OpEd

28 vjet e 38 orë

Zgjidhja e konfliktit për emrin e Maqedonisë është një fitore edhe për shqiptarët në rajon. Dy 44-vjeçar, dy socialdemokratë - kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras - arritën një kompromis historik

Maqedonia tani do të jetë Maqedonia e Veriut. Kur republika jugosllave shpalli pavarësinë më 1991, ndoshta askush nuk e ka menduar se konflikti për emrin e Maqedonisë do të zgjasë më shumë se një çerekshekull, më saktë 28 vjet e 38 orë. Provokatorë kishte në të dy anët. Jo vetëm nacionalistët grekë ia mohonin Maqedonisë çdo të drejtë për të përdorur emrin Maqedoni. Sipas tyre licencën për të shfrytëzuar këtë emër e kanë grekët që nga kohët antike. Maqedonia të gjejë një emër tjetër, kërkonin ata në mënyrë ultimative. Maqedonia u pranua në OKB me një emër të përkohshëm (FYROM, ish-republika jugosllave e Maqedonisë), por Athina bllokoi së pari portin e Selanikut për shtetin fqinj, pastaj bllokoi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO.

Sado absurde të ketë qenë politika greke, provokatorët kryesorë ishin në Shkup. Kur ky vend e shpalli pavarësinë, Kiro Gligorovi, presidenti i parë dhe një pjesëtar i nomenklaturës komuniste jugosllave, tha se Maqedonia është e rrethuar me “katër ujq” – bullgarët, serbët, shqiptarët dhe grekët. Për të konsoliduar identitetin ende labil maqedonas pushteti i Shkupit filloi të fusë duart në historinë e të tjerëve (grekëve dhe bullgarëve) – kjo sjellje maqedonase i ngjante një vjedhësi të domateve në bahçen e komshiut. Pa një pa dy në flamurin maqedonas u vendos “Ylli i Verginës”, një simbol antik. Nacionalistët e Shkupit nisën të besonin se janë popull antik, parahelenë. Kështu arroganca maqedonase arriti kulmin. Nën Nikolla Gruevksin, ndërkohë i dënuar për korrupsion, filloi një proces i antikizimit artificial të Maqedonisë.

Në planin e brendshëm u intensifikua një politikë shtetërore e diskriminimit të shqiptarëve. Në vitet ’90 nuk ka pasur shtet në Evropë që ka vrarë qytetarë të vet vetëm përse ata kanë kërkuar arsim universitar. Kështu ka ndodhur në Tetovë, kur shqiptarët kërkonin themelimin e universitetit në këtë qytet. Mungesa e gatishmërisë së elitave maqedonase për të zgjidhur konfliktin e emrit me Greqinë i ka mbajtur peng edhe shqiptarët. Një zgjidhje e konfliktit para dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetëvce do të kishte ndikuar që rruga e Maqedonisë drejt hyrjes në BE të hapej më shpejt dhe ndoshta ky vend (e me të edhe shqiptarët e Maqedonisë) sot do të ishin pjesë e Bashkimit Evropian.

Zgjidhja e konfliktit për emrin e Maqedonisë është një fitore edhe për shqiptarët në rajon. Së shpejti Maqedonia do të hyjë në NATO dhe ky është edhe një kufizim për shtrirjen e Rusisë në rajon. Gjasat janë të mëdha që sivjet të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Ky është një përparim i madh. Në këtë proces shqiptarët duhet të jenë të organizuar dhe pjesë e vendimmarrjes. Për fat të keq rejtingu i partive shqiptare është në rënie si pasojë e keqqeverisjes, nepotizmit e korrupsionit. Shumë shqiptarë tani më tepër u besojnë socialdemokratëve të Zoran Zaevit.

Kryeministrit grek, Aleksis Cipras, dhe atij maqedonas, Zoran Zaev, të dy 44-vjeçar dhe të dy socialdemokratë, u takon merita historike për zgjidhjen e konfliktit për emrin e Maqedonisë. Zaev e shtyu marrëveshjen për emër gati me forcë, duke bërë edhe kompromise jo aq të pastra (këtu hyn amnistia për deputetët e VMRO-së që do të duhej të ishin në burg për banditizmin e tyre; ndërsa e ardhmja do të tregojë nëse ikja e Nikolla Gruevskit në Hungari ka qenë vërtet ikje apo udhëtim me marrëveshje).

Aleksis Cipras, me vite të tëra i përbuzur në Evropën Perëndimore si majtist militant, ka treguar cilësi të burrështetasit. Mbi gjysma e grekëve e hedhin poshtë marrëveshjen për emër me Maqedoninë, mijëra e mijëra grekë muajve të fundit kanë vërshuar sheshet e rrugët nga Selaniku në Athinë për të penguar miratimin e marrëveshjes, madje është përdorur edhe dhunë, deputetët e partisë së Cipras janë kërcënuar, opozita konservatore e prirë nga Kiriakos Micotakis nuk e ka përkrahur Qeverinë, por ka manipuluar me “ndjenjat patriotike” të qytetarëve. Cipras nuk u dorëzua. Më së voni në Greqi do të mbahen zgjedhjet. Marrëveshja me Maqedoninë nuk do t’i ndihmojë Ciprasit, përkundrazi do ta dëmtojë në zgjedhje. Të gjitha anketat tregojnë se opozita konservatore është në epërsi. Që tani është e qartë se Cipras me zgjidhjen e konfliktit me Maqedoninë do të hyjë në librat e historisë.

Kur në vitin 1994 diplomati amerikan Matthew Nimetz u ngarkua me zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve ballkanike, ai ndoshta ka menduar se kjo është çështje muajsh. Për fat të keq konflikti për emrin u bë çështje vitesh e dekadash. Më 17 qershor 2018 Nimetz i përqafoi kryeministrat e Greqisë dhe të Maqedonisë te Liqeni i Prespës, i cili u takon këtyre vendeve (dhe Shqipërisë). Cipras dhe Zaev për herë të parë u takuan në janar 2018 në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës. Zgjidhja definitive kishte filluar para një viti në këtë qytet malor zviceran.