Moska humb në Vjenë

Enver Robelli Enver Robelli 23 May 2019 08:22

Rrëzimi nga pushteti i nënkancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, është një fitore e mediave të lira dhe e opinionit kritik që dëshiron ta mbrojë Evropën nga tendencat ruse për destabilizim të kontinentit. Bashkë me Strachen shkoi edhe Qeveria e kancelarit Sebastian Kurz, projekti i të cilit për neutralizimin e ekstremistëve duke i integruar në Qeveri dështoi.

Vjen një grua në një vilë në Ibiza, një grua e veshur lehtë, një grua që premton shumë mrekulli. Ajo premton para për fushatën elektorale dhe lideri i opozitës austriake, Heinz-Christian Strache, thotë: shumë mirë, nëse i fitoj zgjedhjet, nëse partia ime del e para, atëherë mund të flasim për çdo gjë, atëherë krejt tenderët publikë mund t’i marrësh. Rusja pastaj premton se do ta blejë gazetën me ndikim “Kronen Zeitung”, pa të cilën në Austri nuk mund t’i fitojë zgjedhjet pothuaj asnjë parti. Strache, lider i partisë ekstremiste FPÖ, fërkon duart nga gëzimi.

Është korriku i vitit 2017. Në vilën në Ibiza, ku një natë pa raki e kokainë kushton 395 euro, Strache dhe kolegu i tij Johann Gudenus (i martuar me një serbe me origjinë nga Bosnja) flasin për të ardhmen e tyre të ndritshme politike. Pak muaj më vonë, Strache do të zgjidhet nënkancelar i Austrisë në Qeverinë e kancelarit Sebastian Kurz. Strache është i gatshëm të bëjë pazare me tenderë, t’i falë tenderë një personi potencialisht të lidhur me Rusinë. Kur i bën këtë premtim solemn ruses së panjohur, Strache nuk e di se disa kamera po e incizojnë.

Të shtunën Strache dha dorëheqje pasi mediat gjermane (“Der Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung”) publikuan detaje nga incizimi. Rrëzimi nga pushteti i nënkancelarit Heinz-Christian Strache është një fitore e mediave të lira dhe e opinionit kritik që dëshiron ta mbrojë Evropën nga tendencat ruse për destabilizim të kontinentit. Strache dha dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të FPÖ-së, një partie të ekstremit të djathtë që në radhët e veta ka funksionarë që hapur nxitin urrejtje kundër myslimanëve, BE-së, Angela Merkelit. Bashkë me Strachen ra edhe Qeveria e kancelarit Kurz, projekti i të cilit për neutralizimin e ekstremistëve duke i integruar në Qeveri dështoi.

E shtuna ishte një ditë mahnitëse. Ishte mahnitëse të shohësh se si “Der Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung” janë bashkuar dhe e kanë hulumtuar, me gazetarët më të mirë, skandalin e politikanëve austriakë. Ishte mahnitëse të shohësh se si mediat e pavarura e kanë parasysh vetëm interesin publik dhe i japin një goditje të rëndë atyre politikanëve që nuk e kanë problem të shesin vendin dhe të punojnë si argatë të Vladimir Putinit. Ishte mahnitëse të shohësh se si presioni medial përkthehet në presion të madh publik, dhe brenda pak orësh e rrëzon një zëvendëskryeministër të një shteti anëtar të BE-së, pastaj krejt Qeverinë. E shtuna ishte një ditë e mirë për të mësuar edhe popujt e Ballkanit. Mos i duroni politikanët plaçkitës dhe gorillat e tyre mediale. Dilni në rrugë, këtë po e thotë madje edhe ambasadori amerikan në Prishtinë.

E shtuna tregoi edhe diçka tjetër: fuqinë e mediave gjermane dhe një qëndrim të ashpër të Berlinit kundër Qeverisë austriake. Për shkak se në Qeverinë e Austrisë ka ministra që kanë lidhje të ngushta me Rusinë, shefi i shërbimit sekret gjerman (Bundesamt für Verfassungsschutz, BfV), Thomas Haldenwang, u ka thënë deputetëve gjermanë se nuk ka besim në shërbimet sekrete austriake dhe ngurron të bashkëpunojë me to dhe t’u vërë në dispozicion informata të ndjeshme. Haldenwang dyshon se ministrat e partisë populiste austriake FPÖ këto informata mund t’ia japin palës ruse. Me fjalë të tjera: mund të spiunojnë për Vladimir Putinin. Me rënien e Qeverisë austriake ky rrezik është shmangur.

Partia FPÖ mban lidhje të ngushta me politikanë serbë, si Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq. Kancelari konservator Sebastian Kurz kishte pranuar që partneri i koalicionit FPÖ të drejtojë të gjitha ministritë që kontrollojnë shërbimet sekrete austriake. Në krejt këtë muhabet duket mjaft indikative që në 9 muajt e fundit Qeveria austriake ishte më e zëshmja brenda Bashkimit Evropian që përkrahu hapur apo fshehur ndryshimin e kufijve të Kosovës, duke vënë në dispozicion edhe logjistikën për zhvillimin e bisedimeve mes palëve.

Të shtunën u thye një rekord: për 24 orë ra një qeveri e një vendi anëtar të BE-së. Populistët e Austrisë nga partia FPÖ me vite të tëra kanë kërkuar që të ketë sa më shumë mbikëqyrje me videokamera për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Kush e ka pritur që kjo dëshirë do t’i plotësohet shpejt FPÖ-së. Kur referët e futbollit tregojnë dëshmitë e regjistruara me kamerë, lojtarët dhe publiku nganjëherë nuk pajtohen. Në rastin e aferës së fundit politike në Austri, askush nuk e kontestoi vërtetësinë e videos. Gjërat morën rrjedhën e tyre. Dhe rekordi u thye. Nganjëherë Evropa përjeton edhe ditë të bukura.

Morali i këtij rrëfimi? Te cili shtet ju shkon mendja kur lexoni paragrafin në vijim? Ministra të lidhur me rrjete të drogës apo me aktivitete të tjera që u vjen duhmë korrupsioni. Shefa policie që nga frika se i keqtrajton pushteti, kërkojnë azil në vende të BE-së. Ministri që i japin tenderë multimilionësh një kompanie fiktive, e cila ka letra të falsifikuara. Ku ka bërë vaki kjo? Së fundi në Shqipëri. Por Qeveria ende është në pushtet. Dhe kryeministri i saj ende qëndis fjalime boshe. E këtu nuk dallon nga paraardhësit e tij. E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, kështu klithnin shqiptarë me plot shpresë në fillim të viteve 90-të. Shumë pak është bërë në këtë drejtim. Prandaj, gati gjysma e Shqipërisë është zbrazur. Për Kosovën nuk duhet humbur shumë fjalë. Vendi ende nuk e di se a e ka paguar me para të veta apo ndokush tjetër ia ka paguar hotelin në St. Moritz kryeministrit të Kosovës. Këto janë cikërrima në një shtet të varfër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli