Babadimri i Kosovës

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 05 janar 2019 09:16

Kur të tjerët besojnë në legjendat e fundvitit, në Kosovë besojnë në diasporën gjatë tërë vitit

Këtu diçka nuk shkon – kjo ishte dilema që profesori i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore e ngriti, ndërsa bisedonim me të për trendët e zhvillimit në Kosovë, në një takim që vite më parë kishim organizuar magjistrantët e këtij institucioni.

Profesori dhe kolegët e tij kishin bërë dy orë rrugë nga Hani i Elezit deri në Prishtinë për shkak të tollovisë në trafik. Ishin habitur me numrin e madh të makinave në të dyja anët e kufirit, të maunave me mallra që mësynin Kosovën, e më shumë me ndërtimet.

“Këtu ka indikatorë që nuk gjejnë shpjegim në teori, nuk arrin dot të ndërtosh marrëdhënie logjike mes tyre”, thoshte ai. “Është e pashpjegueshme që një vend i dalë nga lufta të ketë këtë transformim, pas krejt atij shkatërrimi të ekonomive familjare, të industrisë, të infrastrukturës, të sistemit të administrimit publik... Mbase duhet qasje më e thellë shkencore për t’i rënë në fije kësaj pune, ku shifrat janë alarmante për varfërinë e papunësinë. Këtu diçka nuk shkon”.

Edhe një zyrtar i huaj që ka punuar në Doganën e Kosovës në kohën sa ajo bashkëmenaxhohej me ndërkombëtarë, duke iu referuar statistikave të mallrave të importuara, u ka thënë kolegëve të tij shqiptarë – kjo sasi e mallit që po hyn brenda vitit është për të paktën 5 milionë banorë.

Në shtetin me qeverisje skajshmërisht të kompromentuar, ka edhe të tjera çudira.

Janë deklaruar afro 3 miliardë euro kursime në bankat komerciale, e dyshohet se 3 miliardë të tjera “fshihen” në bankat e huaja. Se një lokal afarist prej afro 200 metrash katrorë në Gjilan është blerë në procesin e privatizimit me afro 1.2 milionë euro, apo një metër katror në qendër të Prishtinës është blerë me 10 mijë euro.

***

Qe 11 vjet jam në Zvicër, më tha Naimi, një 30-vjeçar nga një fshat i Vitisë, ndërsa u takuam për herë të parë me të në një ndejë në Gjilan, katër-pesë ditë para ndërrimit të motmotit. Nuk është se isha këmbëngulës për të shtruar muhabetin e për të kuptuar të tjera detaje mbi jetën e tij. Përkundrazi. Edhe ashtu mjaftohem nga ato që tregojnë të tjerët për veten, të njohur e të panjohur.

Por ajo që binte në sy ishte thjeshtësia e tij, teksa rrëfente episode jete prej mërgimtari, e që në përmbajtje dukeshin si histori e përbashkët e shumicës së shqiptarëve në emigracion.

“S’e kam pasë lehtë, larg shtëpisë, larg familjes”, më tha, duke e kufizuar bisedën me mua, pavarësisht se në tavolinë ishte edhe i vëllai i tij, Nexhati, si dhe dy miq të mi, njëri po ashtu me punë në Zvicër, e që u bënë sebep për këtë takim.

“Nga këta 11 vjet, në 10 prej tyre nuk kam mujt asnjëherë me vizitu familjen në Kosovë”.

Nga ngjyra e zërit dhe mënyra si e tha, ndjeva tek ai po atë dhimbje që duket se e kishte pasur gjatë tërë kohës sa ka qëndruar në “izolim”.

Edhe arsyeja që nxori këtë detaj ishte e qëllimshme - për të treguar se historitë e njerëzve që ndajnë fatin e tij në Perëndim nuk janë të njëjta.

Naimi kishte qëndruar për afro 10 vjet pa “letra” në kantonin e Gjenevës. Për të ishte kujdesur vëllai i tij më i madh në moshë Nexhati. I kishte gjetur punë e strehim. Edhe siguri.

“Me punë i kam bindur autoritetet e Zvicrës me ma njoftë të drejtën e qëndrimit... Ka qenë sakrificë e madhe, por e ka vlejtë dhe po ndihem rehat tash”, më thotë Naimi.

Dy vëllezërit treguan se ndërkohë kanë themeluar një ndërmarrje private. Nuk qaheshin për bilancet afariste. Nuk i zinin fare në gojë. Ata më shumë përpiqeshin të ktheheshin në “origjinë”, të shijonin ngrohtësinë e munguar dhe të realizonin ëndrrat e mbetura peng. Nga muhabeti të mbushej mendja se tërë energjitë i kanë orientuar në vendlindje dhe për të.

“Një vëlla e kemi këtu. Sot ia pagova mobiliet e reja për banesë. Ia bana dhuratë për Vitin e Ri”, ndërhyri Nexhati, që ishte “zot shpije” në biznes, pasi njëri nga miqtë e tavolinës e pyeti për familjen.

“Unë ja bona krejt sistemin e ri të ujit, rrymës e nxemjes...”, e plotësoi Naimi, pa përmendur shifrat në respekt për fjalët që para tij i tha i vëllai.

Në vend të “mburrjes”, më shumë sesa për dhuratën, ata flisnin për vëllanë që mezi ia dilte në kushtet e papunësisë.

“Ai jeton këtu, mundohet me sa mundet me punu”, arsyetonte Nexhati përkrahjen, që ishte vetëm e radhës për të vëllanë.

Rrëfimet e vëllezërve më quan te një tjetër “histori”, e transmetuar verën e këtij viti në një televizion të Kosovës.

Në sheshin e Lipjanit gazetarja po merrte opinionin e qytetarëve – tema me kurbetçinj. Nuk e kishte të vështirë të takonte të tillë. Të mbushej mendja se të gjithë ishin nga diaspora.

“A ke pru naj dhuratë, naj çokollatë?...”, ishte njëra nga pyetjet shabllon që gazetarja e re po ua shtronte bashkatdhetarëve.

Pasi e futi në “zonën” e xhirimit, një burrë rreth të 50-ve që me modesti i tregoi se ka ardhur “me duar në xhepa”, ajo nuk prante së pyeturi: “Qysh, s’ke pru kurgja a?”.

I zënë ngushtë ai ia përsëriti disa herë: “Jo bre, jo, kurgja”. Iu arsyetua se tash po gjenden të gjitha mallrat këtu dhe më e rëndësishme sipas tij është çmallja me vendlindjen dhe të afërmit.

Por burri nga Lipjani që shoqërohej nga familjarë të tij, para se të largohej, iu kthye gazetares: “Harrova me të kallëzu, prej atje s’kam pru kurgja, por këtu ua bleva dy banesa”.

***

Nexhati e Naimi, që i takova në fundvit, dhe burri i Lipjanit që u shfaq verës në ekranin televiziv, janë tre nga afro një milion shqiptarë të Kosovës të shpërndarë në çdo cep të botës. Vetëm në Gjermani dhe Zvicër, sipas shënimeve, janë afro 700 mijë. Statistikë e frikshme nëse vështrohet nga dimensioni demografik i shtetit të cilit po i tkurret popullsia, por ambicioz nga aspekti i ndikimit të tyre në mirëqenien sociale të pjesës së “mbetur” në Kosovë.

Afro 800 milionë euro në vit janë të hyrat nga diaspora nëpërmjet investimeve dhe shpenzimeve, zyrtarisht të regjistruara. Sipas treguesve të tjerë, besohet se prurjet e tyre arrijnë në 1.5 miliardë euro në vit.

Diaspora me potencialin e saj njerëzor dhe financiar plotëson boshllëkun e madh, deri në masën sa Kosova ia jep të drejtën vetes të projektojë politika që ia gëlltisin buxhetit qindra miliona euro vetëm për autostrada.

Diaspora kompenson edhe paaftësinë e institucioneve për të siguruar mirëqenien e qytetarëve, kompenson edhe dështimin për të krijuar kapacitete prodhuese.

Kosovës, pa kurrfarë oferte turistike, mund t’ia kenë lakmi edhe vendet me turizmin më atraktiv në botë. Meqë mërgimtarët vijnë kryesisht dy herë në vit, i bie që edhe mund të trajtohen si “turistë” sado që është joetike t’i kualifikojmë kështu, nga perspektiva, sidomos e neve që kemi të afërm që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Dhe ka pak vende në botë ku qindra mijëra “turistë”, gjatë qëndrimit dy-tri javësh, përveç harxhimeve të zakonshme, organizojnë ahengjet familjare me kosto që arrijnë në dhjetëra mijëra euro për familje, që shpenzojnë në patundshmëri - blejnë toka, banesa, lokale afariste, ndërtojnë edhe shtëpi e çfarë jo tjetër.

Një ndërmarrës me origjinë nga Azia ka thënë në një intervistë se shtëpia e tij mund të jetë kudo në botë, nëse e ka afër një aeroport.

Kosova është me fat që njerëzit e saj nuk mendojnë bash si ai.

Kur të tjerët besojnë në legjendat e fundvitit, në Kosovë besojnë në diasporën, gjatë tërë vitit.

Edhe profesori i ekonomisë në UEJL tash e ka më të lehtë ta zbërthejë enigmën e bashkëjetesës së një pushteti (Qeveria) që rrënon dhe një tjetri (diaspora) që ndërton.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi