OpEd

Kërthiza e Edi Ramës

Në përgjithësi një ballkanas s’u zë besë rrethanave, është egoist, i pa lumtur dhe madje negativ në raport me politikanët e vetë. Për dallim nga një evropian tipik, për të cilin bota është një kozmos ku gjithsecili i përgjigjet funksionit që ushtron.

Me privilegjin e pamerituar të përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve në Ballkan – kryeministri Edi Rama po solidarizohet me idenë unilaterale (të njëanshme) të dyshes Vuçiç-Zaev për epërsinë e ekonomike dhe tregtare të Serbisë e Maqedonisë në Ballkan.

Grushtin e hekurt të dhënë nga presidenti francez, Macron, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe lodhjen kronike të Evropës nga zgjerimi i mëtejmë i saj – Rama dhe Zaev po e interpretojnë si një “racizëm dhe supremaci” të kombeve të mëdha evropiane kundrejt kombeve të vogla ballkanike. Po bëjnë gabim sepse Evropa nuk pranon në gjirin e saj shtete që kanë probleme shumë të rënda me sundimin e ligjit.

Përtej kësaj, Edi Rama dhe benjaminët e tij sllavë, Vuçiç dhe Zaev, me sa vërehet nuk e kuptojnë një gjë fundamentale: në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet, të cilat nuk i respektojnë standardet e sigurisë dhe të drejtave të njeriut, diskriminohen sa vjen e më shumë. Që të tri këto shtete, s’do mend, nuk janë mjaftueshëm demokratike, i shkelin liritë dhe të drejtat politike dhe civile të shtetasve të tyre, janë mizorë kundër opozitës së tyre politike dhe janë jotolerantë në respektimin e fjalës dhe mendimit të lirë.

Një herezi e vogël: arroganca, mendimi se ka gjithmonë të drejtë, mendimi se dinë gjithçka më mirë se shqiptarët e Kosovës për vetë Kosovën, një fodullëk intelektual – janë kërthiza politike e Edi Ramës në raport me përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale ballkanike – si kjo e të ashtuquajturit “Schengen ballkanik”.

Padyshim që një iniciativë e tillë është përshtypjelënëse por, me Serbinë që e dëmton Kosovën në secilën sekondë të frymimit të saj, kjo gjë më së paku thënë, është artificiale dhe e pasinqertë.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, po të doni edhe Kosova, janë “out-law states” që në shqip literalisht përkthehet si “shtete maskarenjë”, ku sundon një grup i vogël personash dhe jo populli përmes të zgjedhurve të vetë, siç e do rendi i demokracisë.

Liderët politikë të Kosovës duhet të shprehen hapur për tendencat mirëdashëse të Ramës, duke mos e kryqëzuar atë romantikisht dhe nacionalistikisht për idetë e bashkëpunimit me Vuçiqin dhe të tjerët si ai – por duke ia treguar atij gjendjen shpirtërore të nënave shqiptare të Kosovës, të cilat për faj të regjimit të cilit i ka shërbyer Vuçiqi në vitet e 90-ta, çdo sekondë, çdo orë dhe çdo ditë prej prill-majit 1999, i fshijnë lotët me shamitë e tyre – me besim hyjnor që një ditë do t’ua qajnë varrin bijve të tyre legjendarë.

(Vigan Qorrolli është ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës)