Pa titull

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 28 January 2019 07:59

Po pra, edhe ne jemi kreativë me tituj, mirëpo, për dallim nga japonezët, ne këtë kreativitet e kemi për ta zhvatur buxhetin. Si respekt ndaj japonezëve, këtë faqe të ditarit tim do ta mbaj “pa titull”.

E enjte, 24.1.2019

Ka disa ditë që disi e ndiej veten se më ka kapluar një hall dhe disi nuk mund të rehatohem, e rrjedhimisht as gjumin nuk mund ta bëj ashtu si do të duhej. Fjala është për këtë ditarin tim. Ne nuk jemi të pranuar nga UNESCO-ja e unë nuk do të dëshiroja që ky “Thesar kombëtar” të shkojë si qeni në rrush, ashtu siç na shkuan lahuta dhe deltari ilir dhe të përvetësohen (lexo vidhet) nga fqinji dhe armiku ynë shekullor. E shoh ndonjë cinik aty duke thënë “sa të sharën e ka bërë ky ambasadori, thuajse zog i tyre të kishte qenë, mirë që na e morën”. E edhe për këtë cinikun e mundshëm potencial kam një përgjigje, ti veçse e ke ngjyer diku me politikën e me qeveritarët, i ke vjelë diku të mirat e saja në njërën apo mënyrën tjetër, ndonjë punësim, ndonjë favor ashtu personal i kryer përtej rendi, militant partie, etj.

Unë edhe këtë postin e ambasadorit, të cilin e mbaj, edhe këtë e kam me vetëshpallje dhe iniciativë demokratike vetjake, kështu që nuk kam kurrfarë hipoteke me qenefritarët. Ky ditar një ditë do të shndërrohet në “Fana-r i të së vërtetës” (jo bre, nuk do të marrë rrogë nga e veja e ish-presidentit), por do të bëhet një lloj udhërrëfyesi për gjeneratat që po vijnë, si ajo “Letra e presidentit Abraham Lincoln, të cilën ia dërgoi mësuesit të djalit të tij”. Kur jemi tek mësuesit, ata këtyre ditëve gjenden në grevë dhe kërkojnë rritje pagash. Të drejtën e grevës e kanë të garantuar edhe me ligj nëpërmjet Kushtetutës, por duke lexuar dhe duke parë reagime të ndryshme nga domeni publik, sjelljet e kësaj qeverie, situatën në terren, si dhe rezultatet e matshme në arsim, fajtorët janë shumëdimensionalë. Unë do të mundohem që në mënyrë diplomatike t’i dekonspiroj ato.

Fajtori i parë natyrisht është politika vendore dhe udhëheqësit e saj, që në kohën e “korrjeve të votave” i gjejnë këta mësimdhënës ku janë e ku nuk janë dhe me një drekë/darkë të lodhët aty, e me premtime boshe e të kota, t’i sigurojnë votat e këtyre mësimdhënësve, si dhe familjarëve të tyre e njerëzve të tjerë në domenin e influencës dhe ndikimit të tyre. Gjatë muajit të Ramazanit shtrohen edhe iftare për këtë grup. E ti cinik, që po më lexon dhe që po më mallkon, si po ndihesh në këtë moment? Unë jam i vetëdijshëm se ti me gjithçka mund të përballesh, përveçse me të vërtetën, edhe me realitetin, sepse edhe vetë je njëri prej atyre që këtë situatë e ke sjellë deri në këtë pikë, në njërën apo në mënyrën tjetër, në mënyrë direkte apo indirekte, me veprimin apo me mosveprimin tënd. Mos të harroj ta cek edhe faktin se ato dreka/darka falënderuese janë të paguara nga xhepi juaj, kështu që, nëse mendoni se dikush ju ka bërë ashtu sajdi dhe ju ka treguar “respekt”, më vjen keq që ju zhgënjeva. Për mua personalisht ato pamje janë trishtuese, që të bëjnë të kuptosh se sa të thella janë hilja, poshtërimi, si dhe nënshtrimi, që bëhen ndaj politikës dhe parapolitikës. Fajtorët pra në këtë rastin e parë janë të ndërlidhur ndërmjet vete, politika dhe mësimdhënësit. Normal, jo të gjithë mësimdhënësit hyjnë në këtë grup dhe aty gjithsesi se ka përjashtime, por ja që zërat e tyre janë të mekur dhe të heshtur nga soji i militantëve partiakë të mbështjellë në petkun e mësimdhënësit, drejtorit të shkollës, birit e dreqit. Në grupin e dytë të fajtorëve bëjnë pjesë prindërit e nxënësve. Dërgojnë fëmijë të paedukuar nga shtëpia për në shkollë dhe presin që mësimdhënësit dhe shkolla do t’i shndërrojnë ata në njerëz dhe do të çajnë dërrasa me ta, e ato përgjegjësi të hiqen nga ata si prindër të atyre fëmijëve. Fajtorët e tretë prapë nga tabori i politikanëve në trajtë ministrash, tenderësh, për ndërtim objektesh shkollore, pa kurrfarë kurrikule e planprogrami të mirëfilltë shkollor, me libra shkollorë me përmbajtje katastrofale, gjithashtu të botuara në ndonjë tender nga fituesi i preferuar dhe përqindja e garantuar.

E sot kjo qeveri e megakoalicioneve dhe interesave vetjake është shembulli më eklatant se çka ndodh kur këto interesa gërshetohen. Para ca ditësh në njërën nga kabllogramet lexova se si njëri nga këshilltarët e kryeministrit Haradinaj kishte deklaruar se rritja e pagave të mësimdhënësve do ta bankrotonte shtetin! Ha, ha, ha … sikur të ishte njëri nga statuset e mia në Facebook edhe do t’i kuptoja sarkazmin dhe cinizmin. Si është e mundur që këta po të njëjtit këshilltarë nuk kanë qëndrime kur shteti bankrotohet nga ana e qeverisë, me pagesën e ushtrive, të zëvendësministrave e këshilltarëve të tyre, sekretareve e shoferëve e, e, e … apo pagesat milionëshe ambalazhuesve të ujit, veç se iu ka tek kryeministrit qashtu, apo “penalltitë” e vonesave ndaj “Bechtel-Enkas”, gjithashtu me vlera milionëshe. A me të vërtetë këta njerëz na marrin se i kemi trurin dhe kujtesën e atij peshkut të artë në kavanoz? Ky shtet është i bankrotuar qëmoti me këso sjelljesh të politikanëve tanë, vetëm është çështja se kujt do t’i mbesin në dorë baskitë e fundit që t’i ngulë në tabutin e tij. Hipokrizia na mbyti në çdo hap, në çdo cep, në çdo segment, e në çdo normë të shoqërisë sonë. Përpara thoshin se i kishte rënë sarillëku (hepatiti) filanit, tash diagnoza e re është se i kishte rënë hipokriti, veçse, kur po të binte hipokriti, ajo nuk ishte aq e vështirë për pacientin seç është për ata nga të cilët ai është i rrethuar, dhe e keqja e kësaj sëmundjeje ishte se është ngjitëse, nuk nevojitet as prezenca e as kontakti fizik me personin e infektuar me këtë virus. Gjasat që shoqërinë tonë e ka kapluar një pandemi me virusin e hipokrizisë janë shumë të mëdha. Treguesit janë evidentë. Kurimi?

Është paksa kompleks përderisa si shoqëri kjo sëmundje na ka kapluar pothuajse në të gjitha poret e saja. Vaksinë si e tillë nuk e di të jetë zbuluar ende ndokund, ndoshta në Japoni, por e shihni, atje ajo jepet si dozë në kuadër të edukatës familjare, traditës dhe vlerave të tyre kombëtare, qysh nga mosha e fëmijërisë, pastaj përcillet edhe në sistemin e shkollave të ulëta, atyre të mesme, shkollave të larta, universiteteve, dhe më pas edhe tek punonjësit, qofshin ata publikë apo privatë. A do të mundet shoqëria jonë që të jetë kultivuese e vlerave të tilla si shoqëri? Unë mendoj se po, është çështje tjetër se sa kohë duhet që të arrihet ajo, dhe se kjo gjeneratë a do ta presë atë ditë. Dhe këtu edhe qëndron çelësi i zgjidhjes së kësaj nyje. Tek ne kjo gjeneratë nuk mendon as për vetveten e as për më të moshuarit e saj, e as për fëmijët e saj si gjeneratë, e as për grupet e tjera margjinale, se lëre më të mendojë diçka për gjeneratat të cilat do të vijnë më vonë. Prandaj fidanin të cilin ti e mbjell sot, ai do t’u bëjë hije dhe do t’ua pastrojë ajrin gjeneratave të cilat vijnë, shembull sa për ilustrim. Ndoshta e keni lexuar se në Japoni edhe pastruesi i rrugëve gëzon titull të veçantë dhe emërtohet “inxhinier i shëndetit dhe i higjienës” dhe përveç teknologjisë së fundit për pastrim, ai është i trajtuar me respekt nga e mbarë shoqëria, pasi që puna e tij direkt ndikon në ruajtjen dhe preventivën e shëndetit të qytetarëve.

Do të më thoni ju: epo edhe ne e kemi zyrtarin e lartë për fotokopje. Po, pra, edhe ne jemi kreativë me tituj, mirëpo për dallim nga japonezët, ne këtë kreativitet e kemi për ta zhvatur buxhetin. Si respekt ndaj japonezëve, këtë faqe të ditarit tim do ta mbaj “pa titull”.

Perla e radhës në kabllograme erdhi nga kolegu im i respektuar, ekselenca e tij Ra-mizë Lladrovci. Premtoi se do ta bënte Drenasin me tramvaj! E mua disi m’u parafytyrua ai treni i vogël i kaltër për në Gërmi, i cili u zhduk diku.

Perla tjetër, konferenca e sotme për shtyp ndërmjet kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, për nënshkrimin e marrëveshjes për lëshimin e linjës së autobusit Prishtinë-Aeroport. Konferencë për shtyp! Për diçka të tillë një komunikatë për shtyp është më se e mjaftueshme (kjo një këshillë nga dikush me përvojë 10+vjeçare në marrëdhëniet me publikun). E kuptoj që secilën gjë pozitive, sado e vogël që të jetë, politikanët tanë mezi presin që të na e hedhin fytyrës. Përndryshe, linjat për destinacionet bregdetare Ulqin, Durrës, Vlorë, Sarandë, si iniciativa private ekzistojnë qe 20 vjet e më shumë, nuk mbaj mend të ketë mbajtur dikush konferencë për shtyp. E kuptoni poentën time? Nëse jo, atëherë ti prapë je njëri nga ata cinikët që diku je duke ngjyer në sahanin e Qeverisë dhe të politikanëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani