Shuplakat

Flaka Surroi Flaka Surroi 02 April 2019 08:08

Ka edhe shumë kosovarë që nuk kanë prajtur së foluri, e që megjithatë kanë mbetur në margjina të vendimmarrjes, për shkak se nuk janë përfshirë në lojërat e partive politike. Po qe se vërtet të huajt mendojnë njësoj, se jemi hajna të vetvetes, mbase edhe ka ardhur çasti i fundit ku nuk do t'ua ofrojnë asnjë përkrahje këtyre që e udhëheqin vallen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit.

Ka kaluar shumë kohë qëkur, përnjëherë, filluan të na kërcasin shuplakat e ambasadorëve të akredituar në Kosovë. Në disa vjetët e fundit kryesisht kemi dëgjuar tek-tuk konstatime dhe ankesa se gjërat nuk shkojnë mirë dhe se duhet ndërmarrë veprime në të mirën e shtetit.

Mirëpo kjo që ndodhi këtë javë, mbase është zgjimi i ariut të fjetur, tashmë të ngopur me krejt abuzimin e pushtetit, dëshmitar i të cilit ka qenë prej vitesh. I pari në skenë doli ambasadori amerikan nëpërmjet një kumtese të Ambasadës. Aty qortohej Thaçi për shkak të zvarritjes së emërimit të anëtarëve të KQZ-së, në përpjekje për t'ia humbur fuqinë opozitës në këtë trup. Pas kërkesës së qartë se menjëherë duhej ta zhbllokonte procesin, Thaçi nuk vonoi më shumë se një orë a dy që t'i emëronte anëtarët e KQZ-së sipas formulës që e parasheh ligji.

Me këtë akt, u hap mundësia që edhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse tash bile teknikisht, nuk do të kishte pengesa, po qe se do të binte kjo Qeveri.

Mst: Ku ishit më herët?

Por përfundimisht goditja më e madhe erdhi nga ambasadori zviceran në Kosovë, Jean Hubert Levet. Do të me lejoni ta shpall "personalitetin e tremujorit të parë të 2019-s", njeriun i cili në përurimin e ujësjellësit në Drenicë tha: "Nuk është normale që Qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës së buxhetit për veteranët e luftës. Nëse paratë ruhen e nuk financohen veteranë të rrejshëm, do të mundë të ndërtoni më shumë se një ujësjellës. Është shumë e çuditshme të shohim se në këtë vend ka tri herë më shumë shërbyes civilë se në vendet e rajonit. Mjaft është bërë për ta përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim".

Dhe kësaj nuk ke çfarë t'i shtosh pos t'iu thuash donatorëve dhe përfaqësuesve të shteteve që na ndihmuan se po na vjen turp që të gjithë po hyjmë në thesin e njëjtë, për shkak të veprimeve të atyre që çohen e përgjigjen se në trevën ku është investuar në ujësjellës ka veteranë të vërtetë, përfshirë edhe kryetarin e shtetit. Na vjen turp që pos hajnisë me autostradat e shtrenjta dhe krejt ku ka pasur mundësi të "shnuken" paratë e buxhetit, nuk kemi ditur të bëjmë më shumë për veten. Se na vjen turp që nuk e kemi pasur fuqinë e mjaftueshme për t'i bindur të huajt se përkrahja politike abuzuesve "në emër të stabilitetit politik" do të kishte efektin që ambasadori e zbuloi javën e shkuar.

Reagoi Pal Lekaj, i cili kërkoi që ky ambasador të dëbohej, edhe pse të nesërmen disi sikur i kërkoi falje. Nuk pati reagim ama bash nga asnjë institucion që do ta kundërshtonte këtë deklaratë të papërgjegjshme nga përfaqësuesi i ekzekutivit, që tregon, pak a shumë, se të gjithë ata mendojnë njësoj.

Ajo që i mungoi deklaratës së Lekajt është që kur do të dëbohej ambasadori, do të duhej ta merrte me vete edhe përzgjedhësin e kombëtares në futboll, Challandes, për shkak se edhe ai është zviceran, dhe mundësisht t'ia ndalojmë hyrjen përjetë zonjës Micheline Calmy-Rey, që si ministre e Jashtme e Zvicrës, e para kishte deklaruar se Kosova duhet të pavarësohej.

Mst: "Intelektualët"

Porse nga mënyra e të shprehurit të Lekajt nuk duhet befasuar fare. Për shkak se është pjesë e qasjes së mujsharëve që besojnë se kanë te drejtë të thonë e të bëjnë çfarë t'u teket, e që për atë të mos e bartin asnjë pasojë.

Diskursi thuajse identik u dëgjua i replikuar në Kuvendin e Kosovës të enjten nga deputeti Zafir Berisha, me diplomë të SHLP-së në Gjakovë, Dega Gjeografi-Histori, d.m.th., i përgatitur për mësimdhënës. Duke folur për refuzimin e SBASHK-ut për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës, Berisha e ofendoi kryetarin e SHBASHK-ut duke e quajtur "kryedebill", që me automatizëm i bën të gjithë anëtarët e sindikatës debilë. "... në momentin që kryedebilli i sindikatave të arsimit ka dalën dhe ka thonë se për vazhdimin e mësimit vendosim ne a e mâm a s'e mâm dhe kur e mâm, kjo tregon për nivelin e tij edhe intelektual edhe njerëzor, se në cilën situatë kanë ardhën, do me thonën, një pjesë e rëndësishme e shoqërisë tonë... do me thon, armata e intelektualëve të cilët kanë përgjegjësinë për me dhânë dije fëmijëve që janë e ârdhmja e këtij shteti..." (sic!)

Do ta kuptoja hidhërimin e deputetit si prind që mund të konsiderojë se fëmijëve po u mohohet e drejta në shkollimin sipas ligjit, dhe do ta kuptoja mbase edhe tonin e ngritur në debat, por assesi nuk ka se si të përshëndetet ky fjalor, i cili për fat të keq e pasqyron varfërinë intelektuale edhe të një pjese jo të vogël të politikanëve të Kosovës. E fakti është se çështja e grevës ka qenë premtim zgjedhor i PAN-it, i cili nuk deshi ta plotësonte. Kur nisi greva, pas tri javësh koalicioni e pranoi kushtin e arsimtarëve, gjë të cilën është dashur ta ketë bërë që nga fillimi. Nga ana tjetër, përderisa e drejta në grevë e arsimit është e lejuar me ligj, dhe përderisa ligji e ndalon që fëmijëve t'u shkurtohet pushimi javor dhe ai periodik, është e kotë të kërkohet zëvendësimi i orëve të humbura. Kjo është pasoja të cilën duhet ta bartin edhe fëmijët për shkak të politikanëve interesxhinj dhe të papërgjegjshëm.

Mst: "Krimin duhet luftuar"

E deputeti Berisha është vetëm një pjesë e asaj strukture politike që e ka shkatërruar këtë vend me keqpërdorimet masive dhe abuzimin e pushtetit. Dhe nuk ka si të mos dhembin deri në neveri deklaratat që i dëgjojmë nga krerët e institucioneve kur, pasi që qortohen në formë indirekte në konferenca me të huajt në Prishtinë, dalin për të thënë se si korrupsioni duhet të luftohet në Kosovë. Për shembull Thaçi, në konferencën e OSBE-së kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, thotë: "Korrupsioni është një kërcënim serioz edhe për shtetet më të zhvilluara. Andaj, Kosova si shtet i ri duhet të jetë e pakompromis në luftimin e kësaj dukurie negative". E pas tij dëgjohet edhe Veseli: "Hajnat e kanë vendin në bankën e të akuzuarve, e jo në shtet".

E tash, pas këtyre deklaratave "epokale", mbase do të duhej kujtuar se PDK-ja e të dy personazheve më lart, e mban pushtetin në Kosovë që nga 2007-a, dhe duhet shtruar pyetjen: kush i instaloi krimin e korrupsionin në Kosovë? Megjithatë, i gjithë faji nuk mund të bjerë vetëm në PDK-në, që e bart përgjegjësinë më të madhe. Ai duhet t'u vishet edhe partive të tjera që kanë qeverisur këtë vend që nga çlirimi. Por, edhe me supozimin hipotetik se krimi e korrupsioni nuk janë vepër e tyre, pse atëherë kanë lejuar që ai të lulëzojë pandërprerë qe 12 vjet? Të dalësh me këso deklaratash na bën neve qytetarëve të skuqemi për ta, për shkak se ata që flasin dokrra e kanë humbur marrën moti.

E aq moti e kanë humbur saqë janë mësuar se të gjitha gjërat mund të ndreqen po qe se dikush mund ta marrë në telefon këdo, përfshirë edhe një deputet a dy, për të ndikuar në miratimin ose jo të ndonjë raporti. I tillë qe rasti të mërkurën kur Rexhep Selimi doli për t'iu thënë kolegëve se dikush e kishte thirrur në telefon që ta ndryshonte përmbajtjen e raportit për IPK-në. Kësaj që e tha ai iu bashkua edhe Labinot Tahiri, i cili u tregua madje edhe më i drejtpërdrejtë: "Nuk e kam ditë që edhe në parlament ka intervenca. Mua sot më kanë thirrur dy persona që mos me marrë pjesë në këtë komision e edhe një person zyrtar, puna që mos me ardhë me votu”.

Po normal që ka intervenca gjithkund, se po të mos ishte ashtu, as nuk na ishte bërë administrata kaq e madhe, e as nuk i kishim pasur gjithë ata veteranë të rremë, e as njëqind skema të tjera me të cilat sigurohen votat, për të sjellë në pushtet njerëz që çojnë dhe pranojnë intervenca. Dhe që kjo t'iu duket normale, sepse përderisa është në pushtet rri nën dardhë, e ai që rri nën dardhë, ha dardha.

* * *

Nuk e di nëse reagimi i ambasadorit zviceran paraqet pikën kthesë në qasjen e përfaqësuesve të huaj ndaj strukturës politike që e ka udhëhequr shtetin mbi një dekadë. Ajo që dihet është që qëndrimi i tij ka marrë shumë përkrahje nga shtetet e mëdha që e kanë përsëritur atë që e ka thënë ai: se tashmë nuk kishte thënë asgjë, të cilën nuk e kishim të ditur dhe se të gjithë të huajt po mendonin njësoj.

Ka edhe shumë kosovarë që nuk kanë prajtur së përsërituri të njëjtën gjë, e që megjithatë kanë mbetur në margjina të vendimmarrjes, për shkak se nuk janë përfshirë në lojërat e partive politike. Po qe se vërtet të huajt mendojnë njësoj, se jemi hajna të vetvetes, mbase edhe ka ardhur çasti i fundit ku nuk do t'ua ofrojnë asnjë përkrahje këtyre që e udhëheqin vallen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit.

Mosdhënia e vizave amerikane para një kohe ishte sinjali i parë, ani që arsyeja vërtet nuk e ka peshën për një dënim të tillë (taksa). Porse më e fuqishme do të ishte ndërprerja e përkrahjes, siç bënë britanikët, që nuk duan t'i fëlliqin duart me procedura të kurdisura punësimesh, apo edhe mosnjohja e zgjedhjeve atëherë kur konstatohet vjedhja industriale e votave. Për më tepër, do të ndihmonte edhe bllokimi i llogarive bankare jashtë Kosovës të politikanëve tanë (me kusht që nuk i kanë çuar paratë në parajsa fiskale), për shkak se çelësi i ndalimit të së keqes në këtë vend është që të goditen interesat personale të politikanëve. Sepse për shkak të interesit të tyre jemi në gjendjen çfarë jemi.

Të shpresojmë se shuplakat nuk do të ndalen, ngase politikanët tanë nuk janë njerëz që dinë të mbajnë inat gjatë. Ngase inatin nuk e kanë parim, por zanat. E si secili zanat, ai u përshtatet rrethanave të reja, e sidomos kur dëgjohet ndonjë shenjë alarmi prej dikujt që edhe mund ta ndalë çezmën. Pa çezme s'ka pushtet.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Sadiku03/04/2019 14:51

Ambasadori ka plotësishte të drejt, Reagimi prej injoranti nga Kadri Veseli na iritoj pa masë. Turp! Ndërsa reagimi nga Pal Lekaj tregon se qfarë niveli intelektual kan politikanët tanë. Ku jan intelektualët? Ku jan Akademia e Shkencave dhe e Arteve? Ku jan studentët? Turp!

Dritani02/04/2019 16:36

E nderuara Flaka, shuplaka duhet t`u jape ketyre maskarenjeve populli me vota, ndersa drejtesia me konfiskim te pasurise dhe burg te gjate. Shuplake duhet dhene ne radhe te pare kryemaskarait Hashim Thaqi, duke vazhduar Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Isa Mustafes, Kadri Veselit, etj. Kosova perfundimisht me nuk eshte per ndihma dhe ate qe shume vite. Ka aq mjete per te financuar cdo projekt, vetem se duhet larguar keta maskarenjte e siperpermendur dhe cakallet e tyre. Ata na turperuan dhe do te na turperojne duke kerkuar lemoshe neper bote e ne anen tjeter plackisin djersen tone. Kete mund ta bejme me vote.

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi