Synimi i Francës është ngadalësimi i procesit të zgjerimit

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 20 November 2019 08:21

Me këtë propozim Franca ia ka hedhur topin Komisionit të ri Evropian, i cili është në pritje të konfirmimit. Ai ka kufizuar hapësirën që të dalë me ndonjë ide të re dhe tash të gjitha strategjitë duhet t’i përafrojë me kërkesat e Francës, e cila pothuajse e ka bllokuar procesin e zgjerimit. Edhe pse nuk ka shumë risi në përbërje të propozimit të Francës, ideja e këtij shteti do ta ngadalësojë edhe më shumë procesin, i cili edhe ashtu është shumë i ngadalshëm.

Kur Franca kishte bllokuar vendimin qoftë edhe të kushtëzuar të Bashkimit Evropian për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, si arsyetim kishte përdorur dëshirën që së pari të ndryshohej metodologjia e procesit të zgjerimit e më pas të merrej vendimi. 

Atëherë Franca nuk kishte dhënë vetë ndonjë propozim konkret, por vetëm kishte përmendur nevojën që Komisioni Evropian të dalë diku në pranverë me propozim se si të arrihet kjo reformë e metodologjisë. 

Por tash, Franca, përmes një “non paper”, një dokumenti jozyrtar me idetë për qasjen ndaj zgjerimit dërguar shteteve të tjera anëtare, e ka shpalosur në mënyrë pak më të detajuar idenë. Sikurse edhe herëve të tjera, edhe kësaj radhe duhet menduar se çfarë qëndron prapa idesë e jo vetëm përmbajtjen. Franca në atë “non-paper” propozon, mes tjerash, që procesi të jetë më i konkretizuar, më i fokusuar në prioritete që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, që të ketë mundësi riverzibiliteti, pra të jetë i kthyeshëm e jo vetëm njëdrejtimësh në hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues dhe ajo fjalia që ua vret veshin të gjithë atyre që duan përshpejtimin e procesit, që ai të jetë “më gradual”. 

Vërtet në “non-paperin” e Francës përsëritet zotimi për atë që quhet “perspektivë evropiane” e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmendet kjo për të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën, por fjala më e përdorur nuk është anëtarësimi në BE, por më shumë “përafrimi”. 

Mundësia e anëtarësimit përmendet, por në një perspektivë të largët, me shumë kushtëzime, jo vetëm për kandidatët, por edhe për ndryshimet në BE që duhet të ndodhin më parë. Franca përsërit se, para se të zgjerohet, BE-ja duhet të reformohet dhe të bëhet më funksionale. Në përmbajtje Franca nuk propozon shumë gjëra, të cilat tashmë nuk ekzistojnë. Procesi edhe ashtu është i fokusuar në kriteret që lidhen me sundimin e ligjit. Mundësia që kapitujt që janë mbyllur të rihapen përsëri ekziston, sepse kapitujt mbyllen vetëm përkohësisht dhe mund të rihapen derisa të mos përmbyllet i tërë procesi negociator për anëtarësim. Se BE-ja duhet të reformohet para se të zgjerohet, po ashtu, nuk është diçka e re. 

Gjithmonë ndryshimet brenda BE-së kanë qenë të lidhura me zgjerimin, sepse kur një vend bëhet anëtar kjo ndikon edhe në përbërjen e strukturave të BE-së, shpërndarjen e vendeve në Parlamentin Evropian, numrin e komisarëve të BE-së dhe votave në Këshill. Para zgjerimit të madh u desh që të arrihej dhe të hynte në fuqi Traktati i Nicës. Pa të, zgjerimi i madh në vitin 2004 nuk ishte i mundur. Tentimi për një kushtetutë evropiane, që do të mundësonte ndryshimet më të mëdha në historinë e BE-së, dështoi pikërisht ngase e refuzuan në referendum Franca dhe Holanda. 

Pastaj as Kroacia nuk mundi të bëhej anëtare derisa nuk hyri në fuqi Traktati i Lisbonës. E derisa të bëhet gati ndonjë shtet i Ballkanit për të hyrë në BE, ka mundësi të arrihet ndonjë traktat, i ri i cili do ta reformonte Unionin. Me këtë propozim Franca ia ka hedhur topin Komisionit të ri Evropian, i cili është në pritje të konfirmimit. Ai ka kufizuar hapësirën që të dalë me ndonjë ide të re dhe tash të gjitha strategjitë duhet t’i përafrojë me kërkesat e Francës, e cila pothuajse e ka bllokuar procesin e zgjerimit. 

Edhe pse nuk ka shumë risi në përbërje të propozimit të Francës ideja e këtij shteti do ta ngadalësojë dhe më shumë procesin, i cili edhe ashtu është shumë i ngadalshëm. Mali i Zi është duke udhëhequr në këtë proces dhe është shumë para të tjerëve. Por nuk ka arritur as në gjysmën e rrugës, i ka hapur shumicën e kapitujve, por ka mbyllur vetëm disa. Përballet pikërisht më ndryshimet në metodologji, sepse duhet të përmbushë në secilin kapitull së pari kriteret për hapje, pastaj ato kalimtare, e në fund ato për mbylljen e kapitullit. 

Serbia është e dyta në proces pas Malit të Zi dhe me këto dy shtete, nëse në të njëjtën paketë nuk e fusim Turqinë që është rast i veçantë, përmbyllet numri i vendeve që negociojnë anëtarësimin në BE. Me asnjë shtet tjetër BE-ja në këtë moment nuk është duke zhvilluar negociata të zgjerimit. 

Maqedonia e ka rekordin në pritje. Edhe pse ka marrë statusin e kandidatit nuk ka vendim për nisjen e negociatave. Shqipëria ka pritur shumë për status kandidati dhe tash po pret shumë si kandidat për të pasur një datë të hapjes së negociatave. 

BosnjëHercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por nuk ka një mendim pozitiv nga Komisioni për t’ia dhënë këtë status. Edhe po të kishte, vështirë që do ta merrte statusin shpejt. Kosova, e cila vazhdon të mos trajtohet si shtet nga BE-ja, që ka qëndrim “neutral ndaj statusit”, nuk ka vënë as hapin e parë, atë të aplikimit për anëtarësim. Nëse shikohet përvoja e këtyre shteteve shihet qartë se sa më vonë një shtet ka hyrë në proces aq më vështirë e ka pasur dhe më shumë ka zgjatur procesi. 

Gjëja e fundit për të cilën ka pasur nevojë ky proces ishte që të hasë në bllokadë, çfarë bëri Franca në muajin tetor ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse në rastin e Shqipërisë nuk ishte e vetme. Krejt kjo qasje mund të çojë në krijimin e një alternative ndaj anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE përmes një partneriteti të privilegjuar. Në atë rast shtetet e rajonit sa më shumë që do t’i afroheshin BE-së do të përfitonin më shumë nga kapitujt që i kanë mbyllur dhe do të inkuadroheshin në disa projekte dhe politika, por pa të drejtë që të jenë pjesë e vendimmarrjes. Në ndërkohë do të shihej se si është situata brenda BE-së, sa ka apetit për zgjerim dhe kur mund të ndodhë zgjerimi. Kjo mund të duket logjike për ata në BE, të cilët edhe sot e shohin këtë Union si organizëm që vështirë e ka të marrë vendime, e do ta kishte edhe më të vështirë sikur t’i kishte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor brenda. Ajo që nuk kuptohet sa duhet në disa shtete anëtare është fuqia e kësaj goditjeje për të zvogëluar motivin për reforma në vendet e rajonit të Ballkanit. 

Afër apo larg qëllimit, besimi se një ditë do të hyjnë në BE ka mbajtur një dinamikë të reformave në shumicën e shteteve të rajonit. Tashmë po vërehet se kjo gatishmëri po zvogëlohet. Por edhe vendet e rajonit nuk duhet të rrinë duke pritur anëtarësimin në BE për t’ua zgjidhur problemet. Nëse i zgjidhin vetë dhe avancojnë do të jenë më të pranueshëm edhe për BE-në.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj