Tokio 2020

Tokio u jep lamtumirën Lojërave Paralimpike me ceremoni spektakolare

Flaka paralimpike është shuar dhe perdja është lëshuar në lojërat e paharrueshme dhe historike “Tokio 2020”. Më shumë se 4400 sportistë elitarë morën pjesë në ngjarje. Shumë prej tyre festuan të arriturat sportive në një ceremoni spektakolare mbyllëse para se stafeta t’i dorëzohej Parisit, që organizon ngjarjen në vitin 2024

“Arigato” (faleminderit) dhe “Sayonara” (mirupafshim)...

Pas 12 ditësh plot me suksese sportive, me aftësi e kurajë të shfaqur, lojërat paralimpike “Tokio 2020” përfunduan të dielën me një ceremoni spektakolare mbyllëse në Stadiumin Olimpik në kryeqendrën e Japonisë.

Derisa ceremonia po përcillej në shumë pjesë të botës, flaka u shua dhe flamuri paralimpik u ul në mënyrë ceremoniale. Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, ia dorëzoi flamurin kryetares së Parisit, Anne Hidalgo, nëpërmjet presidentit të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons. Lojërat e ardhshme Paralimpike mbahen në Paris në vitin 2024.

Ngjarja e paharrueshme dhe historike sportive ishte festë e vërtetë, kurse nuk munguan momentet e gëzimit dhe dhimbjes së përbashkët.

“Çfarë rrugëtimi. Çfarë sporti. Çfarë lojërash. Çka mund të them më tepër se ‘arigato Tokyo’. Së bashku, në kundërshti me parashikimet, ne ia dolëm”, ka thënë presidenti i IPC-së, Andrew Parsons.

“Lojërat paralimpike ‘Tokio 2020’ nuk ishin vetëm historike, ishin fantastike. Në 12 ditë magjike sportistët i dhanë botës besim, gëzim dhe shpresë. Sportistët thyen rekorde. Sportistët ngrohën zemra. Sportistët hapën mendje. Sportistët ndryshuan jetë. Këto lojëra ndihmuan të realizohen ëndrrat e shumë njerëzve këtu në Tokio dhe të shumë të tjerëve që shikuan nga shtëpia”.

Në ceremoni është përçuar mesazhi për dashuri, paqe, unitet, diversitet e harmoni. Ka pasur pika të ndryshme artistike gjatë ceremonisë së bukur.

“Rrugëtimi ynë i gjatë erdhi në fund. Lojërat paralimpike ‘Tokio 2020’ janë në fazën finale dhe ishte e mrekullueshme të shihnim se si çdo ngjarje ishte e mbushur me buzëqeshje”, ka thënë presidentja e “Tokio 2020”, Seiko Hashimoto, që ka falënderuar të gjithë të përfshirët që bënë të mundur zhvillimin e lojërave, duke përfshirë vullnetarët.

“Para tetë vjetësh i kemi premtuar botës mikpritje të vërtetë. Jam i bindur se secili sportist e ka ndier këtë këtu. Kjo është bërë e mundur falë respektit tuaj të ndërsjellë, ndonëse në kushte të vështira. Ia dolëm që këto lojëra t’i shndërrojmë në ngjarje të suksesshme. Jam krenar për këtë ekip të shkëlqyeshëm”, ka shtuar ajo.

Pas shtyrjes së Lojërave për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, “ecim tutje” ishte tema kryesore në ceremoninë hapëse dhe mbyllëse. 12 ditët në mes ishin të mbushura me paraqitje të jashtëzakonshme ku 4400 sportistë që udhëtuan nga e gjithë bota morën pjesën.

Shumë prej tyre ishin në paradën e sportistëve dhe panë nga afër një ngjarje spektakolare. Pati lidhje direkte me Parisin, ku do të mbahet ngjarja e ardhshme.

Sportistët e Kinës ishin më të suksesshmit në Lojërat Paralimpike. Ata i fituan 207 medalje, prej tyre 96 të arta. Kinezët kishin edhe 60 medalje të argjendta e 51 të bronzta. Në vend të dytë, befasisht, ishin sportistët e Britanisë së Madhe. Ata fituan 124 medalje, 41 prej tyre të arta. SHBA-ja u rendit e treta me 105 medalje, prej tyre 37 të arta. Rusët i fituan 118 medalje, por vetëm 36 të arta. Holanda, Ukraina, Brazili, Australia, Italia e Azerbajxhani plotësojnë dhjetëshen e parë.

Ceremonia mbyllëse e Lojërave Paralimpike ishte akti i fundit i ngjarjes së shtyrë. Thuajse tetë vjet më parë kryeqendra e Japonisë e fitoi të drejtën e organizimit të ngjarjes. Lojërat Paralimpike, ashtu si Lojërat Olimpike të mbajtura në korrik e gusht, u vlerësuan shumë lart. Në Lojërat Paralimpike marrin pjesë sportistët me aftësi të kufizuara. Për fat të keq, Kosova ende nuk është pjesë e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja u zhvillua pa praninë e shikuesve dhe në kohën kur Tokio ishte në gjendje emergjente për shkak të pandemisë. Sportistët janë testuar rregullisht dhe kanë qëndruar larg popullatës së Tokios.