Vështrime

Çfarë porosie për zgjerimin çon emërimi i hungarezit Trocsanyi për komisar

Von der Leyen, me apo pa qëllim, i ka evituar deri tash përgjigjet në pyetjet se a mund t’i promovojë në Ballkan vlerat një person, i cili vetë i ka shkelur në vendin e tij. Ka përsëritur vetëm se për Hungarinë zgjerimi shihet si proces i rëndësishëm dhe ajo beson se Trocsanyi do ta kryejë mirë detyrën e tij. Disa thonë se edhe ajo nuk beson se kandidati nga Hungaria do të kalojë provimin në Parlamentin Evropian dhe do të refuzohet. Por emërimin e tij shumë diplomatë e shohin si dëshmi se Brukseli nuk mendon seriozisht për procesin e zgjerimit në 5 vjetët e ardhshëm.

Javën që shkoi, në Podgoricë të Malit të Zi, u zhvillua konferenca vjetore e organizuar nga Komisioni Evropian, me emrin “Ditët e Mediave Ballkanike”. Johanes Hahn, komisari i tashëm i BE-së, që merret edhe me procesin e zgjerimit e me këtë edhe me gjendjen e lirisë së shprehjes në këto vende si kusht për avancim në procesin e integrimeve evropiane, në momentin e fundit u desh ta anulonte pjesëmarrjen, por iu drejtua më shumë se 350 pjesëmarrësve me një mesazh të regjistruar më herët. Ai përsëriti se vendet e rajonit të Ballkanit nuk mund të lëvizin drejt BE-së pa arritur edhe standardet në sundimin e ligjit dhe në lirinë e shprehjes. Premtoi ndihma për mediat e lira në rajon, pa të cilat, tha ai, nuk mund të ndërtohet një demokraci e mirëfilltë, e cila do të jetë kusht për integrim në BE, nga i cili Brukseli nuk do të heqë dorë.