OpEd

Shënimet që mungojnë

Krimet e luftës i kemi çuar në harresë, në përpjekjen për t’u shëruar nga “traumat”, për të kompensuar “vitet e humbura” duke shijuar maksimalisht dhe deri në çmendi “vitet e mbetura”, për të mos provokuar tensione ndëretnike, dhe, më kryesorja, për t’ia dhënë shansin “pajtimit historik”

Janë bërë 20 vjet nga ekzekutimi i pjesëtarit të UÇK-së, Avdullah Tahiri, ndërsa ai po mbahej në burg i dënuar nga regjimi i Serbisë me 4 vjet, me akuzën për veprimtari armiqësore dhe terrorizëm. Ndërsa po mbushte gati një vit qëndrim në qeli, më 19 maj të vitit 1999 ai qëllohet për vdekje nga policia serbe në Burgun e Dubravës.

Vrasja e njërit nga themeluesit e UÇK-së për Zonën e Karadakut ndodhi vetëm një javë para se në Tribunalin e Hagës të ngrihet aktakuza kundër liderit serb Slobodan Milosheviq, e para kundër tij për krimet e kryera në Kosovë, që më pas u zgjerua edhe për krimet në Bosnjë e Kroaci.

Ndërsa edhe këtë vit kujtojmë reagimin ndërkombëtar politik e ushtarak kundër Jugosllavisë së mbetur dhe paralajmërimin për nxjerrjen para drejtësisë së udhëheqësve të saj, në këtë përvjetor nuk mund të mos kujtosh viktimat e atij regjimi.

Ata që kanë njohur Avdullah Tahirin nuk kanë dyshuar se ai edhe mund të ketë këtë fund në skenën ku vetëm të guximshmit dalin në vijën e parë të frontit.

Në vitin 1981, në shenjë proteste ka hedhur tabakanë me ushqim në Mensën e Studentëve në Prishtinë, duke u bërë iniciuesi i parë i shprehjes publike të pakënaqësisë me kushtet e jetesës, që më pas avancuan me kërkesa politike, me organizimin e demonstratave masive dhe aktualizimin e kërkesës për Kosovën Republikë.

Misioni i tij nuk ishte disaditësh, as disamuajsh, ishte i përjetshëm. Nuk u mjaftua as me rolin e heroit të protestave studentore për t’u promovuar në nivelet “komanduese” politike të viteve ‘90, siç bënë shumë nga shokët e tij, edhe të idealit. Për të, aktiviteti në shërbim të kauzës së çlirimit dhe bërjes së shtetit nuk kishte mbërritur fundin. Nuk ka pasur aktivitet kundër regjimit të Serbisë që ai nuk ka qenë protagonist, për të vazhduar deri në episodin e fundit, më të vështirin në historinë e re të shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa ende flitej me gjysmë zëri për krijimin e formacioneve ushtarake, Avdullahu, në një tubim të mbajtur në Gjilan, më 1998, ndërsa u shpreh i pakënaqur me diskursin e folësve para tij, bëri thirrje për bashkimin e forcave politike rreth UÇK-së, si të vetmin shans për të dalë fitimtar. Për të ishte thirrje e zakonshme e për një pjesë goxha sfiduese – po flitej publikisht dhe në pikë të ditës për organizim ushtarak.

Ai i thirrjen ia kishte drejtuar vetes para se t’ia bënte të tjerëve. Tashmë kishte nis aktivitetin ushtarak, kishte krijuar grupin e armatosur... Për të është ditë shumë pak në publik derisa u dha lajmi se është kapur nga policia serbe.

Me të marrë vesh këtë, me kryetarin e Degës së KMLDNJ-së në Gjilan, Fazli Avdullahu, vizituam po atë ditë shtëpinë e tij. Na priti gruaja e tij, që mbahej e fortë, ndonëse i duhej të kujdesej e vetme për fëmijët dhe me dilemën nëse do ta shihte edhe një herë tjetër bashkëshortin.

Rrëfeu për gazetën, por edhe për Këshillin, për brutalitetin e policisë gjatë bastisjes. Shtëpia ishte përmbys e tëra nga brenda. Ishin demoluar edhe pjesë të mureve të shtëpisë, në kërkim të armëve, uniformave, emblemave... Të njëjtën ditë në fshatin Malishevë ishin bastisur edhe shtëpitë e pjesëtarëve të tjerë të grupit që drejtohej nga Avdullahu.

Familjet e Avdullahut, por edhe të Fatmirit, Bashkimit… atë ditë nuk i kishte vizituar njeri i gjallë. Njerëzit që pamë rrugës shikonin me habi tek futeshim në shtëpitë e ushtarëve të UÇK-së. Nuk mund të besonin se po kundërshtohej njëmend regjimi i Milosheviqit, se njerëzit me uniforma të UÇK-së kishin zbarkuar shumë pranë tyre.

Avdullahu dhe familja e tij ishin të vetëm në këtë dramë. Nuk kishte asnjë zë publik që u dilte në krah, që u jepte kurajë e që u ofronte mbështetje morale - për institucionale nuk bëhej fjalë.

Për mua nuk ishte i panjohur inferioriteti i popullit. Po përballesha tërë kohën me ta dhe qasjen e tyre. Kjo ishte mendësia e shumicës, e ndieje kudo. Sakrifica deri në flijim ishte gjë që nuk bëhej, kurrsesi, as për lirinë e munguar kolektive. Ishte kultivuar thellë ndjenja e durimit, kukatjes dhe viktimizimit.

Kujtimi për “Dullën”, në përvjetorin e rënies së tij, por edhe në 20-vjetorin e ngritjes së aktakuzës ndaj atyre, që kishin urdhëruar vrasjen e tij dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë, ka një arsye shtesë.

E kisha njohur qëkur isha fëmijë, shumë vjet para se ai të burgosej. Në vitet ‘90 ishte i vetmi zë opozitar brenda LDK-së, të vetmit subjekt që kontrollonte institucionet paralele, ku ai ishte aktivist. Nuk gjeje njeri brenda këtij subjekti që të fliste për stërkeqjen e saj, por edhe të tërë lëvizjes politike, përveç Avdullahut. Ishte bërë “i padurueshëm” për tërë udhëheqjen e Gjilanit, se gjërat i thoshte troç në takimet e Kryesisë e edhe ato për Kohën, se nuk njihte autoritet tjetër përveç popullit, se interesin publik e shihte përtej adhurimeve për emra të përveçëm. Ishte ndër të rrallët që e kishte mbytur frikën - dalja në protestë e në luftë për të ishte festë.

Pas luftës për të janë bërë nderime të shpeshta, janë thënë edhe fjalë të mira. Edhe në 20-vjetorin e rënies së tij, javën që lamë pas ka pasur aktivitete të shtuara. Të afërm, miq e bashkëluftëtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e kujtimit të veprës së tij. Kishte edhe drejtues institucionesh, por që nuk do të duhej të dukeshin as aty, e as në asnjë përvjetor për të rënët.

Para se t’i bëjmë homazhe te varri, para se t’ia ndërtojnë shtatoren është dashur t’i japin përgjigje institucionale familjes së tij se kush e ka arrestuar, kush e ka torturuar, kush e ka dënuar, kush e ka nxjerrë nga qelia dhe kush e ka ekzekutuar. Nuk kanë qenë “kaçakë” ekzekutorët e tij, por zyrtarë të paguar të sistemit të Serbisë. Kanë emra e mbiemra.

Serbia ka pasur struktura të organizuara shtetërore për t’i çuar deri në fund operacionet e vrasjeve, dhunimeve, plaçkitjeve, djegieve e dëbimeve. Gjykata e Hagës ka vërtetuar aktakuzën dhe ka dënuar të akuzuarit. Nuk ka ekzistuar më dilema nëse në Kosovë kanë ndodhur krime lufte. Ka munguar vetëm vullneti politik për të ndihmuar nxjerrjen para drejtësisë të pjesës tjetër të zinxhirit komandues.

Për më tepër, që krahas Serbisë, edhe Kosova ka pasur struktura institucionale, sado të brishta, të krijuara dhe funksionale nga fillimi i viteve ‘90 e deri në fund të asaj dekade. Edhe sot mburren me to. Por, nëse nuk ishin për pushkë, nuk ishin as për protesta, të paktën kanë mundur që në atë shumësi zyrash të shpërndara gjithandej vendit të mbanin shënime. Por, fatkeqësisht, nga ato struktura s’janë mbajtur as shënime e s’janë ruajtur as kujtimet për ngjarjet e atyre viteve.

Kosova ka ndërtuar institucione qeveritare dhe të tjera të pavarura pas vitit 1999. As ato nuk kanë marrë mundin të mbledhin dëshmi për gjithë zinxhirin komandues të ushtrisë e policisë serbe, deri te nivelet e njësiteve të vogla që kanë operuar në terren. Tek tash disa liderëve politikë u ka dalë gjumi dhe duan që ky proces i mbetur në fillim të nisë nga zeroja. Dyshimet se nisma për tribunal ndërkombëtar, për dënimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës të kryera nga Serbia, është duke u bërë për qëllime politike, ka përçarë faktorin politik.

E ndërsa partitë politike vazhdojnë përplasjet, për të gjitha temat, përfshirë të pagjeturit dhe dëmet e tjera të luftës, shifrat e të akuzuarve gjatë 20 vjetëve janë qesharake në raport me krimet e kryera. Gjatë kohës sa sistemi i drejtësisë është udhëhequr nga misioni i OKB-së, prej vitit 2000 e deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, për krime janë akuzuar 19 shqiptarë, tre serbë dhe një malazias. Nga viti 2009 deri më 2018, sistemi i drejtësisë i udhëhequr nga EULEX-i ka akuzuar 39 shqiptarë, 11 serbë, një malazias dhe një rom. Ritmi nuk ka ndryshuar as pas transferimit të kompetencave nga misioni evropian tek institucionet vendore të drejtësisë.

Krimet e luftës i kemi çuar në harresë, në përpjekjen për t’u shëruar nga “traumat”, për të kompensuar “vitet e humbura” duke shijuar maksimalisht dhe deri në çmendi “vitet e mbetura”, për të mos provokuar tensione ndëretnike, dhe, më kryesorja, për t’ia dhënë shansin “pajtimit historik”.

E pikërisht plagët e hapura kanë bërë që sot të mos kemi rehati shpirtërore, të mos kemi pajtim, e, edhe më keq, t’u mbetemi përjetë borxh familjeve të Avdullah Tahirit dhe të rënëve të tjerë.