Bashkëfajtorët e krimit

Flaka Surroi Flaka Surroi 10 korrik 2018 08:03

Opozita, e këtillë çfarë është, kryesisht e kotë, i ka lënë të gjitha në duart e një Qeverie zhvatëse, së cilës nuk mundet t'ia ndalojë asnjë send. Pjesën tjetër të muhabetit, sovranitetin, ia ka lënë në duar Thaçit, për shkak se po sillet si një çift që nuk martohet, për shkak se të dyja palët janë në kërkim të partnerëve më të leverdishëm

Burime diplomatike shumë kredibile i kanë thënë “Kohës Ditore” se amnistia për kohën e luftës, për të dyja palët mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë theksuar se një propozim të tillë e kanë dëgjuar nga zyrtarët në Prishtinë, dhe se ekziston një nivel i gatishmërisë në mesin e negociatorëve edhe në Kosovë, edhe në Serbi që një gjë e tillë edhe të realizohet. Në Presidencë kanë konfirmuar tërthorazi se amnistia mund të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes, për të cilën kanë thënë se, “duhet të jetë e përshkallëzuar dhe që mund të përfshijë vetëm krimet apo veprat penale të caktuara”.

Paragraf më të fuqishëm e më sqarues se ky nuk kam lexuar që nga koha kur ka nisur debati i pafund se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialogun teknik, që s'qe teknik, dhe në bisedimet në të cilat “po s'morëm pjesë do të na bëjnë Qipro”.

Në fakt, kjo periudhë e shpjegon esencën e insistimit ngulmues të Thaçit për t'i marrë dizginat në dorë dhe për të negociuar ashtu që vetes t'ia shpëtojë lëkurën. Amnistia për kohën e luftës nënkupton, në sytë e negociuesve, mosndjekjen e krimeve të luftës të kryera në Kosovë, për pasojë edhe neutralizimin e Gjykatës Speciale.

LDK-ja dëshpëruese

Citati nga fillimi i kësaj kolumne duket t'i ketë shqetësuar vetëm mediumet tona. Nuk pati asnjë reagim nga asnjë parti. Nuk pati as reagim nga Kuvendi -- gjë e cila nuk befason fare. Nuk pati asnjë koment nga Qeveria, e cila qëmtoi ka treguar se e vetmja gjë që i intereson është shpenzimi i buxhetit pa kurrfarë kontrolli. Prej negociatave ka hequr dorë moti, dhe terrenin ia ka lënë Thaçit hapur për të bërë çfarë t'ia ka ëndja.

E Thaçi është duke e bërë pikërisht këtë. Po e shfrytëzon vakuumin të cilin ia kanë krijuar partitë opozitare, që tash më shumë se kurrë e kanë humbur rrugën në oborr.

Ndër ata të cilët kanë një luftë të brendshme për apo kundër Thaçit kryenegociator, në rend të parë dallohet LDK-ja. Partia më e madhe në Kuvend, me gjasë del të mos jetë në gjendje që ta mbajë një qëndrim unik, madje edhe në mesin e deputetëve për dy çështje kryesore: një, për ndonjë rezolutë që do ta sillte platformën e negociatave së bashku me listën e vijave të kuqe, që s'bën të kalohen dhe dy, për mocionin e mosbesimit ndaj kësaj Qeverie katastrofale.

Deklarata e paradokohshme e Hotit se LDK-ja do ta marrë mbi vete barrën e negociatave, por vetëm pas zgjedhjeve, tregon se LDK-ja nuk ka ide se si do të duhej qasur negociatave dhe cilat do të ishin bazat e një platforme negociuese. Është iluzore të pretendosh se gjërat do të ndryshojnë me zgjedhjet e reja, përderisa Kuvendi nuk ia vë frenat Thaçit.

Pra, edhe po të kishte mocion, edhe po të binte Qeveria, kjo nuk do të thotë se gjatë fushatës Thaçi nuk ta shfrytëzonte kohën për t'i vazhduar takimet në Bruksel apo eventualisht takimet sekrete me Vuçiqin. Nga ana tjetër, LDK-ja nuk e ka as garancinë minimale se do të mundë të krijonte qeveri në rast të zgjedhjeve të parakohshme; për më tepër nuk e ka as qëndrimin e qartë se nuk do të bënte koalicion sërish me PDK-në veç për ta marrë postin e kryeministrit. Ngase atë që kemi mësuar nga LDK-ja, sidomos në zgjedhjet e parafundit, është se “jo” në të vërtetë do të thotë “po”.

Mungesë koncepti

Pas kësaj deklarate dolën disa komunikata nga LDK-ja, që thonë se nuk e përkrahin Thaçin për kryenegociator dhe se nuk do të jenë pjesë e Ekipit të Unitetit po qe se ai e udhëheq atë. Porse në asnjërin rast të vetëm nuk dalin me një emër, që do të mundë ta merrte përgjegjësinë e kryenegociatorit. Dhe kjo është tejet dëshpëruese duke i marrë parasysh numrat aktualë sipas një sondazhi që u publikua rishtazi, e sidomos pretendimin e LDK-së si parti më e madhe, më institucionaliste, më rugoviste, më patriote, më... çka do që iu bie në mend.

Po të ishte vërtetë e madhe siç pretendon, do të duhej t'i kishte dhjetë e jo një emër të vetëm për ta kryer këtë detyrë. Dhe po të ishin pretendimet e LDK-së të vërteta, do të duhej ta kishte besimin se mund t'i shtynte proceset përpara. Por nga sjellja e saj, po e shohim se LDK-ja nuk është aq e madhe sa pretendon se është.

I fundit me deklarata interesante, dhe aspak befasishëm, u shfaq Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së. U shfaq pas marrjes së një mirënjohjeje të blerë nga një mashtrues -- për të cilin lajm komuna e tij e dërgoi komunikatën bashkë me fotografi. Dhe kur KTV-ja e zbuloi se e gjithë kjo ishte një mashtrim, u çua dhe na akuzoi se kishim prodhuar “lajm të rrejshëm”, për të cilin mund të ndiqemi penalisht. Po harron se edhe akuza pa bazë quhet shpifje, dhe si e tillë i nënshtrohet një ligji civil që mund t'ia zbrazë xhepat.

Sidoqoftë, Haziri i përsëriti gjërat e njëjta që i thotë krejt LDK-ja -- se janë institucionalistë, dhe se për këtë shkak “LDK-ja nuk është se nuk e përkrah Thaçin si kryenegociator, porse për këtë duhet të vendosë Kryesia”. Pra, pyetja është nëse Kryesia ende nuk paska vendosur, atëherë qysh po del LDK-ja përkrahëse e Thaçit? Sipas kësaj, del se Haziri ose po punon krye në vete, ose ka dalë me detyrë për ta thënë këtë që e thotë, për ta matur pulsin, për shkak se LDK-ja tashmë ka vendosur ta pranojë Thaçin si kryenegociator.

E derisa LDK-ja bën eksperimente, Thaçi vazhdon me agjendën e vet.

Përçarja që po kushton

Pjesa tjetër e opozitës, tash më shumë se kurrë, po i vuan pasojat e përçarjes, të cilën kush s'e mori vesh pse ndodhi në të vërtetë.

VV-ja, e posaçërisht PSD-ja, ende po merren me fjalë: “më tha, s'më tha”; “ma bëri, s'ma bëri”. Nëpër konferenca për shtyp po dalin e po e kundërshtojnë Thaçin për kryenegociator, porse nuk po ofrojnë alternativë. Flasin për vijat e kuqe që nuk janë, por nuk dalin ta thonë zëshëm se cilat janë vijat e kuqe që s'duhen kaluar.

Sikurse edhe LDK-ja po kalkulojnë, sepse zgjedhjet mund të ndodhin shpejt, e mund t'i humbin pozicionet aktuale fare lehtë. Kjo, po qe se e bëjnë një përpjekje të përbashkët opozitare, që do ta shtinte në rend procesin e negociatave, dhe rezoluta nuk u kalon, për shkak se nuk mund të llogarisin pa dyshime në të gjitha votat e opozitës, edhe të ndonjërit nga NISMA apo nga minoritetet joserbe. Prandaj, më parë do ta ruajnë status quon (posaçërisht PSD-ja, që sipas sondazhit të KDI-së nuk e kalon as pragun) sesa ta bëjnë një përpjekje përnjëmend për ta ndalur hovin e Thaçit, i cili nuk mërzitet për Kushtetutën, të cilën është mësuar ta shkelë e ta ndrydhë qysh i konvenon.

Kësaj duhet shtuar edhe mungesën kronike të kuorumit në seancat e Kuvendit, që thuajse janë të orkestruara. Dhe përderisa nuk do të ketë një kod etik, a një rregullore që ua mëshon në xhep deputetëve, kjo situatë nuk do të ndryshojë. Kështu, do të vazhdojmë të kemi situata absurde, ku as Kryesia e Kuvendit nuk mund veprojë për shkak të mungesës së kuorumit, por ku megjithatë do të merren vendime, gjithsesi të kundërligjshme, sa për t'i qitur hi syve popullatës inerte.

* * *

Përfundimi: opozita, e këtillë çfarë është, kryesisht e kotë, i ka lënë të gjitha në duart e një Qeverie zhvatëse, së cilës nuk mundet t'ia ndalojë asnjë send. Pjesën tjetër të muhabetit, sovranitetin, ia ka lënë në duar Thaçit, për shkak se po sillet si një çift që nuk martohet, për shkak se të dyja palët janë në kërkim të partnerëve më të leverdishëm.

Me mosveprimin dhe komunikatat e thata që po i publikojnë, në fakt po bëhen bashkëfajtorë për krimin që po na ndodh.

Jemi me gjasë shteti me buxhetin më të vogël në rajon, dhe shteti i cili më së shumti i harxhon paratë e veta nëpër kontrata që kurrë nuk u bënë publike. I harxhon edhe për blerjen e paqes sociale, duke bllokuar njëkohësisht komplet sistemin gjyqësor edhe ashtu jofunksional. Jemi shtet i cili e ka një Kuvend që i shpenzon 2 milionë euro për tre muaj e që nuk është në gjendje t'i përmbushë as 20% të obligimeve të veta. Jemi shteti i cili prodhon analfabetë, dhe të cilit në shekullin XXI i thuhet se duhet t'ia nisë arsimit prej zeros.

Jemi shtet që nuk ka opozitë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi