OpEd

Momenti më i mirë i Jeremy Corbynit?

Me Johnsonin kryeministër, një prej detyrave të Corbynit është që ta ofrojë një alternativë për përfundimin e turpërimit prej negociatave në vazhdim e sipër. Kjo i bie që të angazhohet për tërheqjen e nenit 50, në mënyrë që t’i japë kohë Qeverisë laburiste për ta zbatuar agjendën e investimeve të gjelbra, politikave antikursim që janë në një vijë me internacionalizmin progresiv të partisë, derisa njëkohësisht e organizon Asamblenë Diskutuese të Qytetarëve për formulimin e pyetjes(eve) që do t’u nxirren përpara votuesve gjatë një referendumi të dytë Brexiti. Beteja midis këtyre dy alternativave të qarta – të Johnsonit dhe Corbynit – në zgjedhjet e përgjithshme do ta fuqizonte popullin e Britanisë, të paktën, për ta përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre

Athinë, 31 korrik – Boris Johnsoni është i pari kryeministër Britanik pas shumë kohësh që nuk ka dilema kur bëhet fjalë për qasjen ndaj Bashkimit Evropian. Për të mirë a të keq, strategjia e Johnsonit për marrjen e pushtetit e ka lënë atë me vetëm një opsion të mundshëm: Harroji negociatat me BE-në para afatit të Brexitit më 31 tetor, thirr zgjedhjet e reja të përgjithshme po atë ditë, kërkoje mandatin popullor për divorcin nga Evropa pa marrëveshje e “pa nëse apo por” dhe pastaj ulu sërish dhe shikoji rivalët e brendshëm dhe të huaj tek djersijnë.

Lënë anash të metat e një Brexiti pa ujdi, Johnsoni nuk e ka ndonjë alternativë funksionale. Udhëtimi në Bruksel për ta rinegociuar marrëveshjen e Brexitit të paraardhëses së tij do të ishte gabim taktik. Dështimi i Theresa Mayit e reflekton paaftësinë për t’i veçuar interesat më të gjera të BE-së prej motiveve specifike të establishmentit.

Duke e pasur parasysh zgjedhjen midis përfitimeve prej eksportuesve kontinentalë dhe riafirmimit të modus operandit të burokracisë, kryenegociatori i BE-së, Michael Barnier, dhe liderët politikë prapa tij pothuajse pagabueshëm do ta zgjedhin këtë të fundit. Secili propozim për ndryshime të dukshme në marrëveshjen e tërheqjes të negociuar nga qeveria May, madje edhe ato që janë në interesin afatgjatë të BE-së, kësisoj do të refuzohet.

Johnsoni nuk duket se do ta përsërisë gabimin e Mayit. Ai sigurisht se mund të joshet t’i vërë në sprovë shkathtësitë e tij retorike me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron. Por Dominic Cummings, shefi i tij efikas i stafit (dhe drejtori dinak i fushatës për Voto Daljen më 2016) padyshim se do ta rikujtojë Johnsonin se gjëja e fundit që i duhet është ta ekspozojë publikun britanik para një tjetër skene të rikthimit të kryeministrit të tyre nga Kontinenti me duart bosh. Meqë e ka shfrytëzuar këtë ndjenjë të poshtërimit për t’u bërë kryeministër, Johnsoni do të ishte i marrë po ta përjetësonte atë.

Në mungesë të gjasave reale për mbajtjen e negociatave kuptimplota para 31 tetorit dhe i përballur me një Parlament të fragmentuar që nuk është në gjendje të dakordohet rreth çfarëdo opsioni të Brexitit, Johnsoni mund t’i thërrasë zgjedhjet e përgjithshme që të rastisin me afatin përfundimtar të 31 tetorit. Duke e bërë një gjë të tillë ai njëkohësisht i neutralizon deputetët e tij të rebeluar dhe i vë votuesit përballë një sfide të qartë: “Jepini fund këtij procesi të marrë Brexiti tani, duke ma dhënë mua mbështetjen, apo lejoni që ky poshtërim të vazhdojë nën një qeveri të prirë prej laburistëve të Jeremy Corbynit, asaj që mundë të ketë nevojë për mbështetjen e nacionalistëve skocezë që duan ta përfundojnë Mbretërinë e Bashkuar”.

Politikanët opozitarë dhe komentuesit që aludojnë se publiku është i alarmuar nga të metat e shumta në karakterin e Johnsonit duket se e nënvlerësojnë joshjen për përfundimin, një herë e përgjithmonë, të negociatave që britanikët – si ata që e favorizojnë daljen ashtu edhe ata që janë për mbetje në BE – i shohin si ofenduese.

Manifesti i Brexitit të zorshëm do ta ndihmonte Johnsonin që ta shkatërrojë partinë në ngritje Brexit dhe ta ribashkojë elektoratin mbështetës të daljes, për të parën herë që prej triumfit në referendumin e qershorit të 2016-s.

Ndërkohë, mbështetësit e mbetjes në BE vazhdojnë të jenë thellësisht të ndarë jo vetëm midis liberaldemokratëve dhe laburistëve, por edhe midis partive mbarëbritanike e skoceze dhe uellsiane. Ka ndodhur rrallëherë më parë që një kryeministër i ri, i cili e mori në drejtim një qeveri të çrregullt dhe një parti të ndarë, ta ketë shteg kaq të qartë të dominimit potencial.

Ndonëse sondazhet sugjerojnë ringjalljen e liberaldemokratëve, prapëseprapë e vetmja pengesë përpara synimit të Boris Johnsonit për dominim është partia Laburiste e Corbynit. Mbështetësit e flaktë të mbetjes e kanë kritikuar ashpër Corbynin për refuzimin që ta kthejë partinë Laburiste në një degë elektorale të fushatës për zmbrapsjen e Brexitit. Ata ia përmendën kritikën e tij për masat e kursimit të imponuara nga BE-ja dhe paragjykimin oligarkik si dëshmi se nuk ka qenë i krejtësisht i sinqertë kur, në qershor të 2016-s, ka bërë fushatë për mbetje në BE me zotimin për reformimin e bllokut.

Ama Corbyni e kishte me të drejtë kur u tregua i nuancuar në mbështetjen e tij për mbetje. Nuk ishte as Vladimir Putini, as Facebooku dhe as gënjeshtrat zhurmëmëdha të fushatës për dalje ato që e nxorën Brexitin në piedestal. Dhe nuk ishte as qëndrimi kritik i krejt nesh (përfshirë DiEM25-shin), që, njësoj si Corbyni, bëmë fushatë me frazat si: “Në BE. Kundër kësaj BE-je!”.

Jo, aleati më i mirë i fushatës për Dalje ishin figurat e establishmentit, nisur prej Tony Blairit deri te Christine Lagarde. Ata u tundën ndërmjet Projektit Frika (duke paralajmëruar një Armagedon post-Brexit) dhe përshkrimit rozë të BE-së që e lustroi vendimmarrjen e saj antidemokratike, menaxhimin mizantropik me krizën e euros dhe gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që uzurpojnë parlamentet dhe kërcënojnë disa prej të arriturave më të mëdha të BE-së.

Që prej referendumit të vitit 2016, atmosfera mbizotëruese si e luftës civile e ka bërë përherë më të pamundshëm mbajtjen e bashkëbisedimeve të civilizuara midis mbështetësve të daljes dhe atyre të mbetjes. Corbyni u përpoq trimërisht që t’i mbajë të bashkuar favorizuesit e daljes dhe ata të mbetjes përbrenda partisë Laburiste, duke e kërkuar një kompromis të ndershëm: Britania do të dilte formalisht nga BE-ja, për ta respektuar rezultatin e referendumit, duke mbetur pjesë e sa më shumë strukturave të bllokut që është e mundur – përshirë unionin doganor. Në vend se të duartrokitet për këtë akt të guximshëm balancimi, kundërshtarët e Corbynit përbrenda partisë Laburiste, bashkë me establishmentin liberal, u treguan mjaftueshëm të paskrupullt sa t’i drejtojnë të gjithë mbështetësit e daljes kah Nigel Farage dhe Johnsoni, për ta sulmuar atë me ligësi të jashtëzakonshme.

Por kjo ishte atëherë dhe tash është kështu. Me Johnsonin kryeministër dhe strategjinë e tij kristal të qartë, detyrë e Corbynit është që ta ekspozojë të vërtetën rreth Brexitit pa ujdi të Johnsonit – që do të thotë, se ajo nënkupton një Brexit alla-Trump – dhe ta çojë përpara planin laburist për t’i dhënë fund menjëherë përvojës së hidhur të Brexitit që nuk di të soset.

Corbyni së pari duhet t’u tregojë votuesve se Qeveria Johnson do ta kthejë Britaninë në një shtet vasal të SHBA-së trumpiane dhe të kombeve të shumta të etura për t’i uzurpuar institucionet e dashura të vendit (sidomos Shërbimin Kombëtar të Shëndetit).

Johnsoni do ta lidhë Britaninë me një aleancë globale të regjimeve populiste/nacionaliste dhe t’ia shkatërrojë krejt gjasat për ta udhëhequr Evropën dhe botën me një Ujdi të Re të Gjelbër, që e rishikon modelin e dështuar afarist britanik të bazuar në taksa të ulëta, paga të ulëta, investime të ulëta dhe financa të parregulluara.

Detyrë e dytë e Corbynit është që ta ofrojë një alternativë për përfundimin e turpërimit prej negociatave në vazhdim e sipër. Kjo i bie që të angazhohet për tërheqjen e Nenit 50, në mënyrë që t’i japë kohë Qeverisë laburiste për ta zbatuar agjendën e investimeve të gjelbra, politikave antikursim që janë në një vijë me internacionalizmin progresiv të partisë, derisa njëkohësisht e organizon Asamblenë Diskutuese të Qytetarëve për formulimin e pyetjes(eve) që do t’u nxirren përpara votuesve gjatë një referendumi të dytë Brexiti.

Beteja midis këtyre dy alternativave të qarta – të Johnsonit dhe Corbynit – në zgjedhjet e përgjithshme do ta fuqizonte popullin e Britanisë, të paktën, për ta përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre.

(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)