Lugina e Preshevës, adresat e rrugëzgjidhjes

Emin Azemi Emin Azemi 05 July 2019 10:09

Politikanët e Luginës së Preshevës më shpesh duhet të shkojnë në Bruksel e në Uashington, kurse rrallë në Prishtinë dhe shumë më rrallë në Tiranë. Nëse ata vazhdojnë ta konsiderojnë veten pjesë e estabilishmentit politik të Kosovës, atëherë, ata, pa vetëdije, bëhen pjesë e një problemi madhor, që quhet “mosmarrëveshje Prishtinë-Beograd”.

Beogradi do ta ketë më lehtë të merret me Luginën e Preshevës nëse kjo fundit i lidhë të gjitha shpresat me Prishtinën zyrtare. Pra, Beogradi do të donte ta ketë Luginën e Preshevës gjithmonë si gurë shantazhi, sa herë që Prishtina zyrtare demonstron politika më të dinjitetshme në procesin negociues.

Këtë lojë, si duket politikanët e Prishtinës dhe Preshevës nuk e kanë kuptuar ende. Lugina e Preshevës, përfundimisht duhet të ndjek një rrugë autentike të luftës politike për të përfituar atë që shumë rajone në Europë, përmes betejave politike në shtetet multietnike, organizimin e tyre politike institucional, tashmë e kanë tejkaluar si model (vetë)qeverisjeje.

Politikanët e Luginës së Preshevës më shpesh duhet të shkojnë në Bruksel e në Uashington, kurse rrallë në Prishtinë dhe shumë më rrallë në Tiranë. Nëse ata vazhdojnë ta konsiderojnë veten pjesë e estabilishmentit politik të Kosovës, atëherë, ata, pa vetëdije, bëhen pjesë e një problemi madhor, që quhet “mosmarrëveshje Prishtinë-Beograd”.
Lugina e Preshevës ka paguar shtrenjtë aventurizmin politik të Prishtinës dhe paternalizmin pa mbulesë të Tiranës. Kjo, madje i ka konvenuar tepër Beogradit, i cili interesimet e Prishtinës dhe Beogradit për këtë pjesë të krahinës shqiptare i ka përkthyer si “përzierje në punët e brendshme”.

As Prishtina, as Tirana kurrë nuk kanë pasur një strategji si ta zgjidhin çështjen e Luginës së Preshevës. Në mungesë të kësaj strategjie, ata janë marrë me karamelizimin e kërkesave jetike të shqiptarëve të këtij krahu, duke ushqyer tek ata iluzione të rrejshme për ndonjë mrekulli që as ata vet s’i kanë besuar.

Pankarta me politikanë të Tiranës nëpër sheshet e Preshevës dhe Bujanocit, kolona të gjata nxënësish në pritje të buzëqeshjeve false që nuk prodhuan kurrfarë efekti praktik në mirëqenien e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, janë disa nga balonat e mbushur me optimizëm pa mbulesë që në instancë të fundit - iu kushtuan shtrenjtë njerëzve të kësaj krahine, të cilët sot janë më keq se më parë. Ata vuajnë mungesën e institucioneve vendore administrative, kulturore, informative të cilat nuk mund të ngritën me fondet qesharake që Tirana e Prishtina i dedikon.

Marrëdhëniet fragjile në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë pamundësuar që Prishtina zyrtare të demonstrojë ndonjë kujdes efikas institucional kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Këta të fundit madje nuk kanë arritur ta sigurojnë as privilegjin minimal të serbëve të Kosovës, të cilët ende harxhojnë energji elektrike pa e paguar atë, ndërkohë që vogëlushëve të Luginës së Preshevës nuk iu mundësohet të kenë Abetaren mbarëkombëtare.

Politikanët shqiptar që vinë nga Presheva e Bujanoci duhet t’i kthehen organizimit autentik, duke ngritur të gjitha kapacitetet e veprimit politik, mbi të gjitha në planin diplomatik dhe duke e intensifikuar betejën propagandistike në arenën ndërkombëtare. Këta politikanë duhet pak a shumë ta ndjekin modelin e organizimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët veprimin e tyre institucional nuk e përzien me bashkëpunimin brendakombëtar dhe nuk i lejuan vetes luksin e të qenit pasiv dhe të varur në raport me çështjen madhore që ishin jetike për ardhmërinë e tyre. Sikur politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të kishin vegjetuar (lexo: mrizuar) në Prishtinë e Tiranë, siç po veprojnë aktualisht politikanët e Preshevës e Bujanocit, çështja kombëtare e tyre do të vazhdonte të trajtohej si çështje e brendshme, pa dimensionin e impaktit ndërkombëtar dhe pa frikën se statusi i pazgjidhur i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut mund të ketë implikime edhe rajonale, siç ndodhi realisht me krizën e vitit 2001, e cila shumë shpejt u përfshi në agjendat e interesimit diplomatik ndërkombëtar. Pra, me fjalë të tjera politika shqiptare në Maqedoni të Veriut ndoqi frymën e angazhimit autentik që ishte kompatibile me nevojat dhe rrethanat vendore, duke qenë gjithmonë në konsultim të vazhdueshëm me Prishtinën dhe Tiranën, por pa iu lejuar atyre rolin paternalist, që në disa raste (sidomos Tirana zyrtare) kanë ditur ta kthejnë në mjet disavantazhi.

Adresa e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdon të mbetet Beogradi, por letrat me përmbajtje shumë serioze duhet të nisen nga Brukseli e Uashingtoni. Gjithë ata intelektualë pensionistë nga Presheva e Bujanoci që aktualisht gëzojnë shëndet të mirë nëpër kafehanet Prishtinës, ende nuk janë bërë pjesë e preokupimit kombëtar të kësaj krahine për përpilimin e një strategjie kombëtare, e cila në formë platforme a master-plani do t’i dërgohej Brukselit e Uashingtonit, si udhërrëfyes që do të ndihmonte edhe diplomacinë ndërkombëtare t’i kuptojë drejt kërkesat legjitime dhe realiste të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Modelet e pastudiuara dhe pashfrytëzuara të organizimit rajonal që aktualisht janë prezent në Europë, duhet të përfshihen në valixhet diplomatike të intelektualëve të Preshevës e Bujanocit dhe të zbrazen në zyrat e komisionerëve europianë e amerikanë në Bruksel e Uashington.
Përfundimisht, më e efektshme për politikanët e Luginës së Preshevës do të ishte hapja e një zyre ‘ndërlidhëse’ në Prishtinë, e cila do të shërbente si ‘urë diplomatike’ me Brukselin e Uashingtonin, por edhe si kabinet i intelektualëve të Preshevës e Bujanocit, se sa humbje kohë nëpër korridoret e administratës së Thaçit, Veselit e Haradinajt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Emin Azemi