OpEd

Urgjent: Ndaleni hemorragjinë e parasë

Për gjashtë vjet janë shpenzuar mbi gjysmë miliardi euro duke mbushur vrima buxhetore. Si të ndalet zbrazja e xhepave të qytetarëve?

1.

Mund të mos jetë shumë e ditur publikisht, por nga xhepat e qytetarëve, madje edhe atyre që nuk kanë lindur ende gjatë gjashtë vjetëve të kaluar u janë marrë gjysmë miliardi euro. Skema është e thjeshtë dhe quhet “borxhi i brendshëm”. Qeveritë, në mungesë të mjeteve buxhetore, hyjnë në borxh duke emetuar letra me vlerë. Lajmi për këtë nga mbledhjet e Qeverisë as që mbërrin të publikohet; nuk zgjon ndonjë interes te mediet deri në ditën kur Banka Qendrore e Kosovës jep një komunikatë dhe thotë, sikur sivjet, se Kosova tashmë ka borxh 1.1 miliardë euro, prej të cilave mbi 600 milionë janë borxh i brendshëm, pra ai për të cilin nuk ka dëgjuar kush as në mbledhjet e Kuvendit e as në lajmet televizive.

Pyetja është se ku shkuan ato para? Në shtete normale qeveritë shpjegojnë se do të marrin hua, brenda dhe jashtë shtetit, në mënyrë që të gjenerohet rritja ekonomike dhe të krijohen vende të reja pune. Në shtete si Kosova, ku ka pasur rritje të pamjaftueshme ekonomike (të matur kryesisht nga investimet infrastrukturore) dhe zvogëlim të numrit të vendeve të punës, asnjë qeveri deri më sot nuk shpjegoi se si i ka përdorur paratë e huas.

2.

Për ata që duan shpjegim, nuk duhet pritur indikatorët e ndërlikuar statistikorë dhe tabelat vështirë të kuptueshme. Mjafton të përcillen gjestet e Qeverisë. Për shembull, kur Qeveria fali borxhin nga ambalazhuesit e ujit krijoi një vrimë buxhetore që duhet mbushur, pra me kredi. Për shembull, kur Qeveria ia fali “Bechtel-Enkas” 53 milionë euro si dëmshpërblim për dëmin e pabërë, krijoi një vrimë buxhetore që duhej mbushur. Dhe, kur Qeveria vendosi të pranonte se çdo ditë të pasçlirimit është prodhuar një veteran i UÇK-së që duhet paguar me pension të përjetshëm, atëherë krijoi një vrimë të madhe buxhetore që duhet mbushur nga burime të tjera, pra nga kredia që duhet ta paguajnë gjeneratat e tjera. Sepse, ndonëse qeveritë paraqesin buxhete me zëra dhe ndarje të atilla që gjoja nuk lejojnë që paratë e dedikuara për një gjë të shpenzohen për destinim tjetër, edhe për buxhetet, si për politikën dhe sigurinë, vlen i njëjti ligj: nuk ka hapësirë të zbrazët, çdo zbrazëtirë mbushet me përmbajtje. Buxheti i shpenzuar me nikoqirllëk nuk do të kërkonte borxh (të brendshëm apo të jashtëm) për të mbuluar shpenzimet që ka mundur t’i mbulonte vetë buxheti.

Pra, kur një qeveri fal borxhe, paguan dëme të paqena dhe rehaton çdo kushëri si veteran, ajo këtë nuk e bën me një buxhet abstrakt; e bën duke futur duart në xhepin e qytetarit të sotëm dhe të atij që nuk ka lindur ende.

3.

Dhe indikatorë janë zëvendësministrat. Kur Qeveria vendosi që të punësojë aq zëvendësministra dhe staf administrativ për ta sa kanë kapacitet për të dërguar partitë e koalicionit, nuk krijoi aq vrimë buxhetore sa tregoi natyrën e qeverisjes: Qeveria është aty në radhë të parë për të përmbushur nevojat e partive në pushtet dhe individëve që i drejtojnë.

Kjo është vija ndarëse prej së cilës duhet të fillojë përshkrimi i partive që do të shpalosin platformat e tyre për “ndryshim”. Si të ndryshohet qeverisja , në mënyrë që ajo të mos jetë për përmbushjen e nevojave të klaneve politike dhe regjionale që marrin pushtetin?

Ekziston një mënyrë se si do të mundë të matet qëllimi për të kaluar prej njërës formë të qeverisjes në tjetrën dhe ajo quhet pyetje. Pra, pyetja që u shtrohet partive që duan ta marrin pushtetin është se si do ta kufizojnë borxhin publik, veçanërisht atë të brendshëm? Ministrat e financave deri tani kanë shpjeguar se ende jemi larg prej kufirit të vetimponuar 40 për qind të BPSH (vendi është diku te 17 për qind), por ky nuk është shpjegim i mjaftueshëm. Pyetja nuk është se si t’i bëhet kur të mbërrijë në 40 për qind, por është se si të ndalet hemorragjia (gjakderdhja) e deritanishme buxhetore, e cila çdo gabim me apo pa dashje, çdo humbje të qëllimshme apo jo buxhetore e shndërron në borxh të brendshëm?

Pyetja e radhës është se si të ndërpritet shpenzimi i parasë publike në projekte ad-hoc, që përafërsisht janë përkthyer me “hajt ta nisim një autostradë, e planifikojmë rrugës”. Për partitë që duan pushtetin është thelbësore të deklarohen jo vetëm për autostradën e Dukagjinit - si projekti i radhës për të shpenzuar pa kontroll dhe për të krijuar pasuri private nga përqindja e kontratës - por edhe për mirëmbajtjen e autostradave të tanishme. Ato kushtuan shtrenjtë dhe mund të kenë prodhuar shumë para për pushtetarët, por tashmë kërkojnë para të dedikuara për mirëmbajtje. Dhe qytetari mund të supozojë fare lehtë: nga xhepi i tij u morën paratë për asfalt dhe për provizionin e pushtetarëve dhe tash ka ardhur koha që nga xhepi i tij të paguhet mirëmbajtja.

Dhe, pyetja më së lehti e kuptueshme e radhës do të jetë: sa ministri do të ketë Kosova? Sa zëvendësministra? Sa staf? Sa vetura me targa “Z” duhet të paguajë qytetari? Apo, nëse duam të flasim për ndryshim tërësisht rrënjësor të qeverisjes: pse ka fare nevoja për vetura me targa “Z”, përtej nivelit kryeministër/ministër?

4.

Që të gjitha këto janë pyetje që, duke marrë përgjigje, në fund shndërrohen në buxhetin e ardhshëm të Kosovës.

Partitë që do të formojnë Qeverinë e ardhshme pasi të kenë paguar dëmin e parë, me shkëputjen e kontratës me “ContourGlobal”, do të ballafaqohen me vrimën e madhe buxhetore që ia krijon pagesa e pensioneve për veteranët e UÇK-së. Cilido të jetë numri i tyre (e ai nuk ka të ndalur me sistemin e tanishëm të cilësimit të “veteranit të luftës”) ajo që do të quhet ndryshim apo statu-quo është reformimi apo jo i konceptit të shpërblimit për pjesëmarrje në luftë. Kosova e ka zgjedhur konceptin më të keq, të ngarkimit të buxhetit me dhënie pensionale, një kategori që mund të ekzistojë në buxhetin e vendit për 50 vjetët e ardhshëm.

Dhe, kur partitë që do të fa formojnë Qeverinë e ardhshme të ulen për të marrë vendim, do të ballafaqohen me faktin se tashmë kanë hyrë në terrenin e rrëshqitshëm të narracionit historik: kush ka luftuar, kush e ka çliruar, kush ka më shumë merita, kush ....?

Në këtë qark vicioz të rrëfimeve historike, në dyert e Qeverisë do të trokasë një rrëfim historik pa mbarim, “dialogu” me Serbinë.

(Nesër: Mos u fshihni pas Serbisë)