Tokio 2020

Pasi shkëlqen për Suedinë në Saitama, Kosovarja shprehet krenare për Kosovën

Shumë i madh ishte stadiumi “Saitama Stadium”, ku Kosovare Asllani u paraqit të premten mbrëma. Njëjtë ishte edhe paraqitja e saj – e madhe – e po ashtu deklarata që pas ndeshjes dha për KOHËN.

Kosovarja, futbollistja e Suedisë, me prejardhje nga Mitrovica, fitoi shumë tifozë ditë më parë, kur publikoi një fotografi te flamuri i Kosovës në fshatin olimpik në Tokio.

Te premten me shumë mundësi ka fituar tifozë të tjerë në Suedi. Është pëlqyer, me shumë gjasë, nga adhurues të futbollit nëpër botë. Në një skenë të madhe, në çerekfinale të Lojërave Olimpike, ka shkëlqyer. Futbolli i vajzave në Lojëra Olimpike është më i forti i mundshëm. Dallon nga futbolli i djemve, ku paraqiten futbollistë të rinj me pak përjashtime.

Asllani, lojtare e dëshmuar në nivel të lartë, shënoi një gol në fitoren 3:1 të Suedisë ndaj nikoqires, Japonisë. Tani Suedia më 2 gusht luan në gjysmëfinale ndaj Australisë në Yokohama. Është favorite për avancim në finale. Me kalim në finale e siguron të paktën medaljen e argjendtë. Me humbje në gjysmëfinale luan për medalje të bronztë olimpike. Në gjysmëfinalen tjetër takohen SHBA-ja e Kanadaja. SHBA-ja, që është favorite, është mposhtur 3:0 nga Suedia në ndeshjen hapëse.

Suedia, me Kosovaren pjesë shumë të rëndësishme të ekipit, ka fituar ndeshjet në grup edhe me Australinë (4:2) e me Zelandën e Re (2:0). Pra, e ka mposhtur kundërshtaren e ardhshme dhe potencialisht edhe kundërshtaren e finales. Por, kjo nuk është garancë se Suedisë do t’i takojë e arta. Apo që do të fitojë medalje.

Ende pa nisur ndeshja në stadiumin me 63 mijë ulëse në Saitama në afërsi të Tokios, vërehej rëndësia e Kosovares për ekipin. Në fakt, nxemja e ekipit të Suedisë nisi me përshëndetjen e lojtareve mes vete. Suedezët i kushtonin rëndësi të madhe shpirtit ekipor, funksionimit si grup. Dhe kjo vërehej qartë edhe para takimit.

Futbollistet e Suedisë më pas formuan një rresht për tre. Kosovarja ishte në rreshtin e parë, në mes. Zakonisht ishte e para në vrapime. Binte në sy motivimi që lojtaret e Suedisë ia bënin njëra-tjetrës, me duartrokitje të vazhdueshme. Qasja e trajnerëve ishte e njëjtë, shumë motivuese. Asllani dukej se bëri një ngrohje të mirë dhe ishte gati për ndeshjen e rëndësishme.

E këndoi himnin e Suedisë bashkë me lojtaret e tjera dhe hyri fuqishëm në ndeshje. Në minutata e parë krijohej bindja se Suedia do të fitojë pa ndonjë vështirësi. Që në nismë suedezet krijuan rast të mirë shënimi por gjuajtën jashtë. Nuk vonon shumë dhe 32-vjeçarja Asllani nxjerr një faul dhe jep pasim të rrezikshëm në zonë. Prapë rrezikoi Suedia, prapë Asllani protagoniste. Në situatën tjetër bëri një krosim të bukur nga këndi. Dhe në minutën e gjashtë pas një aksioni të gjatë, në të cilin ishte pjesë Asllani, Suedia shënoi për 1:0.

Në vendosjen me një sulmues, Asllani luante menjëherë pas saj. Ndonjëherë zhvendosej në krahun e djathtë, por kryesisht qëndronte pas sulmueses së qendrës.

Ndeshja luhet pa praninë e shikuesve dhe atmosfera është larg së dëshiruarës. Stadiumi i madh e i bukur “nuk duron” tribunat e zbrazëta. Ka zhurmë artificiale në stadium, që t’i perngjaje atmosferës me shikues. Por është bezdisëse ndonjëherë. Nuk përshtatet fare me situatat në lojë.

Por, lojtareve në fushë nuk u mungonte motivimi. Asllani u bë protagoniste me një krosim tjetër të saktë. Ndërkohë, japonezet, që në fillim dukeshin inferiore, gradualisht u kthyen në lojë. Barazuan në 1:1 në minutën e 23-të dhe ishin të barabarta deri në fund të pjesës së parë. Por, gola më nuk pati.

Madje Japonia fitoi penallti, por që u anulua pas rishikimit të situatës përmes VAR-it .

Kosovare Asllani pati rast të mirë në minutën e 34-t, ndërsa gjuajti direkt në portiere. Suedia kthen epërsinë në minutën e 53-të, por VAR-i e prish festën. Goli megjithatë, konfirmohet. Edhe në golin e dytë, Asllani ishte pjesë e hershme e aksionit.

VAR-i u konsultua edhe njëherë tjetër, në pjesën e dytë. Pas një goditjeje të Kosovares, një lojtare e Japonisë e preku lehtë topin me dorë. Por, mjaftueshëm sa për të treguar gjyqtarja në pikën e bardhë. Prej aty, Kosovarja ishte e pagabueshme. Realizoi në minutën e 68-të për 3:1.

Ndeshja u mbyll këtu. Japonia dukej e dorëzuar, ndërsa Suedia vetëm ruante rezultatin. Asllani u zëvendësua në minutën e 90-të, ndërsa pas vërshëllimës së fundit iu bashkua bashkëlojtareve në festë.

Pas ndeshjes, para se të futej në autobus për t’u kthyer në fshatin olimpik, tha pak fjalë për KOHËN. Tregoi se fotografia e bërë te flamuri i Kosovës nuk është rastësi.

“Jam shumë e lumtur për medaljet e Kosovës. Jam ndier krenare. Xhudistet nuk i kam takuar ende, por besoj se do t'i takoj në fshatin olimpik. Jam e lumtur për to, pasi jam krenare që jam nga Kosova", ka thënë Asllani për KOHËN.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova kanë fituar medalje të arta për ën në Tokio 2020. Një të tillë natyrisht e shpreson edhe Kosovarja. Si pjesë e Suedisë.

"Shpresoj që do të fitoj medalje olimpike. Sonte ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe jam e lumtur që kemi fituar. Jam e kënaqur edhe me paraqitjen time. Natyrisht edhe me golin", ka shtuar Asllani. Ajo i ka mbi 150 ndeshje për Suedinë. Ka luajtur në top-klube botërore dhe vazhdon të luajë. Së fundi luajti për Real Madridin.

Asllani ka shumë ngjarje të mëdha prapa vetes. Por, është e motivuar për suksese të reja. Kjo vërehej fare lehtë të premten mbrëma në Saitama të Japonisë.