A ka zgjedhje sivjet?

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 19 January 2019 10:15

Është koha që partitë të mos mendojnë vetëm për rezultatin e tyre zgjedhor, por për rezultatin që do ta ketë Kosova në një marrëveshje të shpejtë eventuale me Serbinë. Dhe nëse nuk do të ketë konsensus të brendshëm për një qasje të përbashkët konstruktive, situata mund të komplikohet aq shumë dhe të ketë pasoja për shtetësinë, sa që do të jetë e kot edhe gara politike dhe marrja e pushtetit

ZGJEDHJET SI ZGJIDHJE! Kështu janë duke argumentuar partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që kur u fillua të flitet për vitin 2019, si vit i arritjes së asaj që po quhet marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Argumentimi i LDK-së është më i thjeshtë. Në partinë, e cila sivjet i mbush 30 vjet aktivitet, pohojnë se në zgjedhjet e fundit, ato të qershorit 2017, asnjëra nga partitë nuk ka garuar me platformë për përmbylljen e mosmarrëveshjeve me Serbinë. Së këndejmi, shtojnë nga LDK-ja, nevojitet një rilegjitimim qytetar dhe pastaj secili që do ta marrë këtë vulë qytetare ka të drejtë që të udhëheqë edhe Ekipin negociator, ose edhe vetë Qeveria mund të zhvillojë bisedimet me Serbinë. Kryetari Isa Mustafa ka premtuar se pas zgjedhjeve, pavarësisht se a do të jetë LDK-ja në pushtet ose jo, si dhe pavarësisht se a do të dalë e para, e dyta ose e treta, kjo parti do të jetë mbështetëse e dialogut dhe do të pranojë rezultatet e marrëveshjes eventuale.

Në LVV, në vija të trasha, kërkohet që të bëhet një auditim i procesit të deritashëm të dialogut, të krijohet një platformë e përbashkët, por të vazhdohet vetëm pas zgjedhjeve. Partia e Albin Kurtit, e cila deri vonë ka pasur moton kryesore “Jo negociata – vetëvendosje”, tash e ka zbutur qëndrimin dhe ngul këmbë vetëm se nuk ka legjitimitet kjo shumicë parlamentare të udhëheqë as me shtetin e as me bisedimet.

E treta parti opozitare, Partia Socialdemokrate, kryesisht e anashkaluar nga bashkëpunimi opozitar i LDK-së dhe LVV-së - në masën e madhe për shkak se e para vazhdon inatet me Shpend Ahmetin të ndërlidhura me Komunën e Prishtinës dhe e dyta për shkak se i akuzon për tjetërsim mandatesh të fituara nën siglën e partisë së tyre – ka vendosur ta ndjekë atë që shpesh quhet rrugë e mesme. PSD-ja, formalisht, nuk ka hequr dorë nga kërkesa për rrëzimin e Qeverisë, por në anën tjetër ka pohuar se interesi i Kosovës del para interesit partiak, duke u bërë pjesë e Ekipit negociator dhe duke vënë kushte për Qeverinë për votimin e Projektligjit të buxhetit.

Mirëpo, kur flitet për negociatat me Serbinë, zgjidhja mund të ishte bukur e lehtë. Partitë opozitare dhe ato në pushtet do të mundë qysh tash të dakordoheshin për një platformë negociatore, për Ekip negociator mbipartiak dhe për datë të zgjedhjeve brenda këtij viti. Por a po i dëshirojnë vërtet zgjedhjet dhe marrjen e përgjegjësive tash?

ZGJEDHJET SI KOMPLIKIM. Ky është argumentimi i partive që janë në pushtet. PDK, AAK, NSD dhe AKR nuk rreshtin së thirruri partitë opozitare që të bëhen bashkë me ta në dialogun me Serbinë, por pa i dhënë hise pushteti. Bile Haradinaj, Veseli e Limaj edhe ironizojnë partitë opozitare, duke thënë se po të ishin serioze në kërkesën e tyre për zgjedhje, do t’i gjenin 3-4 vota të tjera për ta rrëzuar Qeverinë.

Ndërkohë, nuk janë të gatshëm t’ia bëjnë një ofertë serioze opozitës, që ta mbështesin agjendën për bisedime me Serbinë, në mënyrë që të ketë edhe një datë konsensuale për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, kurdo gjatë vitit.

Është e qartë se edhe për çështje shumë më pak të ndjeshme sesa fati i shtetit dhe territorit në shumë shtete vendoset që mandati t’u kthehet votuesve, në mënyrë që të rikonfirmohet mbështetja për gjendjen e re të krijuar. Nëse arrihet “marrëveshja përfundimtare” me Serbinë, është e domosdoshme që ajo të ketë mbështetjen sa më të gjerë të përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Në këtë frymë, nuk është se do të humbej shumë kohë nëse do të kishte pajtueshmëri për zgjedhje të shpejta, me një marrëveshje edhe për krijim të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që të dilej faqebardhë në procesin me Serbinë. Por a janë të gatshme partitë në pushtet të rrezikojnë humbjen e tij tash?

NDËRKOHË, EDHE sondazhet e prezantuara kohëve të fundit, nuk është se i lënë krejt të qeta partitë. Nëse merret për bazë sondazhi i prezantuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në ditët e para të vitit, del se vetëm kjo parti dhe PDK-ja, kanë pësuar rënie krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.
Atëbotë, LDK-ja, bashkë me AKR-në dhe Alternativën, në zgjedhje dolën me 25.53 % të votave, kurse në sondazh LDK-ja si e vetme del 27.1 %.
Koalicioni PDK-AAK-NISMA (bashkë edhe me disa parti të vogla) në zgjedhje kishte gjithsej 33.74 % të votave, në sondazh kur bashkohen të tria (pa partitë e vogla) dalin me 39.4 %. Ndaras, PDK-ja do të kishte 20.5 %, AAK-ja 12.6 %, ndërsa NSD-ja 6.3 %.
Lëvizja Vetëvendosje e vetme në zgjedhje kishte marrë 27.49 për qind të votave, teksa pas “riformatimit” të PSD-së, sondazhi e qet me 22.6 %, ndërsa PSD-në me 3.1 %.
Natyrshëm, margjina e gabimit të sondazheve kredibile zakonisht sillet në rreth 3%, kështu që jo shumë arsye për festë në asnjërin bllok. Dhe jo shumë arsye të vërteta për të shkruar në zgjedhje shpejt.

Sidoqoftë, është koha që partitë të mos mendojnë vetëm për rezultatin e tyre zgjedhor, por për rezultatin që do ta ketë Kosova në një marrëveshje të shpejtë eventuale me Serbinë. Dhe nëse nuk do të ketë konsensus të brendshëm për një qasje të përbashkët konstruktive, situata mund të komplikohet aq shumë dhe të ketë pasoja për shtetësinë, sa që do të jetë e kot edhe gara politike dhe marrja e pushtetit.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi