OpEd

Kosova në krah të Kosovës

Kosova ka nevojë të dalë nga qarku vicioz i ndërtuar nga gënjeshtrat rreth dialogut, dhe të ngulë këmbë në atë që është vlerë evropiane: duhet t’i thotë jo ndarjes territoriale dhe etnike!

I.

Na ishte njëherë një dialog që quhej “teknik”.

Më pas u shndërrua në dialog të “nivelit të lartë politik” me qëllim të “normalizimit të marrëdhënieve”.

Njerëzit që na futën në këto negociata insistuan gjithë kohën se në Bruksel “nuk diskutohen çështjet e brendshme të Kosovës” e as “nuk preket statusi - pavarësia është e pakthyeshme”.

“Është dialog i menduar të përmirësojë jetën e njerëzve të rëndomtë”, thanë ndërkombëtarët, derisa negociatorët tanë, burra e gra në kostume vezulluese, na bindnin me arrogancë: “Marrëveshjet e dialogut nuk e ndryshojnë as Kushtetutën dhe asnjë ligj të Kosovës”.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk preken”, ishin garancitë e tjera të njerëzve që krahas negociimit në Bruksel mbushnin xhepat me mëditje dhe barkun me karkaleca deti e verëra të shtrenjta – të bardha e të zeza.

Madje, me një shikim prej së larti, i thanë popullit se edhe “dialogu do të na e sigurojë njohjen e plotë të pavarësisë nga pesë shtetet e BE-së” dhe se “në fund, Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së”.

“Po e fuqizojmë shtetin e Kosovës” – bërtisnin!

II.

Kritikët dhe kundërshtarët e dialogut, por edhe ata që shprehnin dyshime dhe dilema rreth marrëveshjeve të nënshkruara, sulmoheshin si prorusë, antiamerikanë, jugonostalgjikë, antishqiptarë, të frustruar nga të qenit opozitë, të paguar nga Beogradi për të shkaktuar trazira… çka nuk u tha kundër atyre që tërhiqnin vërejtjet me kohë dhe shprehnin mosbesimin ndaj këtij procesi të mbyllur, për të cilin publiku dhe qytetari nuk njoftoheshin as pasi nënshkruheshin marrëveshjet.

Edhe bashkësia ndërkombëtare, e mishëruar në personalitetin e ndërmjetësueses së heshtur e të buzëqeshur italiane, e lumtur që mund të bëjë ujdi me dy-tre njerëz të pushtetshëm (ngjashëm si dikur një baroneshë angleze), pa çarë kokën për një shoqëri të tërë që duhet të jetojë me pasojat e ndërmjetësimit të saj, u bë bashkëpjesëmarrëse në këtë lojë të ndyrë, kostoja e së cilës do të na faturohet në fund, pasi të jenë vënë nënshkrimet finale që do të lëvizin kufij dhe njerëz.

Neve do të na mbeten këngët e vjetra folklorike për Evropën…

III.

Në këta shtatë vjet e gjysmë të dialogut asgjë nga ato që u thanë prej negociatorëve tanë nuk mbeti pa u demantuar, madje më së shpeshti prej vetë atyre.

Dialogu sigurisht se ishte politik. Dhe sigurisht se u diskutuan çështjet e brendshme të Kosovës. Dhe sigurisht se kërkohej që me Serbinë të arrihej një zgjidhje kompromisi mes pavarësisë sonë dhe mosnjohjes së tyre. Dhe, tani e kuptojmë që asnjë asociacion që nuk është OJQ nuk do të mjaftojë, ndërsa “kompromisi i dhimbshëm” në formën e Pakos së Ahtisaarit do të mbetet fusnotë në rrëfimin e një Kosove që tash po del se kishte hamendje kur e shpalli Pavarësinë.

Natyrisht, do të ndryshohen ligje, edhe Kushtetuta do të ndërrohet. Por edhe hartat do t’i ndërrojmë, bashkë me librat e historisë.

Pra, nuk është se nuk pati njerëz që tërhoqën vërejtjen edhe në fillim të këtij procesi se Kosova po futet në një udhë pa krye, dhe se në tavolinën e bisedimeve po e negociojmë vetë qenien tonë.

Për më tepër, dialogu vazhdimisht u pa me dyshim nga shumica e popullatës. Fillimisht nuk i besonin Serbisë. Më pas nuk u besonin negociatorëve tanë. Tani nuk u besojnë as ndërkombëtarëve.

Njerëzit e rëndomtë të Kosovës ndoshta edhe mund të ndiejnë sikur jetojnë në vargjet e “Lahutës së Malcis” së Fishtës, me atë Evropën që e ka “da token e Shqypnis, per me mbajtë klysht e Rusis”. Por ka një dallim të madh sot prej kohës së “Homerit shqiptar”; tani qartë e kuptojmë se barra më e madhe e fajit është këtu, në mesin tonë.

Dhe kjo është ajo që ne duhet adresuar. Jo me këngë, po me kundërshtim.

IV.

Është një makineri politiko-propagandistike e cila, pasi dështoi t’i bindë qytetarët e Kosovës se marrëveshja është “sukses historik”, tani ka nisur të përpiqet të bindë publikun se “gjithçka është punë e kryer”, se “ka vendosur Amerika dhe kështu do të bëhet”, se e gjithë bota perëndimore “është në përkrahje të marrëveshjes Thaçi-Vuçiq”.

Natyrisht, qytetarët e dinë se as kjo nuk është e vërtetë. Siç nuk ishin të vërteta gjithë ato zotimet dhe premtimet e dhëna që nga viti 2011, kur nisën këto negociata të Brukselit.

Gënjeshtrat, mashtrimet e arroganca më nuk kryejnë punë.

Nëse qytetarët e këtij vendi janë të vendosur t’i refuzojnë këto lojëra me kufij e territore, nuk ka kush të na detyrojë në këtë marrëveshje.

Dhe, pjesa më progresive e botës perëndimore do të jetë me ne, në mbrojtje të idesë evropiane. Kundër zgjidhjeve territoriale e etnike.

Kjo është e vërteta.

agronb@kohaditore.com