Kombajnat e korrjeve të votave partiake

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 26 August 2019 08:27

Nga zhvillimet patriotike parazgjedhore do t’iu përshëndesja me vargjet nga kënga e mirënjohur:

"Hej Kaçanik o me autostradë e komunikacion,

Vritesh e vritesh o për korrupsion

Për korrupsionin mas çdo zabelit

Luftojnë bijtë e Kadri Veselit"

Jozyrtarisht fushata e partive politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme ka filluar, ndërsa sot derisa unë po e shkruaj ditarin tim të rregullt pritet mbledhja e radhës e Kuvendit të Kosovës, ku partitë politike do të duhej të votonin për shpërndarjen e Kuvendit.

Është koha ideale kur partitë të cilat e kanë në pikëpyetje kapërcimin e pragut zgjedhor sot të rrisin çmimin e tyre tugjaresk për t'iu bashkangjitur ndonjërës nga partitë më të mëdha si pjesë e marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor.

Në fakt, një koalicion i tillë zyrtarisht u lidh këtë të hënë që e lamë pas. Ndodhi marrëveshja për koalicion parazgjedhor ndërmjet AAK-së dhe PSD-së, koalicion i cili PSD-së do t'ia sigurojë kapërcimin e pragut zgjedhor dhe varësisht nga marrëveshja me AAK-në dhe votat edhe numrin e deputetëve të saj në Kuvend.

Kjo është njëra nga rregullat më të poshtra, të cilat lejohen me sistemin zgjedhor të Republikës së Kosovës, pas asaj se deputetët e një partie kanë të drejtën t’i bartin mandatet e tyre të fituara nga një parti tjetër në një parti tjetër. E ja që lojtare e denjë e këtyre dy rregullave më të poshtra zgjedhore është pikërisht PSD-ja, e cila në afat rekord të një gjysmë mandati po arrin që t’i aplikojë që të dyja këto rregulla.

Mirëpo, ajo qasja e tyre se si ata janë të afërt me votuesin, programet e tyre të qendrës së majtë qeverisëse janë shumë perfide për votuesin mesatar kosovar. Koalicioni "Marigona" dhe "Fshati Ndërkombëtar", si dhe çdo koalicion tjetër tugjaresk partiak kosovar në qendër dhe fokus të saj i ka vetë partitë politike, përderisa qytetari aty është periferik dhe përmendet sa për sy e faqe.

Jo, nuk jam fatalist e aq më pak kili-mili-tant i ndonjë partie tjetër politike dhe që flas nga inati apo xhelozia partiake. I thjeshtë është ky muhabet ashtu siç shpesh e kujtoj mikun tim të veçantë të ndjerë, Adnan Mustafa, dhe thënien e tij "shqiptari edhe për ta martu nanën e vet gjen krushq".

Poshtërsia tjetër, e cila do të ndodhë sot është se deputetët e kësaj legjislature më të poshtër që nga paslufta e Kosovës, sot do të votojnë për ta shpërbërë këtë Kuvend e vetëm për të dalë në zgjedhjet e jashtëzakonshme me të njëjtat fytyra dhe aktorë për ta kërkuar votën e qytetarit. E nga kjo poshtërsi dhe pafytyrësi nuk amnistohet asnjëra parti.

Nga zhvillimet patriotike parazgjedhore do t’iu përshëndesja me vargjet nga kënga e mirënjohur:

"Hej Kaçanik o me autostradë e komunikacion

Vritesh e vritesh o për korrupsion

Për korrupsionin n'Kosovë mas çdo zabelit

Luftojnë bijtë e Kadri Veselit".

Kryekuvendarin ditëve të fundit e shohim duke e luftuar korrupsionin ashpër, sa në oborr të QKUK-së, sa në shkollën policore në Vushtrri, sa në magazinën e veturave të sekuestruara të krimit, e të gjitha këto ende pa filluar zyrtarisht zgjedhjet. Me një muaj ditë fushatë zgjedhore druaj se lufta kundër korrupsionit do t’i tejkalojë kufijtë e vendit tonë dhe do të bartet edhe nëpër shtetet fqinje. E shoh zotëri Veselin dhe krahun e tij të djathtë në luftën kundër korrupsionit ministrin e Drejtësisë në theqafje Abelard Tahiri, si dhe krahun e tij të majtë në luftën kundër korrupsionit ministrin në theqafje të Shëndetësisë, Uran Ismjali. Me kësi krahësh lufte kundër korrupsionit ajo që mungon është përgjigja në pyetjen se kujt do t’i mbetet jadeci? Por edhe ajo përgjigje nuk do të vonojë shumë dhe si edhe çdo herë tjetër jadeci do t’i mbetet votuesit të gjorë, i cili i voton këto krijesa.

Muaji i fushatave zgjedhore të partive politike do të jetë një muaj i vështirë për t’u përbirë sasia e hipokrizisë, e cila do t’i servohet qytetarit të Kosovës nëpërmjet tubimeve partiake, debateve dhe intervistave të ndryshme nëpër studiot e televizioneve të ndryshme, vizitat që ju bëhen qytetarëve vetëm para zgjedhjeve të përcjella me zgërdhirjet e atyre të cilët dalin për ta kërkuar votën e sovranit. Kostume të shtrenjta, kravata të reja, këmisha me mangë të përvjela, frizura të reja, pamje me të cilat tubimet e kanagjegjeve partiake do t’i mbulojnë ekranet e televizorëve tanë të sheshtë e edhe telefonave tonë të mençur.

Akuzat dhe kundërakuzat partiake, si dhe ato me emra të përveçëm, do të bëhen pjesë përbërëse e jetëve tona këtë "muajin e shenjtë" të fushatave zgjedhore të partive politike.

Posterë të shumtë, slogane dhe parulla politike, billborde dhe reklama me fytyrat e njëjta, të cilat edhe në makthet më të mëdha i parafytyrohen qytetarit kosovar.

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sapo votuan për shpërndarjen e Kuvendit. Të njëjtit shpresojnë se pas një muaji prapë do të kthehen në karriget e tyre dhe prapë t’i gëzojnë dhe abuzojnë me privilegjet e Kuvendit votimet e të cilave kanë qenë të vetmet, të cilat ata gjithnjë i kanë bashku për me i votu unanimisht. Krejt për të "mirën" e qytetarit.

Unë jam i vetëdijshëm që nuk jam i vetmi, i cili ndihem kësisoj. Faktet e grumbulluara 20-vjeçare mbi përvojat tona si qytetarë me politikanët tanë janë këto të cilat janë edhe pse shumica e kanë memorien e peshkut, dhe mbajtja ndërmend e këtyre fakteve nuk është ana e tyre e fortë, ca me dashje, ca pa dashje.

Do të shtrohen dreka e darka të shumta për arsimtarë e për punëtorë me premtime boshe dhe të kota në shpërblim për votën. Marrja nuk jeton më në Kosovë, ka së paku dy dekada që ajo ka ikur diku në azil politik. Vendndodhja e saj nuk dihet, mbase e ka ndërruar edhe identitetin. Milionerët politikë do t’i shohim në terren, duke "vuajtur" për hjekat e popullit dhe duke premtuar se sikur me magjinë e Harry Potterit do t’i sjellin zgjidhjet për të gjitha problemet e secilit qytetar.

Do të shohim aderime të shumta të kota të artistëve dhe të sportistëve nëpër parti politike, edhe kjo pjesë e atij argumenti se marrja nuk jeton më në Kosovë. Do të shohim transfere dhe riciklime politikanësh nga njëra parti në tjetrën, edhe kjo si pjesë e argumentit se marrja nuk jeton më në Kosovë.

Mendësia e politikëbërjes në Kosovë nuk e tejkalon interesin e rehatimit të prapanicës në kolltuk, servilitetin e skajshëm ndaj shefit dhe rehatimin e të afërmve familjarë dhe grupeve të interesit. Ja kaq e ka diapazoni i politikëbërjes në Kosovë. E parë dhe e sprovuar për 20 vjet rresht.

Kombajnat e korrjeve të votave partiake tashmë veçse janë në terren. U janë lyer pjesët mekanike me atë masën yndyrore industriale, të cilën dikur e quanim "pezhve". Kombajnat e korrjeve të votave partiake do t’i shihni nëpër kafenetë e qytetit, nëpër vendet e juaja të punës (në institucionet publike kryesisht), do t’i shihni në evenimente kulturore e sportive. Materialet propaganduese të kombajnave të korrjeve të votave do t’i gjeni edhe para dyerve të shtëpive tuaja. Fytyra të vizlluara dhe të hekurosura me photoshop në fletushkat partiake do t’i gjeni edhe të vendosura nga kombajnat e korrjeve të votave, edhe në kofanot e veturave tuaja. Këtë fjalë "shqipe" e mësuam vetëm tani rishtazi kur Mihail Kokëdhima në Qeparo u kap për kofanon (shofer shajbnën) e veturës, në të cilën gjendeshin turistët spanjollë të cilët më nuk po i donin shërbimet e tija të tejvonuara në restorantin e tij.

Kjo ngjarje do të meritonte shkrim të tërë në vete, por si ngjarje është konsumuar, prandaj nuk do të merrem më shumë me të.

E vetmja gjë për të cilën populli dhe qytetarët e Kosovës në fund të muajit shtator apo në fillim të muajit tetor nuk do të kenë mungesë, do të jetë kripa dhe eksencia për turshitë e tyre. Kripë do të ketë me bollëk aso të freskët industriale direkt nga goja e secilit politikan, e eksenci nga qerja e secilit prej tyre. Turshitë do të vijnë shumë më shpejt se premtimet e tyre. Në fakt, premtimet e tyre as që do të mbërrijnë fare ndonjëherë. Kështu që na mbetet t’i gëzohemi bereqetit të turshive.

Kur përmenden turshitë, gjithmonë më kujtohet babai im i ndjerë, ai i kishte aq shumë për qejfi ato. Ishte shpianik i mirëfilltë. Ndihmonte shumë në përzgjedhjen e blerjes së zarzavateve, si dhe përgatitjen e tyre. E ajo ishte një ritual në vete… lakrat, specat me qumësht e me mazë, turshitë e gjalla, ajvari, pingjuri, suxhuku, mishi i terur, ishin kohëra të tjera ato… Fundja tash nuk ke nevojë të përgatisësh kurrfarë turshish. I gjen të gatshme në raftet e marketeve kosovare kudo, ku gjithashtu mund të hasësh në kombajnat e korrjeve të votave partiake.

P. S. Ramush, Kuvendi u shpërnda e ti ende nuk more përgjigje prej Gjykatës Kushtetuese se cilat janë përgjegjësitë tua pasi që ke dhënë dorëheqje. Hiç mos bën fushatë, se nuk i dihet ndoshta përgjigjen ke me e marrë pozitive, vetëm të kushtëzojnë me thënë "tuk, tuk në vend përgjithmonë" para se vendimi të hyjë në fuqi.

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani