Universale është dhimbja, universale është trauma, kurse askush më nuk është ai që ka qenë… Një vështrim për fenomenin e shfaqjes teatrale “Bretkosa”
KU KE QENË ti gjatë luftës? Përgjigje në këtë pyetje kanë të gjithë qytetarët që kanë jetuar në atë që dikur quhej Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Se kjo pyetje, në njërin ose në rastin tjetër, i është shtruar secilit.
Pyetje apo akuzë?! Shqiptari shqiptarin e ka pyetur se ku ka qenë gjatë luftës, edhe serbi serbin, boshnjaku boshnjakun, edhe kroati e ka pyetur kroatin, slloveni sllovenin, malaziasi malaziasin, maqedonasi maqedonasin. Që i bie secili-secilin pa përjashtim.
Luftërat në ish-Jugosllavi kanë filluar në vitin 1991 dhe kanë përfunduar më 2001. Mirëpo, ajo që vlen është se nuk kanë përfunduar vuajtjet e luftërave. Se kërshëria për të ditur ku ka qenë një individ gjatë luftës më shumë sesa një përgjigje për vendndodhjen kërkon përgjigje për shëndetin mendor. Ku ke qenë ti gjatë luftës? - ka të bëjë me traumën. E cila do të mundë të shtrohej edhe si: Sa të ka lënë ty pasoja lufta? Ose edhe më saktë: Sa i cokatur në krye je?
S’KA NJË INDIVID, i cili do të ketë përjetuar një gjendje lufte, nga cilido pozicion, dhe që ai episod jetësor të mos jetë njëra nga ngjarjet më traumatike në jetë. S’ka shumë lidhje a ka qenë me armë në dorë, a ka qenë duke e mbrojtur shtëpinë e vet, a ka qenë duke sulmuar, a ka qenë i dëbuar, refugjat, duke u fshehur ose dezertor. E përbashkëta është – trauma. Gjendja psikologjike e rënduar, e cila do ta përcjellë përgjatë gjithë jetës.
Edhe
“Pikniku” në Mitrovicë rikthen absurditetin e luftës
Njësoj, siç na vjen edhe me shfaqjen teatrale me titullin “Bretkosa”. Së paku në dy rrafshe, pra edhe rrëfimi i shfaqjes e edhe vetë rrëfimi për shfaqjen, flasin për traumën kolektive post-jugosllave.
Teksti i saj ishte shkruar nga dramaturgu kroat, Dubravko Mihanoviq, në pjesën e parë të viteve 2000 dhe ishte inskenuar fillimisht në vitin 2005 në teatrin zagrebas Itd, nën regjinë e Franko Peroviqit. Shfaqja ishte pritur mirë nga publiku dhe kritika, kurse pas një periudhe të luajtjes kishte parë edhe fundin e saj. Mirëpo, do të ishte inskenimi i së njëjtës nga një trupë teatrale e një kryeqyteti tjetër të pasluftës, Sarajevë, që do ta çonte krejt në një nivel tjetër “Bretkosën”. Nën regjinë e Elmir Jukiqit, kjo shfaqje pati qindra repriza, bëri xhiro të Evropës dhe në fund u kthye edhe në filmin me të njëjtin titull, i cili do të shfaqej në shumë festivale ndërkombëtare.
Në fund, fatmirësisht, fenomeni i “Bretkosës” erdhi edhe për publikun kosovar, nga regjisorja Burbuqe Berisha, në Teatrin Kamertal të AAB-së.
E GJITHË NGJARJA e “Bretkosës” zhvillohet brenda një berberhaneje, në ditët e sotme. Zeka (Ilir Tafa) është veteran i luftës dhe berber, kurse vëllai i tij i vogël (Donat Qosja), i sapo dëbuar nga puna për shkak të vesit të bixhozit dhe alkoolit. Aty është edhe shoku i tyre i ngushtë, Gërga (Basri Shala), taksist, i cili gjatë kohës së luftës kishte shkuar në Gjermani. Ndërkohë, ajo që fillon si një shpotitje e lehtë me situata të qëlluara komike mes tre njerëzve të afërt, ngadalë kthehet në një situatë vlimi të skajshëm, nën dialogjet se si të bëhet secili prej tyre njeri më i mirë.
Që të tretë e kanë brejtjen e tyre të ndërgjegjes të ndërlidhur me luftën. Vëllai i madh se pse ai është i vetmi që mbijetoi, kurse të gjithë shokët (të zënë edhe në një fotografi të cilën e mban në dyqan) janë vrarë. Vëllai i vogël vuan përse familja e tyre pinjolle kryeqytetase, me gjithë ato sakrifica për kolektivitetin, ka mbetur si mos më keq. Dhe shoku taksist, i cili pavarësisht se nuk ka qenë fare në Kosovë gjatë luftës, tashmë ka marrë statusin e veteranit.
Ku ke qenë ti gjatë luftës? – kthehet në pozicion patronizimi dhe arrogance. Kurse, se ku janë sot njerëzit që kanë përjetuar luftën, pasqyron meritokracinë e stërkequr të kthyer në luftë për përfitime të pozicioneve të pamerituara aktuale shoqërore.
Duke qenë se vetë skenografia është e vendosur në mënyrë të atillë që shikuesi të ndodhet shpesh në jo më larg se gjysmë metri nga aktori në skenë, nën aktrimin e gjendjeve shpirtërore të skajshme – të gazit dhe të qarit, të britmave dhe lutjeve, djersës dhe pështyrjeve, grushtimeve dhe përqafimeve – ngjizet përshtypja se e gjitha që po vështrohet është pjesë e një plotënie. Dhe në të njëjtën kohë, duke qenë se edhe publiku, edhe aktorët e edhe teksti, kanë kaluar në situata të ngjashme të përshkruara në shfaqje, e gjithë përvoja kthehet në një emocion të shkrirë barabartë si te ata që ndodhen në dërrasat e skenës, si te ata të ulur në ulëset e tyre.
“Të kam thënë bre vëlla që ti nuk je kthy normal prej luftës”, i thotë vëllai i vogël Zekës, teksa ky i fundit ia fut briskun e rrojës nën gushë, duke i kërkuar më kërcënim që ai t’i betohet se nga ai çast do të ndryshojë.
Edhe
Arti i ikjes nga tema e luftës zbeh kujtesën kolektive të Kosovës
Apo, s’duam secili që ai tjetri të ndryshojë?!
DRAMA ËSHTË përshkruar të jetë një përjetim psikoanalitik, një tragjikomedi, e cila nuk e lë askënd të patrandur thellësisht. Në të gjitha skenat teatrore ku është luajtur, është raportuar se në mesin e publikut ka pasur njerëz që kanë dalë duke qarë, i kanë harruar xhaketat dhe çantat e tyre, thellë të prekur nga fati i aktorëve të shfaqjes, nga fati i atyre vetë si individë. Dhe kjo ka qenë edhe arsyeja se përse një tekst i shkruar nga një shkrimtar kroat ka funksionuar njësoj edhe me aktorët dhe shikuesit e teatrit në Sarajevë, në Prishtinë e gjithandej qyteteve të ish-Jugosllavisë ku është luajtur, ose ku është parë filmi.
Se këta popuj e këta njerëz, në fund të fundit, kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, por dhimbjen e kanë të përbashkët, traumën e kanë të përbashkët.
Se secili prej tyre, secili prej nesh, nuk është më i njëjti, pas luftërave.
Dhe se është një përjetim këndellës për ta riqëmtuar - brenda një drame aq të realizuar dhe me aktorë shkëlqyeshëm të mishëruar me rolet – se ku jemi katandisur bashkë, kolektivisht, të gjithë.
20 vjet pas luftës, të gjitha problemet, të gjitha bisedat, e gjithë përditshmëria, lë përshtypjen se heshtja e armëve ka ndodhur vetëm disa ditë më parë.
Ne, të gjithë, përballë pasqyrës!
Edhe
Arti i ikjes nga tema e luftës zbeh kujtesën kolektive të Kosovës
Twitter: @adriatikk