Ambasadori britanik, Ruari O'Conell mbështet ambasadorin zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.
“Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, ka shkruar O’Connell, transmeton Koha.net.
Kujtojmë se pak ditë më parë, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet është treguar i ashpër me politikanët kosovarë, gjatë qëndrimit të tij në Skenderaj.
Aty ka përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët. Ka folur edhe për korrupsionin në Kosovë.
“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, tha ai.
Edhe
Edhe Kosnetti pajtohet me O’Connellin rreth deklarimeve të ambasadorit zviceran për veteranët e rrejshëm
Deklaratat e ambasadorit zviceran e përkrahën edhe shumë eksponentë të tjerë, madje, u kritikua ministri Pal Lekaj i cili ka kërkuar largimin e ambasadorit.
Shkrimtari e publicisti Veton Surroi, në një postim në Facebook ka deklaruar se për këtë kërkesë ministri i Jashtëm i Kosovës duhet t’i kërkojë falje ambasadorit zviceran në Prishtinë.