Kimnonet

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 14 October 2019 08:29

Kadri Veseli mblodhi shtabin zgjedhor, u tregoi për kimnonet të cilat gjithashtu ishin unisex dhe një numër që u bie tamam të gjithëve. Urdhri ishte i prerë, të gjithë do t’i vishnin kimnonet dhe ato do t’i mbanin në trup gjatë gjithë kohës së fushatës. Tani teksa po i shkruaj këta rreshta, këto kimnonet po e marrin kuptimin e plotë

Sot të gjithë ne frymojmë më lirë për faktin se votimet i lamë pas dhe dalja në to ishte dukshëm më masive se më parë. Ato rrodhën në frymë demokratike dhe pa incidente apo probleme, të cilat do të mund ta rëndonin procesin zgjedhor.

Fituese doli Lëvizja Vetëvendosje e përcjellë ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Opozita e deritashme i fitoi zgjedhjet, dhe pritshmëritë e elektoratit të tyre dhe votuesve të tyre janë që këto të dyja të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të udhëheqin me shtetin në këto periudha mjaft delikate dhe historike për ne. Pjesa tjetër, e cila ia vlen të veçohet nga këto zgjedhje ishte ndëshkimi të cilin sovrani ua bëri partive, të cilat ishin në koalicionin e madh qeverisës të deritashëm. PDK-ja u reduktua në 21%, AAK-ja në 11%, koalicioni NISMA + AKR nuk e kaloi pragun zgjedhor, si dhe asnjë deputetë nga radhët e PSD-së, e cila ishte në koalicion me AAK-në nuk i mblodhën numrin e nevojshëm të votave për t’u futur në Kuvend.

Mirëpo, ishte diçka tjetër çka mua më bëri kurioz. Çka nuk shkoi në rregull me fushatën e Kadri Veselit dhe kandidaturën e tij për kryeministër, si dhe fushatën e partisë së tij, PDK-së.

E kishin gjithë atë makineri të propagandës prapa vetes së tyre, televizionin publik plotësisht në shërbim dhe nënshtrim të tyre, televizione të tjera private, gazetarë mercenarë, analistë, opinionistë, mercenarë të paguar ndërkombëtarë e çka jo tjetër? Si ti qasesha kësaj problematike? Ku ta kërkoja defektin? Fillova të shfletoja lajmet e ditëve gjatë fushatës, isha në kërkim të ndonjë gjurme të vogël (jo të Migjen Kelmendit), e cila do të më ndihmonte që ta zgjidhja nyjën e misterit të dështimit të tyre. Lajme nga më të ndryshmet. Njëra nga to, vizita e presidentit Hashim Thaçi në Japoni. Hmmm, këtu në këtë lajm ndalova dhe pyeta veten sa a do të mund të ishte që misteri të ishte aty i fshehur, si një margaritar përbrenda guacës dhe i cili po priste që të zbulohej.

Deri më tash e keni kuptuar se tentakulat e mia diplomatike shtrihen në mbarë globin, kështu që unë kontaktova me mikun tim japonez 悠真正男 (Haruma Masao) që të shfrytëzonte kanalet e tija diplomatike dhe të shihte se a mos kishte diçka interesante të veçohej nga kjo vizitë e presidentit Thaçi në Japoni.

Nuhatja ime në lidhje me këtë lajm u tregua shumë produktive kur miku im japonez mu lajmërua pas ca ditësh me informatat bombastike. Përveç takimeve diplomatike, presidenti Thaçi e kishte bërë edhe një vizitë tek një kompani prodhuese e kimnoneve, i kini parasysh ato veshjet e xhudistëve, karateistëve dhe të tjerëve nga fusha e arteve marciale. Mirëpo, këto kimnone ishin fjala e fundit e teknologjisë japoneze. Këto kur subjekti i veshë në trup bëhen të padukshme, kjo si pjesë e teknologjisë më të avancuar në lëmin e padukshmërisë së objekteve fizike dhe përveç asaj është aftësia e atyre kimnoneve ishte në aspektin spiritual për ta shtuar dukshëm vetëbesimin tek personi, i cili i bart ato në trup. Presidenti Thaçi kishte porositur 150 palë nga këto kimnonet japoneze. Nga një palë për secilin kandidat për deputet dhe 40 palët e mbetura për analistë, gazetarë mercenarë dhe njerëz, të cilët do të ishin në shërbim të fushatës së PDK-së “Ndërtojmë të ardhmen”.

Kur kishte arritur në Prishtinë, presidenti Thaçi e kishte takuar kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dhe ia kishte shpjeguar rolin e kimnoneve japoneze. “Vishini qysh prej sot Kadri, mos i zhvishni mo prej trupit, këto janë të padukshme, ama vetëbesimin keni me pasë në tavan, s’keni me u ndie inferiorë para askujt”, i kishte thënë presidenti Thaçi.

Ashtu edhe u bë. Kadri Veseli mblodhi shtabin zgjedhor, u tregoi për kimnonet të cilat gjithashtu ishin unisex dhe një numër që u bie tamam të gjithëve. Urdhri ishte i prerë, të gjithë do t’i vishnin kimnonet në trup gjatë gjithë kohës së fushatës. Tani teksa po i shkruaj këta rreshta, këto kimnonet po e marrin kuptimin e plotë. E dëgjuam Memli Krasniqin si i thoshte me shumë vetëbesim gjatë debatit në “Rubikon” të KTV-së Glauk Konjufcës, “mos e quaj më Kadri Veseli. Pse mos ta quaj, e pyeti Glaku? Quaje kryeministri Kadri Veseli”. Po pra, kimnonet po vepronin në Memlin dhe kishin zgjuar plot vetëbesim.

Kimnonet i pamë edhe te Çalon Syla, analisti në Klan Kosova. Bënte analiza politike me aq vetëbesim dhe po ia mbante zhagun PDK-së me aq ngulm dhe zell. Edhe Dastbin Pallaskën e pamë me kimnonet dhe veprimin e tyre, me vetëbesimin e i pamë në spotin promovues të partisë, ku po e shtynin autobusin në një tatëpjete me plot vetëbesim, me një dorë. Kimnonet i pamë në aksion dhe veprim kur erdhi Matt Whitaker nga Amerika për t’i dhënë një shtytje Kadriut me kimnonet e tij.

Kadriun, të cilin e njohim publikisht disa vitet e fundit nën ndikimin e kimnoneve dhe vetëbesimi që ia jepnin ato u drejtua edhe në gjuhën angleze që i ngjasonte anglishtes së Tarzanit natyrisht. Mi hoqi të gjitha dyshimet të cilat i kisha pasur në lidhje me këtë gjë. Edhe gjuha shqipe, të cilën ai e flet le shumë për të dëshiruar për të më bindur se ai zotëron ndonjë njohuri të ndonjë gjuhe tjetër. Gjatë fushatës Kadriu me kimnonet na tregoi se ai ia kishte dhënë koordinatat NATO-s se ku të sulmonin dhe bombardonin. Se në cilën gjuhë i ka bërë ato “koordinime” për mua do të mbetet një mister. Me kimnone e pamë edhe Migjenin, të cilin Kadri Veseli e quante “ikona e Prishtinës”. Kadrushi me kimnonet na tregonte se si kur ishte student në Prishtinë kishte dëgjuar rock muzikë, e gjitha kjo me vetëbesimin të cilin në padijeninë tonë po ia jepnin kimnonet e padukshme të veshura në trup.

Në secilin prezantim të secilit kandidat të PDK-së vetëbesimi ishte aq i dukshëm, por assesi kimnonet, ato vazhdonin të ishin të padukshme. E kuptoj unë fushatën dhe psikozën që një politikan mëton të arrijë tek publiku, të cilit i drejtohet, mirëpo kishte diçka të veçantë në vetëbesimin e pretendentëve të PDK-së të cilën nuk do ta zbuloja ndonjëherë sikur miku im japonez 悠真正男 (Haruma Masao) të mos më tregonte për kimnonet.

Për të qenë shumë korrekt me lexuesin e ditarit tim, miku im japonez ishte siguruar që një palë kimnone të mi dërgonte edhe mua në mënyrë që saktësisht ta dija se për çka është fjala. Në fakt, unë ato i kam të veshura në trup teksa po e shkruaj ditarin tim me shumë vetëbesim. Ato ishin të paketuara me një kuti shumë reprezentative me ornamente japoneze dhe brenda, gjithashtu, kishin edhe një doracak mbi udhëzimin e përdorimit të kimnoneve.

Vendosa që t’i lexoja. Shkruante që kimmonet duhet të laheshin në dorë në temperaturë 30°C dhe me germa bold (të trasha), shkruante se pasi që këto kimnone në vete ishin edhe spirituale që ndërlidhej me shtimin e vetëbesimit tek bartësi i tyre, ai efekt mund të arrihej vetëm nëse bartësi i tyre, personi i cili i veshë ato është i sinqertë dhe nuk gënjen, përndryshe efekti i kimnoneve ishte i kundërt, ai vetëbesimin do ta dërgonte deri në atë nivel që ai njeri të dukej qesharak. Teksa po i lexoja udhëzimet e kimnoneve e kisha shumë të qartë se Kadrushi me ekipin e tij me kimnonet e tyre nuk i kishin lexuar udhëzuesit fare, gjë shumë e rëndomtë për neve si komb shqiptar. Ne nuk i duam doracakët dhe udhëzuesit, ne e dimë çdo gjë.

Fushata zgjedhore mbaroi, sovrani nuk u besoi njerëzve me kimnonet e padukshme, në fakt ata u përqeshën shumë dhe gallata në lidhje me fushatën e tyre ende s’ka të ndalur andej nga ambasada ime në Facebook.

P. S. Ramush e di që ti dhe partia jote s’keni pasë kimnone, se Hashimi këtë punë e ka ruajtë me shumë xhelozi për ish-partiakët e tij, veçse edhe ti me këndimin tënd gjatë fushatës ke pasë të bome. Ramush ky do të jetë post-scriptum i fundit me të cilin të drejtohem ty. Të tjerat do të jenë të destinuara për kryeministrin në ardhje, Albin Kurti. Puna e marë në opozitë. Tash mundesh me fjetë më gjatë, s’ke nevojë me u zgjuar në 5 të mëngjesit që të punosh për ne.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Kasabalia05/11/2019 17:33

Per Dastidin ja paske fut kot, ai vetem i ka kritikuar pdkyhin dhe Mr.Bean'in.

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani