Tallja

Flaka Surroi Flaka Surroi 30 April 2019 08:12

Ideja e paraqitjes së Thaçit para Komisionit ka qenë pikërisht që të mos e thotë asnjë fjalë të vetme në lidhje me përfshirjen e tij në procesin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Taktika e përzgjedhur e talljes me deputetët, pra me Kuvendin, dhe për pasojë me të gjithë Kosovën, e tregon më së miri natyrën e një njeriu që e mban nofkën e një zvarraniku vdekjeprurës.

Java filloi me kthimin e mbi 100 personave nga Siria, prej të cilëve 70 janë gra e fëmijë. Në një veprim të koordinuar me amerikanët, grupi i parë i madh i njerëzve që kanë shkuar në tokë të huaj, e për më tepër edhe kanë lindur atje, u kthye për t'u mbajtur tash të mbyllur në kampin e azilkërkuesve në dalje të Prishtinës.

Kthimi i një numri të madh fëmijësh bonjakë është shumë brengosje. Është pikëpyetje shumë e madhe po qe se kanë familjarë që do t’i marrin e të përkujdesen për ta. Nga ana tjetër, duke e marrë parasysh ambientin në të cilin kanë lindur e janë rritur, do të ketë shumë paragjykime prej atyre që do të mundë të bëheshin "prindër të përkohshëm" falë ndonjë skeme sociale.

Pra, ashtu siç qëndrojnë punët, burrat e kthyer qëndrojnë në paraburgim për shkak se e kanë shkelur ligjin që ndalon luftimin në shtet të huaj, ndërkohë që gratë, edhe pse me po të njëjtat akuza që i pretendon prokuroria, mbeten në arrest shtëpiak. Dhe Kosova, sërish, e besoj, është shteti i vetëm në botë ku të akuzuarit për terrorizëm mbahen në arrest shtëpiak.

Por hiç këto alogjizma juridike, janë edhe dy detaje që bien në sy në gjithë këtë situatë të keqe: një, që gratë e kthyera prej atje janë të mbuluara me trup e fytyrë, dhe se që të gjitha kanë avokate të gjinisë femërore. E nuk është se në çfarëdo forme me këtë që e shkruaj dua t'i nënçmoj avokatet, porse është indikative përzgjedhja e përfaqësueseve juridike, për shkak se ashtu e dikton besimi i këtyre grave që kanë zgjedhur të shkojnë në një shtet të huaj ta luftojnë një luftë që s'është tyrja.

Mst: Pse?

Sa më shumë që kalon koha aq më vështirë po e kam ta kuptoj arsyen e shkuarjes së tyre në Siri. Do të mundë ta lidhja me situatën e pashpresë që e jeton brezi i ri në Kosovë, pra kërkimin e shpëtimit nga mjerimi. Porse logjikisht do të mendoja se ikja do të bëhej nga perëndimi e jo nga lindja. Dhe jo në formën e mbulimit të vetes prej koke deri në këmbë dhe jo me kushtin që dikush të vendosë për to, për jetën dhe vdekjen e tyre.

E sa i përket mbulesës, pas kthimit të tyre nisën thirrjet për ndalimin me ligj të nikabit, dhe kjo kryesisht për shkaqe sigurie. E këtij debati mbase do të mundë t'i ndihmonte edhe një postim i mikut tim, teologut Xhabir Hamiti në FB: "Njeriu është i lirë të vishet si të dojë, por mbulimi i tërësishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Mbulimi i plotë i fytyrës është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara, si rezultat, kryesisht i injorancës fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar.

Sipas Kuranit, fytyra e njeriut edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër është – pa peçe, pa burka, pa ferexhe, pa nikabe. Ajo është e lartësuar estetikisht, si e tillë është e zbuluar, sepse në të janë shqisat më të rëndësishme "komunikuese” të qenies njerëzore: sytë, veshët, hunda, goja etj. Fytyra e njeriut në Kuran përmendet në raportin moral dhe emocional si pjesë shprehimisht shpirtërore e trupit të njeriut. (Me shpinë nuk mund të qeshim ose të mrrolemi! As me bark, as me gjoks, nuk qeshemi/murrëtohemi, etj.!) Vetëm në fytyrë shpërfaqen fuqishëm gëzimi, shendi e hareja, por edhe pikëllimi, mjerimi, depresioni, melankolia dhe zia.

Religjionet semite, as cilatdo fe të tjera të botës nuk e lidhin konceptin e lakuriqësisë me fytyrën e njeriut. Në Kuran dhe hadith fytyra e njeriut nuk trajtohet asgjëkundi si pjesë e trupit që është “lakuriq” ose “cullak”!

Por, duke iu kthyer arsyes së shkuarjes së disa qindra kosovarëve për të luftuar luftëra të shenjta në shtete të huaja, atë duhet kërkuar përfundimisht te politika e Kosovës, e cila që nga çlirimi nuk ka ditur ta menaxhojë raportin me fenë dhe me, siç e thotë Hamiti, interpretimet ideologjike fetare. Jo në pak raste ka pasur koketim ndërmjet politikës dhe bashkësive fetare, aq sa edhe myftiut të Kosovës madje i është njohur statusi i veteranit të luftës së fundit, në bazë të një dokumenti ku ai vetë e ka shkruar se komandant e ka pasur një ushtarak, i cili më vonë është bërë politikan.

Dhe, nuk ka ndryshe, pos gishti të kthehet nga ai që e ka mbajtur dhe ende e mban pushtetin në dorë për më shumë se një dekadë: Hashim Thaçi.

Mst: Hajgarexhiu

E njeriu i cili mendon se është ndonjë farë perandori, sillet si i tillë, edhe kur ftohet për intervistim nga përfaqësuesit e trupit që e ka zgjedhur kryetar të shtetit.

Fillimisht e shtyu ballafaqimin me Komisionin parlamentar disa herë, e më pas, për të dëshmuar se nuk e ka pasur ndërmend ta japë asnjë përgjigje, lejoi që ngjarja të ishte e hapur për opinionin dhe kamerat. Me të hyrë në sallë, nuk ia zgjati dorën askujt. Me shqipen e tij të nakatosur, fillimisht kërkoi që anëtarët e Komisionit të prezantoheshin -- e këta, së koti, e pranuan lojën e tij.

Më pas, i ndihmuar nga këshilltari i tij ligjor, nisi ta kontestonte emërimin e ekspertit të jashtëm që e kishte bërë vlerësimin dhe në fund konstatimin se me rastin e dëbimit të kurdisur të 6 shtetasve turq ishin bërë madje 31 shkelje ligjesh. Nuk i doli boll, por edhe iu kërcënua se do të ngrinte paditë penale, për shkak se këta deputetë, në formë të paautorizuar e paskan shkelur sigurinë e shtetit, duke u zbuluar sekrete shtetërore njerëzve gjithashtu të paautorizuar.

Kur erdhi radha e përgjigjeve në pyetjet konkrete, iu kthye taktikës së tij të patejkalueshme: qeshjes cinike dhe ofendimeve. Për dikë që nuk dihet nëse e ka shkrepur bile një plumb në luftë, është jashtëzakonisht e pahijshme që ta quajë Anton Qunin mercenar dhe ta shpallë Boshko Buhë - se ky njeri ka bile përgatitje ushtarake dhe ka qenë në Koshare, në kohën kur nuk dihej se nga ka qenë Hashim Thaçi.

Sidoqoftë, ideja e paraqitjes së tij para Komisionit ka qenë pikërisht që të mos e thotë asnjë fjalë të vetme në lidhje me përfshirjen e tij në procesin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Taktika e përzgjedhur e talljes me deputetët, pra me Kuvendin, dhe për pasojë me të gjithë Kosovën, e tregon më së miri natyrën e një njeriu që e mban nofkën e një zvarraniku vdekjeprurës.

Pa lënë së përmenduri se është kryetari i Kosovës që, sipas tij, i ka krejt kompetencat e mundshme në këtë shtet, u tregonte dhe në fund ua dëshmoi deputetëve se ai është mbi ligjin. Insistimi në shfaqjen e superioritetit dhe arroganca e pafund me sjellje të pahijshme për një kryetar, që supozohet se e paraqet unitetin e popullit, në fakt e dëshmoi më së miri mentalitetin e odës së burrave me të cilën e udhëheq politikën.

Po të njëjtin mentalitet me të cilin u është qasur negociatave me dostin e vet Vuçiqin, dhe me të cilin vetëm sa nuk e nënshkroi marrëveshjen e "kompromiseve të dhimbshme", që do të nënkuptonin këmbimin e territoreve, pa e ditur në të vërtetë nëse ky këmbim do të nënkuptonte edhe ndarjen e pasurisë së "Trepçës" me dostin e tij nëpërmjet ndonjë firme fantome.

Mst: Haradinaj në ofsajd

Fatkeqësia e paraqitjes së tij të djeshme në Kuvend është se ia ka krijuar bindjen se është i pathyeshëm, dhe se mund t'i manipulojë kur të dojë deputetët e Kuvendit. Sepse këta nuk e kanë fuqinë për ta shkarkuar, për shkak se kurrë nuk mund t'ia dëshmojnë shkeljen e Kushtetutës dhe kurrë nuk mund t'i mbledhin 80 votat e nevojshme për shkarkim. Ndërkohë që aty janë të ulur njerëzit si kryetari i Komisionit, që sa herë Thaçi djersitej i dilte në ndihmë me ndonjë koment a ndërprerje fjale.

E këtë bindje do ta marrë me vete edhe në Berlin të hënën, ku me siguri se do ta shprehë arrogancën e njëjtë edhe karshi Haradinajt, të cilin e mban në grusht, ngase mund ta rrëzojë kurdo që të dojë. Por mbase ky do të jetë momenti i kthesës edhe për Haradinajn -- dhe mbase vërtet do t'i qëndrojë stoik asaj që e ka përsëritur ka disa muaj: që nuk pajtohet me idenë e korrigjimit të kufijve dhe se janë broçkulla insistimet se Kosova mund ta marrë Luginën e Preshevës.

Por ishte mu Haradinaj ai i cili dje, pas protestës së VV-së, doli të thoshte se kjo protestë paraqiste ndërhyrje në drejtësi. E me këtë deklaratë krejt çka bëri është ta vazhdojë diskursin e krejt qeverive paraprake, që kërkesën legjitime për veprim efikas të organeve të drejtësisë e kanë quajtur ndërhyrje në drejtësi. Kjo, duke mos e përmendur kurrë asnjëherë ndërhyrjen që politika sunduese ia bën drejtësisë, duke e marrë parasysh numrin minimal, nëse jo inekzistent, të ndjekjeve penale të krimit të jakës së bardhë.

Deklarata e Haradinajt çon ujë në mullirin e Thaçit, i cili me refuzimin që të përgjigjet në pyetjet e Komisionit, në fakt i bën obstruksion drejtësisë. Edhe këtu do të mundë të pretendohej, me të njëjtin arsyetim, se opozita po ndërhyn në drejtësi, për shkak se po merret me një hetim që, në kushte normale, do të duhej ta bënte Prokuroria e Shtetit.

* * *

Ngjarjet e djeshme nuk janë kurrfarë befasie për Kosovën. Janë modus operandi i Thaçit, mjeshtrit të ikjes nga përgjegjësia për shkak se e ka fuqinë e madhe manipuluese dhe e ka rrjetin tepër të gjerë përkrahësish që kanë bërë karrierë duke iu falënderuar atij.

Nuk janë befasi as për shkak të faktit se shumë njerëz janë në gjendje ta kritikojnë, por shumë pak njerëz janë të gatshëm të shkojnë deri në fund me zbulimin e të bëmave të tij. E këtu, në rend të parë, barrën më të madhe të përgjegjësisë e mban LDK-ja: për shkak se i ndihmoi të mbijetonte politikisht jo vetëm një herë, porse edhe e bëri kryetar shteti, ndërkohë që refuzon që protestën ta shpërfaqë në rrugë, për shkak të broçkullave institucionaliste.

Ka shumë kohë që krejt Kosova e di se burimi i pjesës më të madhe të të këqijave që i jeton ia ka borxh Thaçit. Prej Kosovës do të varet se edhe sa kohë do të dojë të vazhdojë të jetojë si peng i tij.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi