Finalja e ambasadorit!

Melihate Termkolli Melihate Termkolli 02 September 2018 18:20

Ambasadori Wolfgang Petritsch, i shtyrë nuk e di nga ҁka a nga kush, duke tejkaluar gjithë parametrat jo veҁ të demokracisë evropiane aq shumë të promovuar deri tani, paska bërë edhe diҁka më shumë, e paska “rikthyer” në tavolinë të bisedimeve me Serbinë, Evropën politike të fillim shekullit XX. e deri atë të viteve 90-ta në raport me Kosovën, qëndrim paksa i rafinuar, i mbështjellë me tisin e “ndërmjetësuesit”.

Vërtetë i ҁuditshëm ky këndvështrim i ambasadorit për marrdhënjet Kosovë-Serbi, në emër të një pragmatizmi, duke shkelur e abstrahuar ҁdo të arritur të deritanishme të Kosovës, përfshirë edhe pavarësinë e saj, si rezultat i luftës, punës dhe sakrificës së shqiptarëve për liri e shtet, i përkrahjes së madhe ndërkombëtare, evropiane e amerikane, për të ndalur gjenocidin serb kundër shqiptarëve e deri te ndërhyrja e NATO-s, shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe pranimi i saj nga shumica e shteteve demokratike evropiane, nga SHBA e shtete tjera në botë, për t’iu rikthyer “finales në Kosovë”, pra, pikës zero. E ҁuditshme kjo për një ambasador i cili, supozoj, duhet ta njohë tepër mirë situatën në Ballkan, në Evropën Jug-Lindore, në veҁanti raportet Kosovë-Serbi.

Kam përshtypjen se gjithë kjo zallamahi rreth bisedimeve, kufijve etj. është e lidhur me një “keqkuptim” të madh, i cili qëndron në bazamentin e bisedimeve dhe raporteve Kosovë-Serbi si në rrafshin kombëtar (fatkeqësisht), ashtu edhe në atë ndërkombëtar, e që u ngrit në nivel “parimi” në këto vitet e fundit.

Janë së paku dy “keqkuptime” të mëdha me të cilat autorët e ‘korrigjimit të kufijve”, përpiqen të përligjin idetë e planet e tyre të ndërtuara mbi konceptin e “pronësisë mbi Kosovën” dhe “të drejtës” së saj për të qenë e pavarur dhe funksionale.

Keqkuptimi i parë i madh është i lidhur ngushtë me frazën e shëndërruar në nocion politik, sipas të cilës “Serbia e ka humbur Kosovën” dhe prandaj Kosova paska fitur “gjithҁka” e Serbia “asgjë”, dhe konform kësaj vjen gjithë kjo ngartërresë për të gjetur një zgjidhje sipas të cilës “duhet” për ti ndihmuar Serbisë, të fitojë bile “diҁka”.

Së pari, duhet të qartësohet në mendjen e secilit, edhe zyrtarëve shqiptarë edhe gjithë shteteve tjera se Serbia nuk e ka humbur Kosovën, ngase Kosova asnjëherë dhe kurrë nuk ka qenë e Serbisë. Kaq.

Duke mos qenë e saj, prandaj nuk ka pasë si ta humbë. Kosova gjatë gjithë historisë së saj deri më 1999, ka qenë e pushtuar, e okupuar, e aneksuar nga Serbia dhe ky okupim e aneksim është përligjur, në një hark kohorë prej së paku 140 vitesh, në të gjitha konferencat e kongreset ndërkombëtare e ish-Jugosllave që nga Kongresi i Berlinit, Konferfenca e Ambasadorëve në Londër, “Marrëveshja e Paqes e Shën Stefanit”, Kuvendi i Prizrenit, 1945, e deri te suprimimi i autonomisë dhe statusit federal të Kosovës në ish-Jugosllavi më 1989, në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme dhe tankeve të ushtrisë serbe e jugosllave rreth Kuvendit të Kosovës.

Në këtë qark kohorë, shqiptarët u ndanë në shumë shtete, ndërsa tokat e tyre u copëtuan duke ua dhënë dhuratë pushtuesve: Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë.

Nëse hartuesit e “korrigjimit të kufijve”, kanë qëllim dhe fuҁi t’i rikthejnë këto toka, që nga Nishi, Prokupla, Kushumlia, rajoni i Toplicës e deri në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc, patjetër që meritojnë përkrahjen e të gjithëve. Madje, e tërë kjo në mënyrë paqësore!?. Perfekt!

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, edhe në shek. XXI, janë populli më i shtypur në Evropë, nga të gjitha regjimet e Serbisë, pra edhe nga ky “demokratiku” i Vuҁiqit, ndërsa po bëhet edhe spastrim i “qetë” etnik, dhe askush asnjë fjalë.

Por, as ambasadori Petritsch as Presidenti i Kosovës dhe asnjë nga ideatorët e planifikuesit e “korrigjimit të kufijve” nuk po flasin për këto gjëra. Në fakt, po ndodhë e kundërta.

Rikthim i idesë së okupimit të një pjese të Kosovës nga Serbia e kamufluar përmes një marrëveshje historike me “korrigjim të kufijve”. Kësaj radhe, me pajtimin e Presidentit të Kosovës, madje edhe me inicimin publik të saj nga ana e tij dhe bashkëmendimtarëve të tij.

Keqkuptimi i dytë lidhet me frazën e shpalljes së “njëanshme” të Pavarësisë së Kosovës, gjë e cila paraqet konceptin më absurd të bërjes së shteteve ngase asnjë shtet në botë deri sot nuk është bërë i pavarur në marrëveshje me okupuesin, me armikun. Popujt dhe shtetet, thjesht, bëhen të pavarur, me luftë a me paqe, ndahen e bashkohen me luftë a me paqe, por askujt nuk i është kërkuar deri sot që pavarësia të bëhet vetëm me “lejen” e okupuesit ose ish-okupuesit.

Në fakt, kjo po ndodhë vetëm me Kosovën, e cila pasi u bë e pavarur, shpalli pavarësinë e saj në harmoni me të gjitha rregullat e kriteret e pranuara ndërkombëtare dhe në bashkëpunim të plotë me SHBA dhe shtetet më me ndikim në Evropë, pavarësia e saj, tani nuk po llogaritet “e qenë”, pa lejen dhe pranimin e saj nga Serbia. Natyrisht, Serbia është mirë ta pranojë Kosovën e pavarur, madje është edhe në interes të saj ta bëjë këtë. Dhe në vend se ky të ishte kusht për Serbinë, për integrimin e saj në proceset e mëtutjeshme evropiane e ndërkombëtare, në të vërtetë ky kusht asaj i është përkthyer në favor përmes legjitimimit të idesë për “korrigjim të kufijve”, pra për të realizuar qëllimet e saj e mandej t’i japë leje Kosovës për pavarësi ( ҁ‘farë absurdi!).

Ambasadori nuk e fshehë këtë qëllim, sidomos jo, pasi pjesë e tij tashmë është përveҁ Presidentit të Serbisë edhe Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë. As mendimi i GJND-së për Pavarësinë e Kosovës nuk ka vlerë me gjasë për asnjërin nga këta.

Këto dy fraza, që secila në vete përbën një koncept të të menduarit e të vepruarit politik, janë aq kompatibile me njëra tjetrën sa s’bën. Pra derisa Kosova paska qenë e Serbisë, atëherë patjetër se duhet leja e saj për pavarësi dhe se kjo pavarësi është “e qenë”, vetëm nëse edhe Serbia e konsideron të tillë. Dhe për ta konsideruar të tillë (askush nuk jep asnjë garancë), duhet bërë një “korrigjim të kufijve” në mënyrë që Serbia të fitojë bile “diҁka”, një copë toke më, në një skaj të Kosovës! (pse e bëni aq të madhe këtë punë!).

Z.ambasador, besoj duhet ta dini, se ajo “copë toke” në veri të Kosovës paraqet një problem të krijuar qëllimisht nga viti 1999, nga Presidenti i sotëm i Kosovës me bashkëpunëtorët e tij, nga politika kriminale e Milosheviqit dhe pasuesit e tij, në bashkëpunim me qarqe të caktuara ndërkombëtare, përfshirë njësitë franceze të KFOR-it , (Rushit Rullanit, 9 vjeҁ, Nexhat Rullanit, 11 vjeҁ dhe Besim Rullanit 12 vjeҁ, iu shkaktuan djegie në qafë, vesh dhe sy, me një helm rafinerik nga dy ushtarë francez (23.10.1999)..), e cila me kohë u bë një “oazë” e krimit, në të cilën “falen” të gjithë për 20 vite me radhë.

Në tërë shkrimin, ambasadori e bën të qartë se nuk e ka as dertin më të vogël, as për Kosovën as për shqiptarët (një kohë, dikur e kishte!), ai e ka dertin e integrimit të shpejtë të Serbisë në BE (s’ka dert, le të jetë prapë në kurriz të shqiptarëve, pasi edhe ata vetë po e pranojnë) dhe forcimin e sërishëm të saj për ta rikthyer në “xhandar të Ballkanit” dhe “ku ka një varr serb, aty është Serbi”. Ndërsa Kosovës, një marrëveshje për “korrigjim të kufijve”, po i sjellka njohje nga vendet të cilat ende nuk na kanë njohur, madje Rusia mezi po pret të na njohë e të pranohemi edhe në OKB.

Finalja në Kosovë?. Pra, një ҁështje lokale, madje e lokalizuar “në një cep të skajshëm të Kosovës”!. Jo, falemnderit, z. Ambasador! Keqkuptim!. Së pari, Serbia ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Ta pranojë gjenocidin kundër shqiptarëve. Mandej, mund të bisedojmë për të gjitha ҁështjet, edhe për territoret shqiptare dhe të Kosovës, të okupuara e të aneksuara nga Serbia siҁ thoni edhe ju, nga një konflikt rreth 200 vjeҁar. Një “marrëveshje historike” për këtë, vërtetë do të kishte kuptim!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Melihate Termkolli