Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tokio 2020

Tragjedia në familjen e algjerianit para Olimpiadës

Akram Bounabi është një yll në rritje i Algjerisë në sportin e skermës, jeta e të cilit është kthyer përmbys nga pandemia e koronavirusit. Sportisti që do të paraqitet në lojërat olimpike “Tokio 2020” i humbi babanë e tij dhe tre gjyshërit nga COVID-19 brenda dy muajve.

Pas pak ditëve, Bounabi do të përfaqësojë vendin e tij në garën e skermës në Lojërat Olimpike të Tokios, të cilat u shtynë për një vit për shkak të pandemisë. 21-vjeçari është kurorëzuar kampion kombëtar në disa raste dhe ka pasur paraqitje fantastike në Kupën e Botës në skermë. Derisa flet për tragjedinë në familje të shkaktuar nga koronavirusi, Bounabi i shikon në telefon fotografitë e anëtarëve që i ka humbur. Ai thotë se është prekur shumë nga kjo humbje, e cila gati sa nuk ndikoi të hiqte dorë nga sporti.

“Unë u sëmura pasi isha pozitiv për COVID-19 dhe familja ime ishte gjithashtu e sëmurë. Pas kësaj, gjyshja dhe babai im vdiqën, dhe pastaj pas disa ditësh, gjyshi im dhe gjyshja ime nga nëna gjithashtu vdiqën. Pas kaq shumë tragjedish, ndalova gjithçka - jo vetëm sportin - por edhe studimet e mia dhe shumë gjëra”, rrëfen Bounabi derisa fshin lotët.

Megjithatë, ai thotë se ka gjetur forcën për të vazhduar me sportin dhe tani ka synime të mëdha në Lojërat Olimpike. Ai shpreson të fitojë medalje për të nderuar anëtarët e familjes që vdiqën nga koronavirusi. Nëse nuk arrin të fitojë në Tokio, atëherë synimi i tij do të jetë pas tre vjetësh në Paris.

“Sigurisht që ambicia ime është të fitoj një medalje në Lojërat Olimpike. Kjo mund të ndodhë në Tokio dhe mund të ndodhë edhe në Paris 2024. Por nëse unë nuk arrij të fitoj një medalje këtë vit, të paktën ngjarja do të shërbejë si përgatitje e rëndësishme për Lojërat Olimpike të ardhshme”, shprehet Bounabi. “Të jesh në gjendje të fitosh medalje në Lojëra Olimpike është diçka madhështore për një sportist. Natyrisht, nuk është lehtë, por unë do të përpiqem. Jam përgatitur për këtë Olimpiadë për më shumë se katër vjet”.

Ai gjithashtu ka folur edhe për vështirësitë me të cilat është përballur për LO “Tokio 2020”.

“Në skermë, shumë sportistë algjerianë duhet të marrin pjesë në garat lokale në Algjeri, në mënyrë që të jenë të gatshëm për garat ndërkombëtare. Por, të jem i sinqertë, ky është një problem me të cilin po përballem. Kjo do të thotë që nuk kisha shumë kundërshtarë për t’u stërvitur ndaj tyre dhe për këtë arsye nuk mora pjesë në shumë gara”, shprehet Bounabi.

Bounabi do të shoqërohet nga dy garuese femra, Kaouther Mohamed Belkebir dhe Meriem Mebarki, dhe nga garuesi Salim Heroui në Tokio, të cilët gjithashtu do ta përfaqësojnë Algjerinë në Lojërat Olimpike. Lojërat Olimpike zhvillohen nga 23 korriku deri më 8 gusht.

Artikuj të ngjashëm