Tokio 2020

Podiumi olimpik nga perspektiva e Driton Kukës

Vendosi që i vetëm ta përcillte ceremoninë që kurorëzonte edhe njëherë punën e mundimshme dhe shumë të madhe që ka bërë me nxënësit e tij.

“Bravo Disa”, ishte përkrahja që i jepte Distria Krasniqit derisa ajo po ngjitej në tatami, për të zënë vend në podium dhe për të vënë në gjoks medaljen e artë olimpike.

I qëndronte prapa në ceremoni, ashtu si iu qëndron pranë vazhdimisht sportistëve të tij. Komunikonte në distancë herë pas here me vëllain e tij, Agronin, kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës. Por kryesisht qëndronte i qetë, i kthyer nga podiumi.

Po e shijonte momentin më të madh që mund ta përjetojë një sportist e natyrisht edhe trajneri i tij. Kur u thirr emri i Distria Krasniqit për t’u ngjitur në shkallën më të lartë, Kuka fillimisht fshiu lotët, si xhudistja në podium, e më pas duartrokiti lehtë. Pasi pranoi medaljen, Distria u kthye dhe e përshëndeti trajnerin e saj. Trajneri Kuka ia ktheu përshëndetjen duke ngritur grushtin lart.

Sërish fshiu sytë, ndërsa me emocione e përjetoi intonimin e himnit. Për herë të dytë po e përjetonte këtë ndjenjë. Që himni i Kosovës të intonohet për medalje të artë olimpike. Ndodhi së pari në Rio në vitin 2016 e tani edhe në Tokio në vitin 2021.

Toni ka qëndruar i heshtur dhe ka shijuar në maksimun edhe momentin, derisa xhudistet në podium po pozonin për fotografët e shumtë me medalje në gjoks.

Driton Kuka u rikonfirmua trajneri bindshëm më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave. U konfirmua si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë.

Ai me një grup fare të vogël xhudistësh, ka fituar krejt çka mund të fitohet në sport. Ka disa herë madje. Tashmë i ka dy medalje të arta olimpike dhe medalje të tjera olimpike synon në ditët e ardhshme.

Ka garuar vetëm një prej pesë xhudistëve të tij. Dhe është fituar një medalje.

Kuka ka pranuar se misioni është përmbyllur, por asessi kjo nuk do të thotë se aspiratat nuk ekzistojnë për ditët e ardhshme. Ato vetëm janë rritur në fakt.

“Natyrisht që fillimi i mbarë e ka rëndësinë e vet. I kemi edhe katër garues në lojë dhe të shohim. Të gjithë janë në garë për medalje, por në Lojërat Olimpike është shumë vështirë të fitohet ajo. Nëse shpërblehet puna që kemi bërë dhe cilësia që kemi, atëherë do të duhej të vinte edhe medalja e dytë”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN.

I matur si çdoherë, Kuka ia lë tatamit për ta “thënë” fjalën kryesore. Kështu veproi edhe të shtunën. Ai nuk ishte deklaruar për një kohë dhe ishte fokusuar në punën e tij.

Dhe në fund mori shpërblimin. Shpërblimi natyrisht është medalja, por edhe lavdet pa fund që kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ka thurur për të. Ka dhënë shumë deklarata Distria pas suksesit në Tokio. Dhe thuajse në secilën fjali e ka përmendur trajnerin Kuka dhe meritat e tij në sukses.

Njëjtë atë e vlerësojnë edhe xhudistët e tjerë. Dhe me pak fat ai sërish do të përcjellë i vetëm intonimin e himnit. Apo do ta rrahë fort dyshemenë me shuplakë, ashtu siç bëri kur Distria siguroi kalimin në finale dhe kur medalja olimpike u sigurua.