E ardhmja evropiane shumë larg për Ballkanin

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 06 March 2019 08:19

Në vendet me ndikim si Franca, Gjermania, Finlanda, Austria dhe të tjera mbi 60 për qind e qytetarëve janë kundër pranimit të shteteve të reja anëtare, ndërsa vetëm rreth 30 për qind janë në favor.

Paketa e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet kandidate për anëtarësim në BE prej vitit të shkuar miratohen dhe bëhen publike nga Komisioni Evropian në pranverë, diku në muajin prill. Por për shkak se disa shtete anëtare të BE-së janë aq skeptike ndaj zgjerimit, këtë vit kjo paketë do të shtyhet për periudhën pas zgjedhjeve evropiane. Në Komision Evropian do të arsyetohen se “asnjëherë nuk ka qenë e precizuar data e miratimit të raporteve të progresit” dhe se, sipas kalendarit, ato ende do të bëhen publike në vjeshtë. Dhe formalisht do të kenë të drejtë. Sepse, sipas kalendarit, pranvera zgjat deri më 21 qershor. Por të gjithë e dinë se arsyeja e vetme e shtyrjes janë zgjedhjet evropiane që zhvillohen prej 23 deri më 26 maj, varësisht për cilin shtet anëtar bëhet fjalë. Për t’iu përshtatur shteteve si Franca dhe Holanda, por edhe disa shteteve të tjera, Komisioni, sipas të gjitha gjasave, raportet e progresit do t’i miratojë dhe bëjë publike më 28 ose 29 maj.

Në përgjithësi nuk ka shumë më rëndësi data. Por ajo është dëshmi se sa e padëshirueshme si temë është procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian. Edhe pse do të nxirren në maj këto raporte, do të jenë në kohë të duhur për të mundësuar përgatitjen e vendimit në Këshillin e BE-së për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Para një viti BE-ja kishte vendosur që të shtynte vendimin për këtë qershor të këtij viti dhe tash pritet të formatizohet ky vendim. Natyrisht, nëse BE-ja e mban fjalën, që nuk është e garantuar. BE-ja, po ashtu, ka dhënë dëshmi të mjaftueshme se nuk e mban premtimin në procesin e zgjerimit e në rastin e Kosovës as rreth liberalizimit të vizave. Maqedonia e ka zgjidhur çështjen e emrit për të cilin kishte mospajtime me Greqinë dhe ka nënshkruar protokollin e anëtarësimit në NATO. Tash BE-ja nuk ka më arsye për të shtyrë nisjen e negociatave për këtë shtet. Shqipëria mund t’ia keqësojë vetes gjasat nëse vazhdon konflikti politik.

Me përjashtim të rekomandimeve të reja për nisjen e negociatave me këto dy shtete, asnjë lajm i rëndësishëm nuk do të dalë nga paketa e zgjerimit e këtij viti. Pak a shumë do të përsëriten të njëjtat fraza për “reformat në drejtësi”, “luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” dhe për bashkëpunim rajonal.

Procesi i zgjerimit edhe ashtu është bërë shumë i ngadalshëm dhe tash duan ta ngadalësojnë edhe më shumë. Ndonëse ky ka qenë procesi më i suksesshëm në historinë e BE-së, përmes të cilit është zgjeruar nga 6 vende themeluese në 28 sa ka sot, apo 27 sa do t’i ketë pas një muaji, ky proces tashmë është pak i dëshiruar, sidomos tek shtetet e vjetra dhe të pasuara anëtare. Kundër janë qytetarët, e politikanët nuk mund të veprojnë kundër vullnetit të tyre.

Në BE sot ka shumë pak politikanë liderë të cilët e konsiderojnë zgjerimin e BE-së si një proces të ndërtimit të paqes dhe si një ideal çfarë e konsideronte gjenerata që realizoi zgjerimin e madh më 1 maj të vitit 2004, kur 10 vende të reja anëtare të njëjtën ditë hynë në BE. Pas dy muajsh edhe do të shënohet 15-vjetori i kësaj ngjarjeje të madhe dhe BE-ja me siguri do të tentojë ta shfrytëzojë këtë rast për të treguar se sa i suksesshëm ka qenë zgjerimi dhe nga ai kanë përfituare dhe vendet e reja, edhe ato të vjetra anëtare.

Problemi me procesin e zgjerimit është i dyanshëm. As vendet kandidate dhe elitat e tyre të korruptuara politike nuk kanë një interes të sinqertë për të kryer reformat që kërkohen, dhe nuk kanë interes për të hyrë në BE nëse kjo do të kërkonte largim të tyre nga pushteti, ndërsa as në BE nuk duan që ky proces të përshpejtohet. Pra, për disa vjet realisht asnjë vend kandidat, apo kandidat potencial, nuk do të jetë as afër përmbushjes së kushteve për anëtarësim në BE.

Por edhe sikur ndonjë shtet të jetë gati, sikur t’i përmbushë të gjitha kriteret, mund të ndodhë që të mos e realizojë qëllimin, sepse tash në BE kriter është edhe gatishmëria e BE-së, që do të thotë e të gjitha shteteve anëtare, për të pranuar anëtarë të rinj.

Para disa ditësh ministrja për Çështje Evropiane e Francës, Nathalie Loiseaue, tha në Serbi “miqësisht“ se BE-ja nuk do të zgjerohet dhe të pranojë vende të reja anëtare pa i kryer reformat e brendshme. Deklarata e saj është në pajtim me atë që ka thënë në Samitin e Sofjes në maj të vitit të shkuar presidenti Emanuel Macron. Në atë samit, i cili ishte zhvilluar për të inkurajuar vendet e Ballkanit për të ardhmen e tyre në BE, Macron pati thënë se “BE-ja ka gabuar në të kaluarën, sepse tepër shumë është marrë me zgjerim e pak me vetveten, prandaj duhet tash e tutje me kujdes”.

Është evidente se në Francë zgjerimi nuk është temë e dëshiruar dhe prandaj ky shtet, kudo që mundet, ndikon që të shtyhet secili veprim. Por nuk është vetëm opinioni i Francës kundër zgjerimit. Sipas anketave të fundit të bëra publike nga Eurobarometri, në BE vetëm 43 për qind e qytetarëve janë në favor që të pranohen shtetet e reja anëtare, ndërsa 48 për qind janë kundër. Por dallimi kaq i vogël në favor të atyre që janë kundër është mashtrues, sepse këtu ndikim kanë pasur shtetet si Polonia, Kroacia, Hungaria, Rumania, ku mbi 60 për qind janë në favor të vazhdimit të zgjerimit. Në vendet me ndikim si Franca, Gjermania, Finlanda, Austria dhe të tjera, mbi 60 për qind e qytetarëve janë kundër pranimit të shteteve të reja anëtare, ndërsa vetëm rreth 30 për qind janë në favor.

Vetëm Spanja dhe Irlanda janë vende perëndimorë të BE-së ku qytetarët e mbështesin me shumicë të madhe vazhdimin e zgjerimit.

Kjo ka ndikuar që edhe në vendet kandidate të ulet mbështetja për zgjerim. Në Turqi tashmë shumica e qytetarëve janë kundër zgjerimit të BE-së. Në BE tash e një kohë të gjatë nuk llogarisin se Turqia do të bëhet fare anëtare e BE-së. Ka shumë politikanë të BE-së të cilët mendojnë se BE-ja edhe zyrtarisht duhet të suspendojë procesin e negociatave të anëtarësimit të Turqisë dhe t’i tregojë sinqerisht këtij shteti se nuk mund të llogarisë në anëtarësim në BE, por vetëm në një “partneritet të privilegjuar”. Kështu mendon madje edhe Manfred Weber, i cili, nëse realizohet qëllimi i Partisë Popullore Evropiane, do ta zëvendësojë Jean Claude Junckerin në krye të Komisionit Evropian për një periudhë nga dimri i këtij viti deri në vitin 2024.

Ka shumë analistë dhe diplomatë në BE të cilët janë të mendimit se pikërisht rasti i Turqisë ka ndikuar që qytetarët e BE-së të jenë aq shumë kundër zgjerimit. Ata mendojnë se, po të suspendohen negociatat me Turqinë, atëherë kundërshtimi për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë më i vogël. Sepse qytetarët e identifikojnë zgjerimin me Turqinë dhe prandaj deklarohen kundër.

Shqipëria është vendi kandidat ku mbi 80 për qind e qytetarëve mbështesin zgjerimin e BE-së, ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit nuk ka entuziazëm aq të madh të qytetarëve, ndonëse edhe në to shumica vazhdojnë të jenë në favor. Kosova nuk është përfshirë fare në këto anketa.

Këto fakte për zgjerimin duhet t’i kenë parasysh edhe politikanët në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit dhe të përmbahen nga premtimet për një integrim të shpejtë në BE, por edhe për qytetarët që të mos besojnë në premtime të tilla.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj