e brendshme të Maqedonisë

“Po copëtohem nga brenda”, i ka thënë kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, gazetës amerikane “Neë York Times”. Zaev, i përgëzuar nga liderët botërorë për kontributin e tij në zgjidhjen e kontestit gati 30-vjeçar me Greqinë për emrin, është deklaruar i dëshpëruar nga vetoja e Francës në vendimin për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. I druhet shpërthimit të nacionalizmit dhe radikalizmit. Gazetës amerikane i ka thënë se tash është shfaqur rreziku i konflikteve brenda shteteve e edhe ndërmjet shteteve.

Zaevi, me gjithë kompromiset në shkëmbim të afrimit me BE-në dhe anëtarësimit në NATO, ndihet i tradhtuar. Mosçelja e negociatave për anëtarësim, ashtu si në rastin e Shqipërisë, e ka bërë të cenueshëm autoritetin e partive në Qeverinë e Shkupit dhe të ardhmen e tyre politike. Një pjesë e kapitujve thelbësorë të “Marrëveshjes së Prespës”, sipas Zaevit, mund të ngrijë dhe të mos zbatohet.

Edhe kryeministri Edi Rama, qeverisja e të cilit në vlerësimin e shumicës së shteteve anëtare të BE-së ka bërë hapa pozitivë në procesin e Vettingut dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ndihet më i dobët se asnjëherë brenda, e i kontestuar jashtë - sidomos në Kosovë, për shkak të angazhimit të tij në nismën e fundit rajonale (Mini-Shengeni Ballkanik) pa dakordim me liderët politikë në Prishtinë.

E Serbia, që nuk i përmbahet gjithaq kursit evropian, ka avancuar më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të plotë në BE. Madje, paralele me këtë rrugëtim ajo i mban të forta raportet me Rusinë. Së fundmi ka nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë me bllokun ekonomik të udhëhequr nga Moska dhe ka marrë pjesë në ushtrimet e përbashkëta ushtarake po me këtë shtet, kundërshtar të Perëndimit.

Të vetmin peng Beogradi e ka kërkesën e ndërkombëtarëve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nuk e shqetëson as akuza publike se është shndërruar në qendrën prej nga Rusia dhe Kina shtrijnë influencën e tyre politike e ekonomike në Ballkan.

Presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërsa flet për partneritet me BE-në, me shumë pasion flet edhe për dëshirën që të ketë në dispozicion sistemin e raketave S-400 të Rusisë. Me to, ka porositur vendet, mbase të NATO-s, se nuk do të guxojnë të fluturojnë më mbi qiellin e Serbisë.

Ndryshe prej Vuçiqit, Rama dhe Zaevi nuk e kanë hallin se dikush mund t’i bombardojë, porse i pret dështimi politik për shkak të mosçeljes së negociatave me BE-në.

Të tre liderët, që s’kanë përgjigje për çështjet pa të cilat nuk lëvizet para, kanë promovuar një nismë rajonale, ku ata shfaqen si shenjtorët e Ballkanit, ndërsa projekti si shpresë e bashkëpunimit e zhvillimit. Rama e Zaevi më shumë për rehabilitim personal e Vuçiqi për përfitim nacional. Brenda dy takimeve për mini-Shengenin ballkanik, ata kanë shfaqur hapur kundërshtitë ndaj kushtëzimeve të BE-së, ndonëse nga këndvështrime të ndryshme. Serbisë që i duhet të arrijë kompromisin me Kosovën, në të cilën proces nuk është mjaft e angazhuar, dhe Shqipërisë e Maqedonisë, që nuk shohin tjetër rrugë tjetër përveç asaj evropiane, që t’i përmbushin edhe më shumë standardet e BE-së.

Iniciativa për avancimin e bashkëpunimit rajonal është pozitive, po të bëhej fjalë për gjeografinë e shteteve “skandinave”. Të gjashtë shtetet kanë një mijë arsye të bashkohen në projekte që qëllim final kanë eliminimin e barrierave doganore, lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave dhe mirëqenien ekonomike. Por, argumenti se të gjithave nuk u kanë mjaftuar, dikujt 10 e dikujt 30 vjet shtet, për të konsoliduar institucionet dhe demokracinë e brendshme, për të kultivuar respektin dhe njohjen e ndërsjellë, e bënë vështirë të zbatueshëm në praktikë.

Prandaj, para se të futen në një tjetër fazë takimesh e bisedimesh, Shqipëria, Serbia e Maqedonia Veriore, si nismëtare, por edhe Kosova, Mali i Zi e BH-ja, si refuzuese e hezituese, duhet t’i rishikojnë politikat e brendshme e të jashtme, të analizojnë shkaqet që për këto vite nuk janë ndërtuar ura bashkëpunimi dhe sidomos që të gjashtat kanë dështuar të përmbyllin me sukses procesin e anëtarësimit në BE. Ballkanit nuk i duhet zhvillimi ekonomik, lehtësirat doganore dhe lëvizja me letërnjoftime më shumë sesa i duhet kthimi i besimit të ndërsjellë.

E Kosova ka më së shumti arsye për të mos besuar.

Nuk njihet nga dy prej pesë shteteve që kanë mbetur jashtë hartës së unionit, ka rendiment të ulët të prodhimtarisë e të qasjes në tregun rajonal dhe evropian, nuk i është miratuar ende liberalizimi i vizave dhe nuk ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat. Është shtet me deficit rekord tregtar.

Perspektiva integruese e Kosovës nuk shihet as në Strategjinë e fundit të BE-së për Zgjerim në Ballkanin Perëndimor.

Ajo nuk është vetëm viktimë e qeverisjes së brendshme, por edhe marrëdhënieve armiqësore me Serbinë, me shtetin që ka dëshmuar, në të kaluarën e edhe tash, se nuk është bashkëpunuese në asnjë proces negociatash, nisur nga përvojat e Rambujesë, Vjenës e Brukselit.

Bashkëpunimi rajonal mund të ketë sukses vetëm atëherë kur Serbia ta pranojë se është nyja e problemit, se është pengesë për vete dhe për të tjerët. Se është emëruesi i përbashkët i të gjitha luftrave e krizave në Ballkan në tri dekadat e fundit. Se është ajo që mban peng shtetin e Bosnjës, që pengon funksionalizimin e shtetit të Kosovës, që kërcënon stabilitetin në Mal të Zi dhe që ndërhyn edhe në politikat e brendshme të Maqedonisë.

T’i bëhet e ditur Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë..., se mbrapa mini-Shengenit fshihen të paktën dy qëllime të Serbisë: relativizimi i kushtit për njohjen e shtetit të Kosovës, duke ofruar kompromisin e zhdukjes së kufijve (para se ajo t’i njoh ata); dhe, sigurimi i monopolit tregtar nëpërmjet qasjes së papenguar në tërë zonën për eksportin e mallrave të saj, sidomos në portet detare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi