Seanca e rrenave komuniste dhe neonaziste në Bundestagun gjerman

Enver Robelli Enver Robelli 11 July 2019 08:08

E djathta ekstremiste gjermane dhe e majta ekstremiste gjermane vazhdojnë të jenë kundër lirisë së Kosovës dhe të shërbejnë si banda të Milosheviqit, Vuçiqit dhe Putinit.

Parlamenti gjerman së fundi e vazhdoi praninë e ushtarëve gjermanë në Kosovë - edhe për një vit. Është misioni më i gjatë ushtarak gjerman në botën e jashtme. Partitë kryesore gjermane, konservatorët e kancelares Angela Merkel dhe socialdemokratët e ministrit të Jashtëm, Heiko Maas, e përkrahën vazhdimin e mandatit.

Si në vitet e kaluara edhe sivjet e majta ekstremiste proruse (DIE LINKE) e përshkroi Kosovën me ngjyrat më të zeza. Sivjet të majtës gjermane iu bashkua edhe Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë, që duartrokitet nga neonazistët, nga Rusia dhe nga regjimi sirian i kriminelit të luftës Bashar al-Asad. Një deputet i AfD-së e quajti ish-ministren amerikane të Punëve të Jashtme, Madeleine Albright, “kasape të Ballkanit”. Ky deputet është me origjinë çeke. Madeleine Albright u lind në një familje hebraike në Pragë. Ndërsa deputetja Sevim Dagdelen, me origjinë kurdo-alevite, edhe sivjet përsëriti gënjeshtrat e njëjta, siç i përsërit që nga viti 2005, kur u zgjodh në Bundestag si kandidate e DIE LINKE, të majtës proruse.

Dagdelen vajtoi edhe për “sulmin” e Kosovës kundër një “punëtori rus të OKB-së” dhe për “sulmet brutale” kundër serbëve të Kosovës. Një deputet i ekstremit të djathtë (AfD) tha se “NLA” (me gjasë mendonte në të ashtuquajturën “Armata Kombëtare Shqiptare”, AKSH) ende kryen sulme në Maqedoni. Çfarë fantazie, çfarë tmerri, çfarë rrene, çfarë krimi parlamentar. Kush e ka menduar se në Parlamentin gjerman, në Bundestagun e famshëm, ekstremistët e majtë dhe të djathtë, të gjithë deputetë, do të flasin siç fliste Slobodan Milosheviqi para 30 vjetësh në Gazimestan, kur paralajmëroi luftëra, pastaj ndezi luftëra, shkaktoi rreth 150 mijë viktima, mbi dy milionë refugjatë, dhe dogji miliona biografi. Vdiq i padënuar në një qeli në Hagë.

Është thjesht e pabesueshme se çfarë propagande kundër Kosovës bëhet në qarqet ekstreme politike në Gjermani. E pabesueshme është po ashtu se si një deputete e Partisë së Gjelbër (Katja Keul) u deklarua kundër themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, armatimin masiv, aleancat e Beogradit me shtetet antiperëndimore – nuk i përmendi askush nga ekstremistët e kuq, bojëkafe dhe jeshil në Bundestagun gjerman. E pabesueshme sa rrenën e përhapën në Parlamentin gjerman gjithë këta ekstremistë.

Dhe e pabesueshme se si përfaqësuesit e partive qeveritare gjermane nuk tregonin aq shumë vendosmëri për të mbrojtur të vërtetën historike të konfliktit të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen dhe do të bëhet edhe më keq, nëse Kosova nuk e pastron skenën politike. Dy dekada pas luftës është momenti i fundit që Kosova të sjellë në pushtet një gjeneratë tjetër të politikanëve.

Kjo gjeneratë do të jetë e aftë të mbrojë Kosovën. Nuk do të jetë injorante si klasa sunduese politike aktuale e Kosovës që nuk ka haber pothuaj për asgjë dhe krejt ekspertizën e bazon në thashetheme. 20 vjet pas çlirimit të Kosovës duhet përmendur, për shembull, emrat e dy shpifësve më të mëdhenj gjermanë, të cilët minimizuan, bagatellizuan dhe injoruan krimet e Beogradit mbi shqiptarët e Kosovës. Gazetarët proserbë (promilosheviqianë), Mathias Werth dhe Jo Angerer, të televizionit publik gjerman WDR, menjëherë pas luftës sajuan filmin dokumentar me titullin: “Filloi me një rrenë” (Es begann mit einer Lüge). Ata pretendonin se ndërhyrja e NATO-s ishte e ndërtuar mbi rrena, sepse më parë në Kosovë serbët pothuaj s’kishin kryer krime masive. Ky film edhe sot citohet nga politikanët e ekstremit të majtë dhe të djathtë gjerman dhe shërben si “dëshmi” për arsyetimin e krimeve masive serbe ndaj shqiptarëve. Kosova nuk duhet t’i harrojë emrat Mathias Werth dhe Jo Angerer. Ata kanë bërë aq shumë dëm. Por Kosova nuk duhet të harrojë as emrat e atyre gazetarëve gjermanë që demaskuan propagandën serbomadhe në mediat gjermane. Këta gazetarë janë gjallë. Por Kosova zyrtare nuk i njeh, sepse Kosova nuk po e njeh as veten.

Trupat gjermane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë edhe një vit. Pas një viti me gjasë në Bundestagun gjerman do të zhvillohet debati i njëjtë: deputetët e partive qeveritare do të mbrojnë praninë e ushtarëve gjermanë në Kosovë, ndërsa e majta ekstremiste dhe e djathta ekstremiste do t’i recitojnë në Bundestag fjalimet e njëjta. A do të ketë Kosova një përgjigje në vitin 2020?

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli