Vetëpërjashtimi

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 21 July 2019 08:05

Ka vetëm një rrugëdalje nga kriza dhe vetëm një shans që të lajnë turpin ata që ua gërditën vendin qytetarëve të ndershëm, atyre që edhe kur ka qenë më keq nuk janë dorëzuar - të largohen vullnetarisht nga institucionet. Të binden vetë ata se ardhja, por më shumë qëndrimi i tyre në krye të shtetit është fatkeqësi

Na është bërë zakon ta fajësojmë Bashkimin Evropian, apo disa shtete veç e veç që po vendosin standarde të dyfishta për rrugën që duhet të ndjekë Kosova në procesin e integrimit. Jemi po të njëjtit që nuk prajmë së fajësuari edhe pushtetin tonë për keqmenaxhim, korrupsion, nepotizëm, kapje të shtetit... Për një proces që ka ngecur në fillimet e saj fajtorit duhet vënë emrin dhe është puna më e lehtë për t’u bërë.

Do të ishte e pandershme ta fshehim të vërtetën e gjendjes së keqe në Kosovë, duke sajuar bilance pozitive dhe perceptime të rrejshme se vendi meriton të lëvizë më shpejt drejt BE-së. Se i ka kryer detyrat e shtëpisë.

Të gjitha raportet flasin të kundërtën, për ndalje të procesit nga brenda. Në shumë drejtime edhe për prapakthim.

Muaji i fundit, ashtu si edhe të gjithë të tjerët e të viteve të shkuara, dëshmojnë se pse faji më shumë është yni sesa i BE-së në procesin e integrimit. Problemet e shfaqura në këtë periudhë dikush mund t’i përkufizojë si “të brendshme” dhe që s’kanë shumë të përbashkëta me pengesat që pamundësojnë, sidomos liberalizimin e vizave. Por, sado periferike, ato shpërfaqin fytyrën e vërtetë të qeverisjes së vendit gjatë gjithë 20 viteve të fundit.

Mosakreditimi i programeve studimore për tri universitete publike është njëri nga ata që nxori lakuriq pushtetin.

Nuk ka më keq për një shoqëri, udhëheqja e së cilës jeton në luks të shfrenuar, e pjesa më e madhe e qytetarëve në dëshpërim, të përballet me lajmin e keq të radhës. Jo pse u është pamundësuar regjistrimi i studentëve të rinj në këtë vit akademik, se ky do të duhej të ishte lajm pozitiv, porse, të tillave institucioneve arsimore u janë besuar fëmijët, ndërsa profesorëve u janë ndarë paga nga buxheti i shtetit.

E keqja tjetër është se “kuadrot” e dala nga ato dyer udhëheqin institucione, procese, e fate të afro 2 milionë njerëzve. Në perceptimin e “profesionistëve” të edukuar në “universitete” që se kalojnë provimin, shteti e shoqëria konceptohen ashtu si mënyra e studimit.

E për të na vërtetuar se të këqijat nuk kanë fund, na shfaqet reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai vihet hapur kundër vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Kërcënon dhe fyen ata që guxuan t’i shpallin luftë mungesës së rregullit në sistemin e arsimit, më kaotikun që njeh bota moderne.

Nuk e dimë nëse ka kërkuar raport për arsyet e mosakreditimit. Por e dimë se ky nuk është reagimi i parë i tij, i këtij lloji. Po të ishte më racional, kryeministri, këtë vendim ka mundur jo vetëm ta mbështesë, por edhe ta përdorë si argument të dyfishtë pozitiv – se agjencia gëzon pavarësinë në funksionimin e saj dhe se sistemi i arsimit është në rrugën e mirë të daljes nga kriza e thellë.

Pamundësimi i regjistrimit të studentëve në institucione, që nuk përmbushin kriteret elementare, po ashtu, ka qenë një shans i artë që Agjencia të korrigjojë gabimin e parë që Haradinaj e bëri në ditët e para të marrjes së kontrollit mbi Qeverinë, kur urdhëroi shkarkimin e Bordit dhe drejtorit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës - Bordit që kishte gjetur një mal shkeljesh ligjore në institucionet e arsimit të lartë, që kishte refuzuar me të drejtë akreditimin e dhjetëra programeve studimore, kishte zbuluar falsifikime e afro 100 të punësuar jashtëligjshëm në po ato institucione, dhe për më shumë kishte afirmuar Agjencinë ndërkombëtarisht.

Vendimi për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit çoi në përjashtimin e Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe në degradimin e statusit të Agjencisë nga “anëtare me të drejta të plota” në “anëtare nën shqyrtim” në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Në një vend, s’po themi perëndimor, por pak më normal se Kosova, do të duhej të binte Qeveria që në muajin e parë të krijimit të saj. E në vendet e BE-së, ndërhyrja në institucionet e pavarura në mënyrën si ka bërë dhe bënë Qeveria e Kosovës, nuk do të mjaftohej me largimin e saj, ajo do të futej në historinë e skandaleve e mbase edhe në literaturën shkencore si shembull e qeverisjes antidemokratike.

Momenti i dytë i keq i muajit është dështimi i institucioneve komunale dhe qendrore për t’i hapur rrugë ndërtimit të sallës koncertale. Dështimi i këtij projekti është bërë i ditur në fillim të vitit. Ashtu si pak muaj më vonë edhe humbja e 12 milionë eurove fonde ndërkombëtare për ndërtimin e deponisë për materie të rrezikshme. Dhe, më shumë se për humbjen e këtyre milionëve, zhurma më e madhe u bë për fondin e premtuar për kulturën nga BE-ja. Ridestinimi i 15 milionëshit nga një projekt kulturor në një tjetër energjetik nuk do të duhej të ishte thelbi i problemit, por papërgjegjësia institucionale, mungesa e bashkëveprimit dhe neglizhenca për të ndërtuar partneritet me institucionet ndërkombëtare.

Momenti i tretë është skandali me provimin për noterë. Ky proces është gjykuar si i dështuar për shkak të komprometimit të tij. Ndërhyrja e njerëzve të pushtetshëm në përzgjedhjen e kandidatëve e ka shndërruar atë në çështjen kryesore të muajit, bashkë me ndërhyrjen flagrante të Haradinajt në punën e një agjencie të pavarur. Të afërm të zyrtarëve të lartë partiakë e institucional, përfshirë edhe të kryetarit të PDK-së, janë renditur në krye të listës së noterëve të ardhshëm.

Momenti i katërt është raporti i Zyrës së Auditimit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Gjetjet e saj janë skandaloze. Afro një milion euro ndahen në vit për pensione për të vdekurit, për personat që janë në marrëdhënie pune dhe për persona që përfitojnë edhe nga një tjetër skemë pensionale. Nuk është fenomen i vitit 2018. Është i “ligjshëm” që nga paslufta. Ashtu si u legjitimua mashtrimi me listat e veteranëve të UÇK-së - jo duke u shtuar 4-5 veta, por 40 mijë.

Momenti i pestë, është njoftimi që autoritetet e Gjermanisë ia bënë të ditur Qeverisë nevojën që ky shtet ka për afro 70 mijë infermierë dhe strategjinë që plotësimi i tyre të nisë me kuadrot nga Kosova. Qeveritarët u munduan ta cilësojnë si ditë historike ardhjen e ministrit gjerman dhe projektin “për ndihmë shëndetësisë së Kosovës”, ani që investimet do të bëhen për nevojat e tyre, e jo për të mbuluar turpin e politikanëve të Kosovës që për 20 vjet nuk arritën të sigurojnë jetë dinjitoze për qytetarët e tyre.

Duhet të jemi korrektë dhe të përgjigjemi në pyetjen - po të ishim në vend të BE-së a e kishim pranuar në familjen tonë një shtet që prodhon kaq shumë probleme vetëm brenda një muaji, që ka këso udhëheqje abuzuese, me nivel kaq të lartë të korrupsionit e me institucione të papërgjegjshme e të komprometuara. Një shtet nga i cili qytetarët, shumica të rinj, nuk ikin vetëm se kanë hallin e bukës, strehës e të shkollimit, por se pushteti atyre ua ka cenuar integritetin, i ka fyer, poshtëruar dhe i ka shndërruar në numra. Një shtet ku njerëzit e ndershëm ndiejnë neveri kurdo që u përmendet emri qeveritarëve, deputetëve..., ndiejnë neveri kurdo që fytyrat e tyre shfaqen në publik. Një shtet ku njerëzit ikin, jo se kanë frikën se do të vdesin urie apo se në vendet e dyta shpresojnë të kenë më shumë, por ikin se nuk duan të çmenden.

Nuk është e lehtë për vendet e BE-së të ulen në të njëjtën tryezë me liderët e Kosovës, të ndajnë fatet e kontinentit me ta, të ndërtojnë strategjitë e zgjerimit e të sigurisë, politikat sociale dhe të zhvillimit ekonomik, po me ta. Apo, t’i adresojnë problemet e krimit të organizuar dhe korrupsionit me këtë strukturë që për shumë vite drejton shtetin e Kosovës, e që botërisht dihet se është emëruesi i çdo të keqe që i ka ndodhur vendit nga paslufta e këndej.

Ka vetëm një rrugëdalje nga kriza dhe vetëm një shans që të lajnë turpin ata që ua gërditën vendin qytetarëve të ndershëm, atyre që edhe kur ka qenë më keq nuk janë dorëzuar - të largohen vullnetarisht nga institucionet. Të binden vetë ata se ardhja, por më shumë qëndrimi i tyre në krye të shtetit është fatkeqësi për vendin.

Vetëpërjashtim jo vetëm në rrugën drejt BE-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi