OpEd

Nga 1 nëntori BE-ja nuk do të jetë më e njëjtë

Brexiti është një dëshmi se si propaganda dhe fushata e bazuar në të pavërteta mund ta lëkundin edhe një komb të madh, me traditë demokratike dhe me qasje të pakufizuar në burime të informacioneve. Tash demokratike është edhe zbatimi i vullnetit të shumicës së britanikëve të shprehur në referendum, edhe pse dihet se këtë vendim e morën edhe pasi besuan në disa të pavërteta.

Nga 1 nëntori, kur BE-ja do të mbetet me 27 shtete anëtare, kur Britania do të largohet nga anëtarësia, kur mandatin do ta nisë Komisioni i ri Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të jetë më siç ka qenë deri më tash. Pa Britaninë, pa marrë parasysh se kush e ka fajin për Brexit, BE-ja do të jetë më e dobët edhe në brendinë e saj, e dhe në skenën globale, e edhe në Ballkan.

Kryeministri i sotëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, në momentin e fundit kishte vendosur se a do të jetë në favor të Brexitit apo kundër tij. 

Si kolumnist në gazetën britanike “Telegraf”, ai kur pritej të deklarohej se a do të jetë në favor apo kundër Brexitit, thuhet të kishte përgatitur dy versione të shkrimit të tij.

 Njërin në të cilin angazhohej për largim nga Britania, pas çfarë do të shfrytëzoheshin maksimalisht potencialet e Britanisë së Madhe dhe do të jetë më mirë sesa brenda BEsë, e cila në shumë fusha ka penguar zhvillimin e Britanisë. 

Tjetri ishte kundër Brexitit me pohime se dalja nga BE-ja do të sjellë kaos dhe do ta dëmtojë shumë ekonominë britanike, si dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Boris Johnsoni ka një karrierë impresive nëse shihet ajo në mënyrë formale. I lindur në New York, i shkolluar në Shkollën Evropiane në Bruksel, ku i ati i tij punonte për BEnë, i shkolluar pastaj në Oxford, me përvojë si korrespondent nga Brukseli e më vonë edhe deputet i Parlamentit britanik, ministër i Jashtëm dhe ish-kryetar i mega qytetit të Londrës. 

Por ata që e kanë njohur, në kohën kur ishte gazetar, për Johnsonin thonë se ka qenë mashtrues dhe se faktet asnjëherë nuk kanë qenë të rëndësishme për shkrimet e tij. Thuhet se gazeta “Independent” e kishte përjashtuar nga puna si korrespondent nga Brukseli për shkak se kishte falsifikuar një citat. Më vonë ishte bërë korrespondent i gazetës euro-skeptike “Daily Telegraf”, e cila ka ndikuar shumë edhe në rritjen e kundërshtimit për anëtarësinë e Britanisë në Bashkimin Evropian. 

Tash, pas gjithë asaj rruge impresive dhe në të njëjtën kohë kontroverse fati deshi që Boris Johnsoni të jetë ai, i cili do ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja, siç shprehet ai, me apo pa marrëveshje. 

Gjatë fushatës në prag të referendumit për dalje nga BE-ja ata që u angazhuan për këtë përdorën shumë mite dhe të pavërteta. Keqpërdorën imigrimin, me apo pa të drejtë. Se si e bënin këtë dëshmon edhe një titull në një gazetë britanike, e cila kur Komisioni Evropian dha rekomandimin që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, lajmëroi për këtë zhvillim duke e frikësuar opinionin se “3.3 milionë shqiptarë do të mundë të vinë në Britani si rezultat i vendimit të Brukselit”. 

E vërteta ishte e parëndësishme. E parëndësishme ishte edhe pyetja logjike se si të gjithë shqiptarët, i madh e i vogël, që nuk janë as 3 milionë, po të shkojnë pikërisht në Britani, asnjë nuk do të mbetet në Shqipëri e asnjëri nuk do të shkojë në asnjë vend tjetër, por bash në Britani të Madhe. 

E për mediat e tilla, e besa edhe lexuesit e tyre, është fantazi shkencore të shpjegohet se ai ishte vetëm një rekomandim për dhënien e statusit të kandidatit, që nuk do të thotë as se statusi do të jepet, e pastaj do të duhej të pasohej me datën e negociatave, nisjen e tyre, përfundimin e tjera e tjera, një proces që do të zgjaste në variantin më të mirë diku 10 a 15 vjet. 

Dhe e vërteta tjetër se as pas anëtarësimit në BE, edhe po Britania të mbetej anëtare, shqiptarët së paku për 7 vjet nga anëtarësimi nuk do të mundë të vinë në Britani. Dhe e vërteta tjetër se shqiptarët edhe ashtu kanë ardhur në Britani, ani pse heqja e vizave nga ana e BEsë nuk u jep të drejtë të shkojnë pa viza në Britani. 

Sa u përket shqiptarëve, Britania e ka dhe e ka pasur kontrollin e kufijve të saj se kush mund e kush jo të hyjë. Por ato shkrime nuk kanë qenë kundër shqiptarëve sa kanë qenë kundër BE-së, e cila po e rrezikonte Britaninë me vendimet e saj. Sa e fuqishme ishte propaganda dëshmojnë edhe të dhënat se një numër i madh i të huajve në Britani me prejardhje nga Nigeria apo Pakistani kishin votuar për largim nga BE-ja, sepse nuk donin që në mënyrë të pakontrolluar në Britani të vinin polakët, rumunët dhe evropianët e tjerë. 

Për Boris Johsnonin, si dhe të tjerët që donin Brexitin, nuk ishin të rëndësishme as dëshmitë se ata që kishin ardhur nga vendet e tjera të BE-së për të punuar në Britani kishin paguar shumë më tepër taksa dhe kontribute për sistemin britanik sesa që kishin përfituar nga ai. 

Vetëm nga mjekët dhe infermieret nga vendet e tjera të BE-së thuhet se Britania ka përfituar më shumë se 3 miliardë euro. 1.6 miliardë nga taksat dhe kontributet e tyre direkte dhe 1.5 nga shkollimi i tyre për të cilin nuk kishte paguar Britania. Por kur politikanët të vendosin që vazhdojnë me një fushatë për një qëllim atëherë nuk përfillin asnjë fakt që shkon kundër argumenteve të tyre. 

Dhe në fund, me apo pa propagandë, të informuar apo të pa informuar qytetarët vendosin dhe vendimi i tyre duhet të përfillet, pa marrë parasysh se sa i vogël ka qenë dallimi mes atyre në favor dhe atyre kundër. 

Prandaj, është e vërtetë se dalja e Britanisë së Madhe nga BEja është një proces demokratik, sado bizare që tingëllon kjo. Brexiti është një dëshmi se si propaganda dhe fushata e bazuar në të pavërteta mund ta lëkundë edhe një komb të madh, me traditë demokratike dhe me qasje të pakufizuar në burime të informacioneve. Tash demokratike është edhe zbatimi i vullnetit të shumicës së britanikëve të shprehur në referendum, edhe pse dihet se këtë vendim e morën edhe pasi besuan në disa të pavërteta.

 Nga 1 nëntori, kur BE-ja do të mbetet me 27 shtete anëtare, kur Britania do të largohet nga anëtarësia, kur mandatin do ta nisë Komisioni i ri Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të jetë më siç ka qenë deri më tash. Pa Britaninë, pa marrë parasysh se kush e ka fajin për Brexit, BE-ja do të jetë më e dobët edhe në brendinë e saj, edhe në skenën globale, e edhe në Ballkan. 

Kosova do ta ndiejë mungesën e Britanisë në BE, sepse Mbretëria e Bashkuar ka qenë padyshim mbështetësi më i madh i Kosovës në këtë organizatë. Nga 1 nëntori do të tingëllojë çuditshëm kur të dëgjojmë nga miqtë britanikë se e ardhmja e Kosovës është në integrimet në BE dhe në NATO, siç dëgjojmë sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës thirrje për avancim në procesin e integrimeve, në kohën kur presidenti amerikan shprehet se dalja nga BE-ja është një gjë e zgjuar dhe se anëtarësimi në BE është vetëm pengesë për shtetet dhe kombet.