Diskreditimi

Bekim Kupina Bekim Kupina 17 July 2019 10:10

Mosakreditimi i barakave universitare publike në Mitrovicë, Pejë e Prizren duhet të përcillet me masë të njëjtë në Ferizaj, Gjilan e Gjakovë. Siç i ka krijuar politika, duhet edhe t`i mbyllë. Në natyrën e universiteteve, humbja një herë e akreditimit do të thotë diskreditim, ndaj një tentim i dytë është vazhdim i politizimit të procesit për ta ruajtur qetësinë sociale e elektorale për atë duzinë mësimdhënësish e pak studentë që kanë gjetur strehë në këto kampe të ashtuquajtura universitare.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të mos i akredituar universitetet publike në Mitrovicë, Pejë e Prizren është vetëm kësti i parë i dëmit që kanë bërë themeluesit e tyre.

Kur në vitin 2012 është marrë vendim për themelimin e Universitetit të Pejës, pikërisht mosplotësimi i kritereve e bëri atë me akreditim 1- vjeçar.

Ligji aktual i arsimit të lartë i jep të drejtë akreditimi një institucioni të arsimit të lartë, nëse ai ofron kurse apo programe të akredituara për pesë vjet.

“Haxhi Zeka”, megjithatë, u akreditua për një vit në rrethana të paqarta ligjore.

Që prej atëherë, askush s`e ka problematizuar cilësinë e as bazën ligjore mbi të cilën ka funksionuar ai.

Një kontestim të tillë vjet e ka bërë Drenori, student regjie në këtë universitet, dhe disa kolegë të tjerë të tij nga Dega e muzikës.

Pas një vit akreditimi, Dega e regjisë e humbi atë në vitin 2018. Për afro dy vjet studime, Drenori mësoi disa aspekte teorike nga fusha e regjisë, porse nuk pati mundësinë asnjëherë që punën praktike ta bënte me kamera të universitetit. U detyrua të paguante shërbime private në funksion të përpjekjes për ta përmbushur ambicien e tij rinore për t`u bërë regjisor.

Skenari i tij sikurse edhe dëshira mbetën në gjysmë. Dega e regjisë nuk u akreditua, e ai dhe kolegë të tij ia vunë fundin regjisë, skenarin e të cilit e bëri politika.

Një protestë e mbajtur për këtë çështje kaloi pothuajse heshtazi e mbështjellë me përpjekjen e autoriteteve të universitetit për t`i bindur se një ditë, kushedi se kur regjia do të akreditohet.

Si zakonisht, në kontekstin kosovar, është dashur ekspertë të huaj ta thonë se ky dhe dy universitete të tjera kanë ngelur këtë vit akademik.

Rrjedhimisht, sipas vendimit të KSHC-së, këto tri universitete nuk do të jenë akredituar për këtë vit akademik, por do ta kenë të drejtën për të konkurruar vitin tjetër. Sërish një derë hapur për të tentuar edhe një herë për ta akredituar diskreditimin. Situatë komike kjo, kur një universitet herë i plotëson e herë nuk i plotëson kriteret për akreditim.

Në natyrën e universiteteve, humbja një herë e akreditimit do të thotë diskreditim, ndaj një tentim i dytë është vazhdim i politizimit të procesit për ta ruajtur qetësinë sociale e elektorale për atë duzinë mësimdhënësish e pak studentë që kanë gjetur strehë në këto kampe të ashtuquajtura universitare.

Mbyllja e barakave universitare publike në Mitrovicë, Pejë e Prizren duhet të përcillet me masë të njëjtë në Ferizaj, Gjilan e Gjakovë. Siç i ka krijuar politika,duhet edhe t`i mbyllë. Mirë është të transformohen në shkolla profesionale, ku mund të prodhohen profile të përdorshme konform nevojave aktuale të tregut. Ende në Kosovë shërbyesit hotelier, përveç mungesës enorme të kulturës së komunikimit, kanë edhe mungesë të dijes themelore për punën që bëjnë.

Kundruar nga prizmi elektoral, vendimi për mbyllje të këtyre karantinave rezulton me më pak vota për partitë që sponsorizuan themelimin e tyre.

Pushtetarët nuk janë në panik nga cilësia që ofruan ato, por nga përkthimi i numrit të studentëve në vota. Sa më pak vota për këtë klasë politike, më shumë kredo e cilësi arsimore!

Prandaj këto hapësira të ashtuquajtura universitare nuk po i shpëtojnë nga falimentimi as emrat e mëdhenj patriotikë që iu dhanë, si përpjekje meskine politike për t'ua rritur kredencialet akademike!

Më mirë të harxhohet energji e buxhet për ta këndellur Universitetin e Prishtinës dhe për t`ia forcuar konkurrencën private, sesa t`iu vazhdohet jeta barakave që prodhojnë kontaminim arsimor, kulturor e politik!

Këstin e dytë të dëmit që ka shkaktuar kjo klasë politike duke krijuar universitete mëhallësh do ta paguajë kjo shoqëri, kur nesër secili nga ta me një letër në dorë do të marrë pozita në cilindo institucion dhe nën epitetin e ekspertit do ta ketë zor ta bëjë dallimin ndërmjet “kontestit” e “kontekstit”.

E këstin e tretë dhe më fatalin, shoqëria do ta paguajë kur dikush nga ta do të ulet në karrigen e ligjvënësit, prej nga do të shquhet për aftësinë e ngritjes së dorës, në 99 për qind të rasteve sipas direktivës së shefit të partisë.

Kjo s`ka të bëjë gjë me akreditimin. Në fakt, është vetëm fillimi i diskreditimit të akademizmit të shpifur në këto filiale universitare, ku dija është subjekt negocimi dhe ku titujt shkencorë gjithnjë e më tepër ngjasin me profile fallxhorësh. Që të gjitha universitetet publike drejtohen nga poltronë politikë të subjekteve politike që e kanë makiavelizuar vendin që prej 20 vjetësh.

Ish-kryeministra, ministra e eksponentë të këtyre subjekteve udhëheqin këto universitete, tamam sikur të ishin degë partie. Me besnikëri po, porse fare me dell akademik!

Situata e tillë prodhon paradokse sikurse në një bashkëbisedim të kolegëve universitarë në Prizren.

“Po ligjëroj në aq shumë lëndë, saqë po harroj në cilat”, i ka thënë njëri ligjërues tjetrit.

Ta merr mendja, sepse ky dhe universitetet e tjera kanë ndërtuar konsensus për t`u liruar nga vlera në funksion të numrave. Logjika e masivizimit i ka shndërruar në histeri studimet. Nuk ka ditë të lume kur ligjërues, kryesisht të privatëve, me raste postojnë në rrjete sociale fotografi nga diplomimi i studentëve, thuajse kanë mbrojtur teza të reja shkencore që ia rrëzojnë relativitetin Ajnshtajnit!

Sipas statistikave të bëra publike në media, vjet afro 17 për qind e studentëve bullgarë emigruan në universitetet perëndimore, duke përfituar nga liria e lëvizjes. Kjo bëri që disa prej universiteteve më në zë të këtij shteti të përballen me vështirësi serioze në plotësimin e kuotave të regjistrimit të studentëve.

Situatë e tillë e kërcënon Kosovën nesër a pasnesër, apo një ditë. Kur Kosova ta fitojë liberalizimin e vizave, shumë të rinj perspektivën e studimeve do ta kërkojnë në universitete perëndimore. E natyrshme kjo!

Nëse politika frikësohet nga vendimet e dhimbshme, sigurisht që një veprim të tillë një ditë do t`ia lehtësojë një situatë e dhimbshme.

Nëse sot nuk ka guxim që t`i thuhet stop prodhimit të mediokritetit, nesër objektet e këtyre universiteteve mund të shndërrohen në monumente kujtese. Me një epitaf: Këtu dikur ishte një universitet. 2012-2019!

bekim.kupina@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina