Kreu i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Toshiro Muto nuk ka përjashtuar mundësinë e anulimit të kësaj ngjarjeje në momentet e fundit nëse rastet me koronavirus rriten. Tokio ka raportuar të martën 1387 raste të reja me koronavirus, numër ky shqetësues për zyrtarët e kryeqytetit të Japonisë.
Sportistët tashmë kanë filluar të arrijnë në Tokio për ceremoninë hapëse të LO “Tokio 2020” që mbahet të premten, ndërsa numri i atyre janë të lidhur me këtë ngjarje tashmë ka shkuar në 70 të infektuar.
“Ne nuk mund të parashikojmë se si do të duket pandemia në të ardhmen. Pra, për atë që duhet të bëjmë nëse ka ndonjë rritje të rasteve pozitive, ne do të diskutojmë në përputhje me rrethanat nëse kjo ndodh”, tha Muto gjatë një konference shtypi të mbajtur në Tokio të martën .
“Gjatë bisedës së fundit, u tha qartë se ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën e koronavirusit dhe nëse situata përkeqësohet, atëherë duhet të diskutojmë se çfarë duhet të veprojmë”.
Tokio, aktualisht është nën një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, situatë që pritet të skadojë më 22 gusht dhe organizatorët njoftuan këtë muaj se në Tokio do të ketë shikues në ngjarjet sportive.