Kontinenti evropian ka qenë në garë të fortë me Japoninë për sukses në Lojërat Olimpike sa i takon xhudos.
Kontinenti evropian ka qenë në garë të fortë me Japoninë për sukses në Lojërat Olimpike sa i takon xhudos.
Japonia ka dominuar, por gara e xhudos në “Tokio 2020” ka dëshmuar rëndësinë e xhudos kosovare për Evropën përkatësisht për Unionin Evropian të Xhudos (EJU).
Dy prej pesë të artave që i ka fituar Evropa në konkurrencë individuale janë të Kosovës. Asnjë vend tjetër i kontinentit të vjetër nuk i ka dy të arta në konkurrencë individuale.
Distria Krasniqi doli kampione në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Te xhudistet dominimin e japonezeve e theu edhe francezja Clarsisse Agbegnenou që ishte e artë në kategorinë deri 63 kilogramë.
Uta Abe (52 kg), Chizuru Arai (70 kg), Shori Hamada (78 kg), Akira Sone (+78 kg) fituan të arta për Japoninë.
Më i theksuar dominimi japonez ishte te xhudistët. Naohisa Takato (60 kg), Hifumi Abe (66 kg), Shohei Ono (73 kg), Takanori Nagase (81 kg), Aaron Ëolf (100 kg) fituan të artat për Japoninë. Lasha Bekauri i Gjeorgjisë fitoi në kategorinë deri 90 kilogramë, ndërsa çeku Lukas Krpalek në kategorinë mbi 100 kilogramë.
Në ekipore, Franca mori të artën e Japonia të argjendtën.
Evropa mori nëntë medalje të argjendta në garat individuale. I kishte plot 16 të bronzta. Por vetëm pesë të arta. Dhe dy prej tyre nga Kosova.
“Xhudistët evropiane në këto Lojëra kanë fituar pesë medalje të arta në krahasim me tetë sa i kishin në Rio 2016. Ka qenë të paktën një xhudist evropian në secilin podium. Vendi nikoqir, Japonia, ka kthyer lavdinë me nëntë të arta. Pas dështimit në Londra 2012 kur fitoi vetëm një të artë dhe tri të artave në Rio, Japonia ka kaluar rekordin prej tetë të artave që i kishte në Athina 2004”, ka shkruar EJU në një analizë të listës së medaljeve.
Në fakt Japonia ka llogaritur në medalje të arta edhe në kategoritë e Distrisë e Norës. Por dy xhudistet kosovare kanë kaluar japonezet për të zënë vend në shkallën më të lartë të podiumit.
Edhe në një letër urimi të presidentit të EJU-së, rusit Sergey Soloveychik është theksuar rëndësia e xhudos kosovare për Evropën. Soloveychik ka uruar presidentin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.
“Medalja e Distrisë ishte e para medalje e artë olimpike për EJU-në në këto lojëra speciale. Ajo së bashku me Norën kanë hyrë në histori sërish duke shkuar gjurmëve të Majlindës në mënyrë perfekte. Titulli më i lakmuar, ai olimpik, është rezultat i përkushtimit të vërtetë, shumë vjetëve të punës së madhe dhe përkrahjes së federatës suaj. Distria dhe Nora do të mbesin një tjetër shembull inspirimi nga Kosova për gjeneratat e ardhshme. Uroj që ato të jenë të lumtura dhe të forta drejt synimeve të reja në jetë. Uroj po ashtu që ekipi i juaj i vogël dhe fantastik të vazhdojë të ëndërrojë për gjëra të mëdha”, shkruan në letrën e Sergey Soloveychik.

Kosova në “Rio 2016” fitoi një të artë. Nga “Tokio 2020” u kthye me dy të arta. Me këtë ritëm në “Paris 2024” mund të jetë sërish forca kryesore evropiane e po ashtu rivalja më e madhe e Japonisë.