Rrëfimi për qumështin, “anticivilizimin” dhe Amerikën

Veton Surroi Veton Surroi 08 March 2019 08:00

Taksa njëqindpërqindëshe ndaj Serbisë fsheh brenda shumë tregime, e asnjëri nuk ka të bëjë me ekonomi

1.

Pashë në kronikë televizive pretendimin se qumështi në Kosovë është shtrenjtuar shtatë për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për shkak të taksës 100 për qind të vendosur për mallra të Serbisë dhe BeH.

Një kronikë e përditshme televizive, në raportimin nga Serbia, tregon se nuk do të ketë negociata mes Serbisë e Kosovës për shkak të taksës “anticivilizuese” që po e dëmton ekonominë e Serbisë dhe jetën e serbëve në Kosovë.

Dhe, nuk janë të pakta kronikat televizive, posaçërisht gjatë muajit shkurt, që thonë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë përkeqësuar për shkak të taksës, madje se me mbajtjen e saj do të rrezikohet shkuarja e ushtarëve amerikanë nga Kosova.

Që të tria kronikat përmbajnë të vërteta. Që të tria, në fakt, tregojnë se si nuk ekziston e vërteta absolute dhe se, rrjedhimisht, këto të vërteta janë të interpretueshme.

2.

Ta marrim të vërtetën e parë, atë se është shtrenjtuar qumështi. Nuk besoj të jetë e kontestueshme se qumështi është shtrenjtuar me shtatë për qind, siç do të kenë shënuar me përpikëri anketuesit statistikorë. I kontestueshëm, besoj, është pretendimi se qumështi është shtrenjtuar për shkak të taksës së veçantë ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Nuk ekziston asnjë arsyetim ekonomik: qumështi që është prodhuar në Kosovë vazhdon të prodhohet pa marrë parasysh se çka bëjnë Serbia e Bosnja, ndërkohë që shtetet e ish-Jugosllavisë që kanë hise në tregun e qumështit të Kosovës - si Sllovenia, Kroacia e Maqedonia - nuk janë ndikuar fare prej taksës. Taksa, në rastin më të keq, ka mundur të shtonte vëllimin e importit nga këto shtete, e hapja e tregjeve për prodhues zakonisht përcillet me ulje çmimi, jo me rritje. Pra, prodhuesi i Maqedonisë a Kroacisë që ka dashur ta zërë vendin e boshatisur nga qumështi serb a boshnjak ka më shumë gjasa ta ketë ofruar qumështin e vet me çmim më të lirë sesa më të shtrenjtë.

Kështu tash dalim te taksa që shërben për të fshehur një anë tjetër të së vërtetës. E ajo mund të jetë se rrëmuja politike rreth taksës u ka shërbyer tregtarëve që të ngrisin çmimet. Çmimet, për nga natyra, nuk janë vetëm formula matematikore ekonomike (një shumë e shpenzimeve prodhimi, distribuimi, tatimi, fitimi etj.), por rrëfime (çmimi i punës a distribuimit është rrëfim, ai i tatimeve të shtetit është rrëfim) dhe tregtarët këtyre rrëfimeve ua kanë shtuar shtatë- përqindëshin e rrëfimit të rrëmujës, frikës a çkadoqoftë tjetër.

Kjo mund të jetë njëra e vërtetë, por, mund të ketë edhe interpretime të tjera. Njëri prej tyre është cikli vicioz i rritjeve të shpenzimeve buxhetore. Gjatë muajve të kaluar Qeveria ka rritur në formë enorme paranë për rroga e dhënie sociale. Kjo shkakton që rritjes së pritur të të ardhurave të të punësuarve në sektorin publik tregtarët t’i përgjigjen me rritje çmimesh.

Taksa ndaj Serbisë e Bosnjës, kështu, u shërben tregtarëve që të fshehin rritjen e çmimit dhe Qeverisë që të fshehë se duke rritur sasinë e parave për të punësuarit, veteranët, e kështu me radhë, nuk bën gjë të rrisë standardin: që të gjithë ata që marrin më shumë para do të shohin se duhet të shpezojnë më shumë, sepse ndërkohë do të rriten çmimet. Dhe do ta pësojnë ata që duhet të gjenerojnë rritjen e këtij vendi: sektori privat dhe ata që gjenden në anën e gabuar të tregut të punës, të papunët e fëmijët që dikur duhet të paguajnë borxhin e brendshëm të fshehur që e krijon çdo qeveri për ngritje artificiale rrogash.

3.

Rrëfimin për taksë e ka shfrytëzuar edhe Serbia. Taksa prej 100 për qind nuk do mend se është “anticivilizuese” dhe nuk do mend se është e drejtuar kundër ekonomisë së Serbisë. Marrë kështu, nuk do mend se konsiderohet e dëmshme edhe për serbët e Kosovës.

Por, ky rrëfim ka interpretime të tjera të së vërtetës. Në njëzet vjetët e kaluar Serbia nuk e ka përmbyllur konfliktin me Kosovën. Ka pretendime ndaj territorit, resurseve të saj dhe punon në formë aktive për të penguar ardhmërinë demokratike e funksionale të vendit. Të mbash një konflikt të pambaruar, pas dhjetë vjet okupimi e aparteidi dhe një lufte që përndoqi tërë popullatën civile të Kosovës - pra tashmë tridhjetë vjet të plotë, nuk është shumë civilizuese, apo jo?

Ndërkaq, sa u përket dëmeve që u bëhen interesave të ekonomisë serbe dhe qytetarëve serbë të Kosovës, edhe kjo e vërtetë ka intepretimin tjetër, po aq të vërtetë. Disa javë pasi që panë se taksa nuk do të suspendohet, dhe se me këtë jo vetëm do të humbasin fitimin e atëditshëm, por edhe tregun në ardhmëri,prodhuesit e mëdhenj të Serbisë u orientuan tek kanalet e vjetra dhe të sigurta, që nga koha e sanksioneve ndaj RFJ-së (Serbisë e Malit të Zi) si ndëshkim ndaj luftës në Bosnjë. Prodhuesit serbë u orientuan kah praktika e vjetër e “ndërrimit të letrave”; pra riemërtimit të vendit të preardhjes së mallrave. Këtë e bënin dikur, dhe e bëjnë tash, përplot ndërmarrje në Maqedoni, e tashmë janë zbuluar edhe ato të Malit të Zi e Shqipërisë, që mund të përfitojnë provizionin për këto shërbime. Pra, mallrat nga Serbia vazhdojnë të hyjnë në Kosovë, me një kosto shtesë provizionesh, por duke synuar që të mos humbet tregu.

Dhe këtë e pësojnë qytetarët serbë të Kosovës? Po, nëse e “etnifikojnë” tregun. Pra, nëse doemos duhet të blejnë artikuj nga Serbia por jo nga Kosova, Maqedonia apo Kroacia, atëherë është e vërtetë se bëhen viktima të taksës.

Për pushtetin në Serbi, taksa është shndërruar në një mjet të fortë propagande politike. Një, për të fshehur përgjegjësinë e vet “anticivilizuese” dhe dy për ta shndërruar në kauzë e që me kushtëzimin për negociatat me Kosovën ta bartë presionin perëndimor prej vetes tek pushteti në Kosovë.

4.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë përkeqësuar për shkak të taksës. E vërtetë e pamohueshme; nuk ka ndodhur ndonjëherë, prej vitit 1989 e këtej, prejse si politikë demokratike kosovare filluam të komunikonim me diplomatë amerikanë që të marrim letër qortuese, të nënshkruar nga tre bartës institucionesh të rëndësishme amerikane.

Këtë e ka prodhuar taksa dhe për shkak të saj rrezikojmë përkrahjen amerikane, përfshirë atë të sigurisë. Kjo është një e vërtetë, gjegjësisht një interpretim i saj. Por, ekzistojnë interpretime të tjera, që janë po aq të vërteta. Njëra e vërtetë është se përkeqësimi i marrëdhënieve nuk ka rrjedhur nga taksa. SHBA-ja vendos taksa ndëshkuese në marrëdhënie ekonomike gjithandej- rasti i fundit është ai i vitit të kaluar me Kinën - dhe nuk janë shprehur kundër të drejtës për të vendosur taksë ndëshkuese nga ana e Qeverisë sovrane të Kosovës.

Atëherë, përkeqësimi i marrëdhënieve ka ardhur për shkak të refuzimit kosovar për ta dëgjuar SHBA-në me kërkesën e saj që taksa të suspendohet. Dhe kjo është e vërtetë, siç është i vërtetë interpretimi paralel se Kosova ka ndërmend ta suspendojë taksën, vetëm se ka dallime kur dhe si. Në versionin maksimalist të kryeministrit të Kosovës, taksa do të hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën. Në versionin më afër kompromisit, taksa do të suspendohej kur Kosova do të kishte qartësi, në radhë të parë prej SHBA-së, se çfarë do të ishte korniza e marrëveshjes së ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ky këndvështrim taksa ka shërbyer për të trajtuar një brengë të madhe të Kosovës, se procesi negociator, qoftë ai formal i zhvilluar në Bruksel, qoftë ai sekret i zhvilluar nga Hashim Thaçi, po e çon vendin në theqafje.

Dhe, në këtë kontekst është e vërtetë se taksa ka përkeqësuar fillimisht marrëdhëniet me diplomatë amerikanë. Është gjithashtu e vërtetë se ka vënë në lëvizje një proces mobilizimi të paprecedentë në këto vite të diplomacisë amerikane për të qartësuar kornizën përfundimtare të marrëveshjes Kosovë-Serbi, mobilizim i cili shpërfaqi që tani deklarimin e cakut të negociatave si njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, në letrën që presidenti amerikan ua dërgoi atyre të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ky këndvështrim e vërteta e taksës është se prodhon edhe një zhvillim paradoksal, afrimin e SHBA-së dhe mundësinë e krijimit të koncensusit transatlantik për negociata të frytshme, e të domosdoshme mes Kosovës dhe Serbisë, që të krijojnë paqen e përhershme mes tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

LIND11/03/2019 12:45

Populli po thot ...Një tragjedi e madhe po na ndodh në të gjitha drejtimet. A besojnë këta në ZOT...a jan këta Shqiptar?!

AC15/03/2019 13:42

Vetem nje koment i vogel rreth aspektit ekonomik te rritjes apo zvoglimit te cmimeve: cmimet ne treg varen prej kerkeses. Kerkesa e larte shkakton rritjen e cmimeve. Largimi i nje furnizuesi largon mallin nga tregu, edhe pse numri i konsumatoreve mbetet i njete, kerkesa rritet per mallin ekzistues. Furnizuesit ekzistues e shfrytezojne kete rast dhe i rrisin cmimet. Eshte shume e verte qe konkurrenca me e madhe i zvoglon cmimet, ajo me e vogel i rrit cmimet. Ne kete rast, nje (apo me shume) konkurrente jan larguar nga tregu, dmth konkurrenca eshte zvogluar, dmth cmimet automatikisht pritet te rriten.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi